Ndërlidhjet

Pritet verifikimi i dorëheqjeve në Maqedoni


Kabineti i Qeverisë së Maqedonisë, para dorëheqjeve
Kabineti i Qeverisë së Maqedonisë, para dorëheqjeve

Kuvendi i Maqedonisë për në orën 13 ka caktuar seancën për votimin e ministrave të rinj, pas dorëheqjeve të ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovksës dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.

Ata në këto poste do të zëvendësohen nga Mitko Çavkov, aktualisht drejtor i Byrosë për Siguri Publike, dhe Vllado Misajllovski.

Jankullovska, Janakievski dhe drejtori i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov, kushëri i kryeministrit, Nikolla Gruevski, kanë paraqitur dorëheqjen e tyre të martën në mbrëmje, dorëheqje të cilat vijnë pas aksionit policor në Kumanovë dhe aferës së përgjimeve, ku edhe ishin personat më të apostrofuar nga ana e opozitës, për siç thuhet “përfshirje në veprimtari kriminale“.

Jankullovska dhe Janakievski në arsyetimet e dorëheqjeve të tyre nuk kanë përmendur aksionin policor në Kumanovë që përfundoi me 22 të vrarë, por kryesisht atë që njihet si aferë e përgjimeve.

“Në këto ditë të vështira, kur Maqedonia ndodhet në krizë të thellë politike, vlerësoj se është koha të tërhiqem, me bindjen se dorëheqja ime nga funksioni, ministre e Punëve të Brendshme, do të kontribuojë në kapërcimin e saj“, thotë Jankulovska në arsyetimin me shkrim drejtuar kryeministrit, Nikolla Gruevski.

“Duke parë gjendjen politike në Maqedoni dhe të gjitha akuzat që bëhen ndaj meje me biseda të montuara telefonike, ku nuk janë kursyer as anëtarët e familjes sime, dhe me qëllim që të mos ndikojë ndaj çfarëdo qoftë procesi, paraqes dorëheqje të parevokueshme nga posti i ministrit të Transportit dhe Lidhjeve. Vlerësoj se me këtë dorëheqje do të kontribuoj për stabilizimin e gjendjes politike dhe vazhdimin e rrugës drejt integrimit të vendit në NATO dhe BE“, thuhet në arsyetimin e dorëheqjes së Mile Janakievski.

Por, dorëheqjet e Jankullovskës dhe Janakievski janë të pamjaftueshme për liderin e opozitës, Zoran Zaev për zgjidhjen e krizës politike dhe të sigurisë.

Ai kërkon dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski,

“Ajo çfarë folëm deri tani, u vërtetua. Kjo është dëshmi jo vetëm për përgjimet, por edhe për autenticitetin e tyre. Kjo është dëshmi për përmbajtjen e bisedave të cilat vërtetojnë të gjithë shkeljet ligjore si dhe krimet e Nikolla Gruevskit dhe rrethit të tij të ngushtë në qeveri. Dorëheqjet e Jankullovskës, Janakievskit e Mijallkovit nuk janë qëllimi ynë final. Ky është vetëm hapi fillestar drejt fundit të Nikolla Gruevskit“, ka shkruar Zaev në rrjetin social Facebook.

Dorëheqjet e dy zyrtarëve më me ndikim në qeverinë e kryeministrit, Gruevski pasojnë takimet që ky i fundit kishte me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Shkup, të cilët drejtuan kritika të ashpra në adresë të qeverisë.

Ambasadori amerikan Jess Baily në emër të të gjithë diplomatëve perëndimorë, ka dënuar ashpër dhunën në Kumanovë, duke bërë njëkohësisht thirrje për përmbajtje, durim dhe qetësi gjatë tubimeve qytetare.

Diplomati amerikan nuk la pa përendur as “mos përkushtimin e qeverisë për zbardhjen e aferës së përgjimeve“, gjë që sipas tij do të ndikojë në rrugën drejt integrimit euroatlantik.

Diplomatët perëndimorë kishin takuar edhe liderin e LSDM-së Zoran Zaev, dhe atë të BDI-së, Ali Ahmeti.

Të parit i dhanë mbështetje për protestat, por kërkuan kthimin e partisë së tij në Kuvend, ndërsa nga BDI-ja kërkuan angazhim për hetimin e kriminalitetit të përfaqësuesve qeveritarë, që u zbardhën nga publikimi i bisedave të përgjuara.

XS
SM
MD
LG