Ndërlidhjet

Amandamenti për themelimin e Gjykatës Speciale pret votimin në Kuvend


Komisioni për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës ka proceduar tutje amendamentin për ndryshime kushtetuese të propozuar nga Qeveria me të cilin i hapet rruga themelimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Procedimi i këtij amandamenti për në kryesinë e Kuvendit të Kosovës, prej nga do të caktohet për shqyrtim në një prej seancave të Kuvendit, është përcjellë me debate të ashpra në Komisionin për Legjislacion ndërmjet deputetëve nga partitë në pushtet dhe atyre të në opozitë.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu ka përsëritur qëndrimin e saj dhe të subjektit politik që përfaqëson, Lëvizjes Vetëvendosje, kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Andaj, ajo ka kërkuar që Kuvendit t'i procedohet edhe rekomandimi i Komisionit kundër votimit të amandamentit kushtetues rreth themelimit të kësaj Gjykate.

"Në këtë amandament, specifikohet qartë se fushëveprimi i kësaj gjykate ka të bëj me pretendimet e raportit të Dick Martyt. Sipas këtij raporti, UÇK-ja ka kryer krime, trafikim organesh dhe shkon aq larg sa thuhet se ka pasur dyshime edhe për tentim gjenocidi ndaj serbëve në Kosovë", ka deklaruar Haxhiu.

Edhe deputeti tjetër opozitar, Fatmir Limaj, njëherësh kryetar i partisë Nisma, ka thënë se kjo gjykatë paraqet shkelje të sovranitetit të Kosovës dhe se krijimi i saj do të jetë një shenjë e cila do të mbahet mend nga kjo legjislaturë.

"Është momenti kur ne të gjithë kemi me qenë në Kuvend në luftë mes ndërgjegjes sonë, dinjitetit tonë dhe kompromiseve. Kuvendi i Kosovës ka një sprovë përpara - a është një kuvend kukull apo një kuvend i dinjitetshëm, sepse pa na shtyrë e detyruar askush ne duhet të ngritim dorën në seancë mes asaj, ta kufizojmë sovranitetin e shtetit tonë apo ta refuzojmë një propozim me të cilin kërkohet kufizimi i sovranitetit të shtetit tonë", ka thënë Limaj.

Kundër themelimit të Gjykatës Speciale pë Krime Lufte ishte edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi.

Megjithatë, propozimi i deputetes Albulena Haxhiu që Komisioni t'i rekomandojë Kuvendit të mos e votoj këtë amandament, mori vetëm tri vota të deputetëve opozitar, pasi që gjashtë anëtar të Komisionit, deputetë nga radhët e partive në pushtet dhe atyre të pakicave, votuan kundër.

Kështu që, Komisioni i procedoi Kuvendit vetëm amandamentin e qeverisë pa rekomandimin shtesë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë me këtë rast se janë deputetët e Kuvendit të Kosovës ata që do të vendosin se si do të procedohet tutje miratimi i këtij amandamenti me të cilin, sipas tij, në fakt vetëm do të zbatohej marrëveshja ndërkombëtare që institucionet e Kosovës kanë arritur vitin e kaluar me Bashkimin Evropian për themelimin e kësaj Gjykate.

"Ju vetëm duhet të procedoni sot dhe Komisioni të shkarkohet nga ajo ngarkesë se çfarë rekomandimi duhet të jap apo mos të jap. Ne nuk jemi kompetent dhe këtë e tregon Kushtetuta e po ashtu edhe rregullorja e punës së Kuvendit, sidomos pasi që kemi të bëjmë me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga ajo që është votuar në legjislaturën e kaluar", ka theksuar Zemaj.

Themelimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte, pasoi raportin e senatorit zviceran Dick Marty të prezantuar në Këshillin e Evropës mbi supozimet e tij për trafikim të organeve të disa civilëve serbë nga disa ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mbi bazën e këtyre pretendimeve, një Task Forcë e veçantë e udhëhequr nga prokurori amerikan Clint Williamson kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Tani i mbetet Kuvendit të Kosovës që me shumicën e dyfishtë prej dy të tratave të votave të deputetëve, përfshirë edhe ata të komuniteteve pakicë të miratojë ndryshimet kushtetuese për themelimin e kësaj Gjykate.

E në rast të dështimit, përfaqësues ndërkombëtarë i kanë paralajmëruar tashmë autoritetet në Prishtinë se këtë çështje do ta merrte përsipër Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG