Ndërlidhjet

UNDP: Qytetarët e pakënaqur me punën e institucioneve


Qytetarët e Republikës së Kosovës, tregojnë një rënie të përgjithshme të kënaqshmërisë me punën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në Kosovë.

Në rezultatet e anketës "Pulsi Publik", të publikuar të mërkurën nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), thuhet se një prej shpjegimeve të mundshme për pakënaqësinë e lartë me in­stitucionet në nëntor të vitit 2014, ishte ngërçi politik i cili zgjati më shumë se tetë muaj.

Vetëm 21 për qind e kosovarëve janë të kënaqur me institucionet kyçe të Kosovës, kra­hasuar me 46 për qind në prill të vitit 2014.

Rreth 18 për qind e respodentëve, kanë deklaruar se janë të kënaqur me punën e Institucioneve qendrore.

Sa i përket institucioneve legjislative, vetëm 19 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Kuvendit të Kosovës, ndërkaq 20 për qind janë të kënaqur me performancën e kryetarit të Kuvendit.

Niveli i kënaqshmërisë gjithashtu ka pësuar rënie edhe me punën e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga .

Sa i përket valës se fundit të migrimit të qytetarëve nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian, për gjashtë muajt e fundit, më shumë se gjysma (50.5%) e respondentëve të anketës kanë pohuar se së paku një i afërm i tyre apo mik është lar­guar nga Kosova, ndërkaq 49.5% kanë raportuar se së paku një anëtar i familjes së ngushtë ka migruar gjatë kësaj periudhe ko­hore.

Shumica dërrmuese e respondentëve beso­jnë që arsyet kryesore për migrim nga Koso­va gjatë gjashtë muajve të fundit, lidhen me kushtet e varfërisë socio-ekonomike. Dyzet e pesë për qind besojnë se papunësia është arsyeja kryesore, 29% kanë zgjedhur varfërinë si arsye.

Por, si problem kryesor në këtë anketë, qytetarët shprehin drejtimin aktual ekonomik, ku rreth 79 për qind e qytetarëve mendojnë se problemet më të mëdha me të cilat përballet sot Kosova, lidhen me gjendjen socio-ekonomike të tyre. Papunësia dhe varfëria paraqitet si problem kryesor.

Korrupsioni ndërkaq mbetet një nga tri problemet më të rëndësishme për kosovarët.

Një numër i madh i respondentëve, mendojnë që korrupsioni i shkallës së lartë është i përhapur në shumë institucione shëndetësore, Korporatën Energjetike të Kosovës, Gjykata, Doganat, administratë, institucionet qendrore dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Kurse, 25 për qind e qytetarëve besojnë se kor­rupsioni në shkallë të lartë është i pranishëm në Policinë e Kosovës dhe Institucionet Ndërkom­bëtare.

Rezultatet e "Pulsit Publik", janë bazuar në mostër të anketës me 1,306 qytetarë të Kosovës, mbi moshën 18 vjeçare dhe ka përfshirë të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës duke mbuluar zonat rurale dhe urbane. Mostra ka përfshirë 896 shqiptar, 210 serbë dhe 200 pjesëtar të pakicave jo serbe.

XS
SM
MD
LG