Ndërlidhjet

Qytetarët, gati 2 miliardë euro kredi


Ilustrim
Ilustrim

Shumica e qytetarëve në Kosovë që kanë nevojë për mjete financiare, qoftë për investime në patundshmëri, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë madje edhe për pushime, iu drejtohen bankave komerciale për kredi.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, vlera e kredisë në 10 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ka arritur në mbi 1.9 miliard euro.

Ekspertë për çështje financiare, ndërkaq thonë se vlera e rritur e kredive në sistemin bankar, tregon më së miri se në tregun e Kosovës mungojnë paratë e gatshme, pagat janë të vogla dhe nuk sigurojnë kursime për çfarëdo lloji investimi.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi, thotë se një ndër arsyet që është rritur vlera e kredive, është se bankat kanë lehtësuar procedurat për marrjen e kredive, por edhe rritja e pagave viteve të fundit në sektorin publik, ka reflektuar në kredimarrje.

Instituti GAP në vazhdimësi bën publikime të raporteve nëpër bankat komerciale në vend, të quajtur “Bankometri".

“Individët tani edhe për problemet ad- hoc që u dalin përpara dhe paratë nuk i kanë të gatshme, u drejtohen bankave për financimin e shpenzimeve, siç janë investimet shtëpiake, blerje e kështu me radhë”, thotë Demi.

Edhe udhëheqësi i Institutit për Banka dhe Financa, Flamur Keqa, tregon se vetë shifra prej afër dy miliard eurosh tregon rritjen e kreditimit nga sistemi bankar.

Por, ai thotë se numri i kredimarrësve është rritur pikërisht tek kreditë familjare apo kreditë konsumuese, e jo te kreditë për biznes.

Rritja vjetore e kredive për ekonomitë familjare është rritur për 10.8 për qind, kurse kreditë për ndërmarrje janë rritur për 2.9 për qind.

“Kjo, në një mënyrë, reflekton se fuqia blerëse e konsumatorit kosovar me pagat që ata i fitojnë me punën e tyre të përditshme, nuk mjaftojnë për të krijuar një jetë më të mirë. Kështu që ata janë të obliguar t’u drejtohen bankave komerciale për të marrë fonde shtesë për plotësimin e nevojave të tyre”, vlerëson Keqa.

Por, ajo që mbetet shqetësuese, sipas Agron Demit, është se nuk është rriturnumri i qytetarëve që kanë marrë kredi, por është rritur vetëm vlera e kredive.

Kjo sipas tij, nënkupton që disa nga klientët që kanë marrë kredi, qoftë individuale apo për biznese, në pamundësi kthimin e kredisë, kanë hyrë në kredi të reja për t’i mbuluar kreditë e vjetra.

“Kjo është shqetësuese pasi ajo çka janë duke bërë qytetarët dhe bizneset e vogla, në pamundësi për të kthyer komplet kredinë që e kanë marrë, marrin kredi tjetër për të mbuluar një pjesë të kredisë së vjetër dhe më pas të kenë mjete shtesë buxhetore. Kjo mund të sjellë një krizë, edhe pse sistemi bankar në Kosovë është treguar mjaft i qëndrueshëm në krahasim me vendet tjera”, shpjegon Demi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, norma e interesit në kredi si për ndërmarrje, po ashtu edhe për ekonomitë familjare arrin në 8.9 për qind. Këto kamata bankat komerciale i kanë ulur viteve të fundit, por, sipas ekspertëve, pavarësisht uljes, ky nivel i kamatave ende mbetet i lartë.

XS
SM
MD
LG