Ndërlidhjet

Kuvendi në Maqedoni "bekon" ndryshimet në qeveri


Nikolla Gruevski gjatë seancës së 13 majit
Nikolla Gruevski gjatë seancës së 13 majit

Kuvendi i Maqedonisë, me 74 vota për dhe 4 kundër, miratoi emërimin e ministrave të ri, Mitko Çavkov i cili do të udhëheqë me dikasterin e policisë dhe zëvendëson Gordana Jankullovskan, si dhe Vllado Misajllovskin, për ministër të Transportit dhe Lidhjeve, i cili do të zëvendësojë Mile Janakievskin.

Paraprakisht kryeministri Nikolla Gruevski sot në Kuvendin e Maqedonisë në fjalimin e tij para deputetëve, duke folur për ish ministren Jankullovska dhe shefin e policisë sekrete Sasho Mijallkov, tha se bëhet fjalë për persona që kanë shkatërruar grupet kriminale në Maqedoni.

“Ministria e Punëve të Brendshme u bë ankth dhe tmerr për të gjitha grupet kriminale. Veprimi i tyre në këtë drejtim bëri që këta ministra të jenë “halë në sy” për çdo kriminel, pavarësisht nëse bëhet fjalë për shërbime të brendshme të kolonës së pestë ose shërbime të huaja”, tha Gruevski.

Dorëheqjet pasuan aksionin policor në Kumanovë, që përfundoi me një epilog tragjik, me 22 të vrarë, dhjetëra të plagosur dhe shumë prona të shkatërruara.

Në arsyetimet e dorëheqjeve të ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, të ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski dhe drejtorit të drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim, Sasho Mijallkov, si shkas për dorëheqjet nuk përmendet Kumanova, por ajo që njihet si aferë e përgjimeve dhe akuzat e opozitës për veprimtari kriminale.

“Në këto ditë të vështira, kur Maqedonia ndodhet në krizë të thellë politike, vlerësoj se është koha të tërhiqem, me bindjen se dorëheqja ime nga funksioni, ministre e punëve të brendshme do të kontribuojë në kapërcimin e saj“, thotë Jankulovska në arsyetimin me shkrim drejtuar kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Tre zyrtarët e dorëhequr ishin më të apostrofuarit në bisedat e publikuara nga kreu i opozitës, Zoran Zaev, për të cilin, dorëheqjet e Jankullovskës, Janakievskit dhe Mijallkovit janë të pamjaftueshme.

Për zgjidhjen e krizës politike dhe të sigurisë, Zaev kërkon dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski.

“Ajo çfarë folëm deri tani, u vërtetua. Kjo është dëshmi për vërtetësinë e bisedave dhe të gjithë shkeljeve ligjore si dhe krimeve të Nikolla Gruevskit dhe rrethit të tij të ngushtë në qeveri. Dorëheqjet e Jankullovskës, Janakievskit e Mijallkovit, nuk janë qëllimi ynë final. Ky është vetëm hapi fillestar drejt fundit të Nikolla Gruevskit“, ka shkruar Zaev në rrjetin social Facebook.

“Mendoj se bëhet fjalë për reagim në panik pasi është më se e qartë se Gruevski nuk ka hapësirë veprimi për të vazhduar qeverisjen me vendin. Është komike të shihet se si urdhërdhënësi i të gjitha aferave tani dorëzon bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë që të ruaj kokën e tij. Nuk kam asnjë dilemë se Nikolla Gruevski një orë e më parë duhet të ikë nëse vërtetë i'a mendon të mirën Maqedonisë“, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Tito Petkovski, një nga liderët e frontit opozitar.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se kryeministri, Nikolla Gruevski është i pafuqishëm t'i bëjë ballë rezistencës e cila nga dita në ditë po rritet.

“Mendoj se është fillimi i dorëheqjeve, presioni do të vazhdoj deri në dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski. Askush nuk dëshiron të punoj me të, presionet janë të fuqishme si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Sa i përket dialogut politike, mendoj se ai duhet të përfundojë me dorëheqjen e qeverisë. Kjo do të ishte ajo që më së shumti ka nevojë vendi".

"Duhet të formohet një qeveri kalimtare nga personalitete të pastra për të mundësuar organizmin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike“, thotë për Radion Evropën e Lirë, Mirjana Malevska, njohësve e çështjeve politike dhe ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Mersel Bilalli, analist dhe profesor në Universitetin Fon thotë se dorëheqje e dy zyrtarëve është parapërgatitje e Gruevskit për të dorëzuar pushtetin.

“Mendoj se kjo është një parapërgatitje për dorëheqjen e përgjithshme të qeverisë, pra kjo është një përgatitje e opinionit për atë që pritet në ditët në vijim, para së gjithash përgatitje e VMRO-DPMNE-së për atë se qeveria do të shkojë".

"Rikonstruktimi i sotëm apo kohëzgjatja e kësaj qeverie do të jetë më e shkurtër se ajo e Republikës së Krushëves në kohës e Perandorisë Osmane, që nuk ka zgjatur më shumë se dhjetë ditë“, thotë Bilalli për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se rol kyç në zmbrapsjen e Gruevksit kishin presionet e fuqishme nga diplomatët perendimor.

Në fakt, dorëheqjet e dy zyrtarëve më me ndikim në qeverinë e kryeministrit Gruevski pasojnë takimet që ai dhe liderët e LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti kishin me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, në Shkup, të cilët drejtuan kritika të ashpra në adresë të qeverisë.

Ambasadori amerikan Jess Baily, është përqendruar në veçanti në “mospërkushtimin e qeverisë për zbardhjen e aferës së përgjimeve“.

Në këto takime, kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, i është dhanë mbështetje për protestat, por gjithashtu është kërkuar kthimi i partisë së tij në Kuvend, ndërsa nga BDI-ja kërkuan angazhim për hetimin e kriminalitetit të përfaqësuesve qeveritar, që u zbardhën nga publikimi i bisedave të përgjuara.

Nga partia e Ali Ahmetit, kanë përgënjeshtruar informacionet se dorëheqjeve të zyrtarëve të partisë së Gruevksit mund t'i bashkëngjiten edhe kuadro të BDI-së.

XS
SM
MD
LG