Ndërlidhjet

Gashi: Edhe LDK ka nevojë për mendim të ri


Arben Gashi
Arben Gashi

"Çdo parti politike, përfshirë edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka nevojë për gjenerata të reja, për mendim të ri dhe shpresë të re", ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deputeti i LDK-së, Arben Gashi.

Radio Evropa e Lirë: Lidhja Demokratike e Kosovës ka hyrë në procesin e brendshëm zgjedhor. Cilat janë pritjet e juaja dhe a mendoni se do të ketë rifreskime në kreun e partisë?

Arben Gashi: Ju e thatë që LDK ka hyrë në procesin zgjedhor dhe unë mund të them se deri më tani procesi po shkon pa problem. Shpresoj të vazhdojë kështu. Duket se në nëndegë, ka një angazhim të mirë që njerëzit të përfshihen në proces zgjedhor dhe çka do të ndodhë mbetet të shihet.

Radio Evropa e Lirë: Sa konsideroni se ka nevojë LDK-ja për një frymë të re?

Arben Gashi: Në çdo parti ka nevojë për gjenerata të reja, për mendim të ri, për shpresë të re dhe në këtë kuadër, mendoj se edhe LDK-ja ka nevojë që të pajiset me këto elemente që janë të domosdoshme për të pasur një politikë moderne dhe për të qenë konkurrente në tregun politik në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Në zgjedhjet e kaluara në LDK, u pa një garë mjaft interesante për kreun e saj, ndërmjet ish kryetarit Fatmir Sejdiu dhe atij aktual Isa Mustafa. Prisni që një garë e tillë interesante të ndodhë edhe në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor?

Arben Gashi: Nuk mund të paragjykoj se çfarë do të ndodhë në Kuvendin e ardhshëm, sepse ju e dini që sipas statutit të LDK-së, kandidatët për kryetar të partisë duhet të çertifikohen, të vërtetohen, konfirmohen në Kuvendin e Përgjithshëm dhe është Kuvendi ai që e zgjedh kryetarin e partisë.

Koha për të zgjedhë kryetarin dhe për t’u kandiduar zyrtarisht për ta udhëhequr LDK-në do të vijë më vonë, sepse tani jemi në fazën e nëndegëve dhe ende nuk kemi mbërri në fazën e degëve. Do të përfundojë lidershipi lokal i degëve dhe pastaj do të shkohet në fazën tjetër që është zgjedhja e lidershipit, konfirmimi i këtij aktual ose zgjedhja e një lidershipi të ri si në Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë e partisë e po ashtu duhet të zgjidhet edhe kryetari.

Radio Evropa e Lirë: Kemi parë disa deputetë të LDK-së të cilët dallojnë me qëndrimet e tyre karshi politikave të qeverisë aktuale, që drejtohet nga lideri i LDK-së. Sa mund të pritet që të ketë ndonjë fraksion përbrenda Grupit Parlamentar të LDK-së?

Arben Gashi: Mendoj që mendimi ndryshe është i mirëseardhur për LDK-në dhe shpresoj që LDK-ja është aq e pjekur sa të arrijë ta menaxhojë këtë situatë ku njerëzit që mendojnë ndryshe të jenë të përfshirë sa edhe të tjerët. Mendoj që mendimi ndryshe është pozitiv, sikurse që deklarimi ndryshe është pozitiv, për shëndetin e demokracisë në Kosovë, por edhe shëndetin e demokracisë së brendshme të LDK-së.

Radio Evropa e Lirë: Këtë vit pritet të procedohen amandamente kushtetuese për t’i hapur rrugën themelimit të Gjykatës së veçantë për krimet e supozuara të luftës. Sa mund të jenë këto amandamente ndarëse apo unifikuese për LDK-në?

Arben Gashi: Mendoj që kjo është çështje shumë sensitive. Sa i përket Gjykatës Speciale, mendimi i përgjithshëm qëndron se ne duhet të përkrahim një Gjykatë Speciale, të veçantë e cila do të bëj gjykimin e veprave të pretenduara për krime lufte dhe t’i hiqet kjo barrë nga qafa Kosovës. Në realitetin e krijuar, vendor e ndërkombëtar, e vetmja formë për ta hequr këtë barrë është që një Gjykatë e Kosovës e ndihmuar dhe drejtuar nga ndërkombëtarët, mund ta bëjë këtë proces.

Prandaj, mendoj që parimisht jemi për, por ka elemente të cilat duhet të merren me kujdes, siç është ligji për gjykatën dhe disa elemente të cilat po tentohet të futen aty. Këtu mendoj në afatin që do të ketë gjykata edhe si funksionim, por edhe afatin e mbulueshmërisë në kohë për veprat të cilat kanë ndodhur. Po ashtu, këtu duhet përmendur edhe koston financiare për personat që do të akuzohen.

Mendoj se ekziston një vlerësim i përgjithshëm se Kosova nuk mund të marrë përsipër që të paguajë shpenzimet e personave të cilët mund të akuzohen nga kjo gjykatë, sepse kjo do të ishte marrje direkte apo indirekte e përgjegjësisë për veprat që i kanë bërë individët.

Strategjia e institucioneve të Kosovës dhe vendeve mike është se edhe nëse kanë ndodhur këto krime të pretenduara, ato janë individuale dhe nuk janë krime institucionale e shtetërore të Kosovës. Andaj, nëse Kosova merr përsipër shpenzimet për t’i paguar avokatët për këta individë, atëherë rrezikojmë shumë që Kosova të marrë pjesë të përgjegjësisë.

Kjo mendoj se do ta dëmtonte Kosovën. Prandaj besoj që ka dyshime të caktuara, por në përgjithësi mendoj se duhet ta përkrahim këtë gjykatë dhe ta mbyllim këtë kapitull për Kosovën, në mënyrë që të mos jenë më çështje diskutimi për Kosovën krimet e pretenduara të luftës të cilat janë monstruoze.

Unë shpresoj që këta njerëz të dalin të pafajshëm para drejtësisë dhe të vërtetohet se lufta në Kosovë ka qenë luftë e pastër, por edhe nëse dalin të fajshëm do të jenë individë të cilët kanë bërë veprime kriminale pa autorizime të popullit të Kosovës dhe ata do të marrin përgjegjësinë për veprimet e veta.

Radio Evropa e Lirë: Sa mund të jenë objekt shqyrtimi i kësaj gjykate rastet e pandriçuara të vrasjeve të pasluftës, të cilat potencohen nga disa deputetë të LDK-së?

Arben Gashi: Ka pasur kërkesa që edhe këto të jenë objekt i shqyrtimit, por nuk ekziston një vullnet që këto të jenë objekt i kësaj gjykate. Ajo se çfarë do të ndodhë deri në fund nuk e di. Janë dy elemente që do të merren në konsideratë.

E para është raporti i Dick Martyt dhe e dyta është afati kohor deri në fund të vitit 2000. Kurse shumica e këtyre krimeve (vrasjeve të pandriçuara të pasluftës), kanë ndodhur nga viti 2000 deri në vitin 2005 apo 2006, kështu që kam frikë që këto krime shumë vështirë do të zbulohen ndonjëherë dhe kjo është një e keqe shumë e madhe, e cila rëndon mbi institucionet e Kosovës dhe mbi moralin politik dhe publik të Kosovës.

XS
SM
MD
LG