Ndërlidhjet

Rivarrosen mbetjet mortore të gjetura në Rudnicë


Mbetjet mortore të 28 personave të zhdukur...
Mbetjet mortore të 28 personave të zhdukur...

Në prani të familjarëve dhe zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, në fshatin Rrezallë të komunës së Skënderajt, u bë rivarrimi i mbetjeve mortore të 28 viktimave të identifikuara në varrezën masive në Rashkë të Serbisë.

Ceremoni e rivarrimit u bë në të njëjtën ditë kur edhe shënohet 16-vjetori i masakrës së Rrezallës, gjatë së cilës ushtria dhe policia serbe kishte ekzekutuar 98 banorë të këtij fshati dhe fshatrave afër tij.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur nga Qeveria e Kosovës, Prenk Gjetaj, tha në ceremoninë e rivarrimit se për gjetjen dhe identifikimin e këtyre personave është bërë një punë e madha nga autoritetet vendore të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare.

“Këta martirë sot qëndrojnë para nesh, sepse e deshën lirinë, lirinë e kemi. Këta e deshën shtetin, shtetin e kemi. Këta deshën t’i mbrojë dikush, i mbron ushtria jonë, e cila sot iu bëri nder pranë arkivoleve”, tha Gjetaj.

Kurse, nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, deklaroi se me këto mbetje mortore që janë gjetur në Rashkë, Serbia është munduar t’i fshehë krimet e bëra ndaj popullit shqiptar.

“Edhe një herë u dëshmua se qeveria serbe, përveç krimit dhe vrasjeve u mundua në forma të ndryshme të fshehë atë duke i dërguar trupat e pajetë në humnera dhe në pjesë të ndryshme të Serbisë”.

“Gjashtëmbëdhjetëvjet më parë pikërisht më 5 prill, Rrezalla heroike përjetoi shfrenimin çnjerëzor të forcave paramilitare serbe. Masakra e Rrezallës është dëshmia më e fortë se deri në çfarë shkalle kanë shkuar operacionet gjenocidale dhe shfarosëse të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë. Krimet monstruoze të bëra në Kosovë dhe Drenicë po zbulohen dhe do të zbulohen çdo ditë”, tha Nura.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë ditës bëri homazhe pranë mbetjeve mortore të 28 viktimave të identifikuara, në fshatin Rrezallë të Skënderajt, por nuk qëndroi në ceremoninë e rivarrimit.

Varreza masive në Rudnicë ishte zbuluar në dhjetor të vitit 2013, ndërsa ekipet mjeko-ligjore dyshojnë se në këtë varrezë janë rreth 250 trupa të varrosur të shqiptarëve.

Drejtues të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur nga Qeveria e Kosovës, kanë deklaruar se në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, si komision, po përballen me një bashkëpunim jo të duhur me institucionet përgjegjëse të Serbisë.

Familjarët e personave të pagjetur thonë se asnjëherë nuk do të ndalen deri se të gjendet edhe personi i fundi i pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Në nivel të Kosovës, konsiderohet se ende mbesin të pagjetur edhe 1,653 persona.

XS
SM
MD
LG