Ndërlidhjet

Nuk miratohen rekomandimet për 100 ditët e punës së Qeverisë


Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar rekomandimet e Lëvizjes Vetëvendosje, për performancën e qeverisjes në Kosovë dhe kontrollin parlamentar.

Rekomandimet pasuan debatet prej dy ditëve për 100 ditët e para të punës së Qeverisë së Kosovës, të zhvilluar me kërkesën e opozitës.

Sponsoruesi i këtyre rekomandimeve, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se rekomandimet, ndër tjera, kishin për qëllim rritjen e transparencës. Mirëpo, ato u mbështetën vetëm nga partitë opozitare dhe jo nga partitë e koalicionit qeverisës që përbëjnë shumicën në Kuvend.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka prezantuar sërish një ekspoze, ku ndër tjera ka potencuar se programi i tij qeverisës mbështetet në zhvillim ekonomik, punësim, sundim të ligjit si dhe në përmbushjen e agjendës evropiane dhe reformave në arsim e shëndetësi.

"Programi është i realizueshëm dhe se ai u përgjigjet nevojave aktuale të Republikës së Kosovës. Nuk them se është program ideal, por vlerësoj se në Qeverinë e Kosovës, në këtë koalicion ka vullnet që të bëhen ndryshime", u shpreh Mustafa.

Ngjashëm me ditën e parë, edhe dita e dytë u karakterizua me debate e polemika të shumta.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vlerësuar se me këtë qeveri, Kosova do të ketë ditë edhe më të vështira. Sipas tij, koalicioni aktual i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk mund të garantoj zhvillim e as mirëqenie për qytetarët e Kosovës.

"Ditët më të mira me këtë qeveri tashmë i kemi parë. Ato njëmend ishin shumë të këqija, por ditët në vijim do të jenë edhe më të këqija. Mbase nuk mund të jetë ndryshe me një qeveri e cila është themeluar me marrëveshjen e Rashkës së 9 dhjetorit 2014", ka theksuar Kurti.

"Kjo Qeveri do të hap më shumë vende pune në Serbi sesa në Kosovë dhe këtu nuk e kam fjalën për transportuesit e shqiptarëve nëpër Serbi për në Hungari, e as për hotelet e restorantet në Suboticë, por për lejimin që këta do t'ua bëjnë mallrave të Serbisë në Kosovë", ka deklaruar ish lideri i Vetëvendosjes.

Deputetët opozitar shprehën shqetësime edhe në lidhje me deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa, se Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) nuk do të mund të shkojnë në veri të vendit të populluar nga shumica serbe pa marrëveshje me NATO-n. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha se kjo paraqet shkelje të Kushtetutës.

"Kryeministri tha se FAK nuk do të kaloj në veriun e Kosovës pa marrëveshje me NATO-n. Ndërsa unë po ia lexoj vetëm dy nene: Forcat e Armatosura të Kosovës janë forcë kombëtare ushtarake të Republikës së Kosovës dhe mund të dërgojnë pjesëtarët e saj jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj. Pyetja është se deri ku është sovraniteti i Kosovës, a është deri te ura e Ibrit (në Mitrovicë) apo deri te pika 1 dhe 31 (pikat kufitare me Serbinë)?", ka shtruar dilemën e tij Haradinaj.

Me gjithë shqetësimet e disa deputetëve, kryeministri Isa Mustafa rikonfirmoi se qasja e Forcave të Armatosura në veri të Kosovës do të mbetet e limituar.

"Është e saktë deklarata që e kam dhënë në lidhje me FSK-në dhe FAK-un. Por, ky nuk është qëndrim i imi. Ne e kemi pasur përkrahjen e NATO-s dhe SHBA-së në çlirimin e Kosovës dhe themelimin e shtetit tonë. Ne duam të zhvillojmë një partneritet me NATO-n dhe shtetet anëtare si edhe me SHBA-në. Këtë partneritet do ta ndërtojmë edhe me themelimin e ushtrisë së Kosovës. Ne Forca të Armatosura të Kosovës jashtë këtij partneriteti, nuk shohim", ka thënë Mustafa.

Jo vetëm nga opozita, por edhe nga partitë e koalicionit, kishte deputetë që kritikuan punën e ministrave të caktuar. Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani u ndal në politikën e jashtme, ku ajo tha se ka vërejtur përplasje në qëndrimet e prezantuara nga ministri i jashtëm në Qeverinë e Kosovës Hashim Thaçi dhe programi qeverisës që i dedikohet politikës së jashtme.

"Prioritetet e politikës së jashtme që dje i dëgjuam nga ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, dallojnë në masë të madhe nga ato që janë paraqitur në programin qeverisës", ka deklaruar Osmani.

Debati i thirrur për performacën dhe punën e qeverisë në 100 ditët e para, megjithatë u karakterizua më shumë me diskutimet për programin qeverisës apo në disa raste, deputetët u lëshuan në vlerësime të punës për katër - pesë vitet e fundit të qeverisjes në Kosovë.

XS
SM
MD
LG