Ndërlidhjet

Patundshmëria, sektori më atraktiv për investitorët


Republika e Kosovës konsiderohet se ka resurse të mjaftueshme dhe të lëverdishme për investitorët e huaj të cilët dëshirojnë që kapitalin e tyre ta shfrytëzojnë në Kosovë.

Por, sipas të dhënave zyrtare, patundshmëria, qiradhënia dhe aktivitete tjera biznesore, vlerësohen sektorët me vlerën më të madhe të investimeve gjatë muajve të parë të këtij viti.

Në një përgjigjje përmes postës elektronike, për Radion Evropa e Lirë, Besian Mustafa drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se 28.7 milion euro është vlera e investimeve të huaja në sektorin e patundshmërisë, qiradhënies dhe aktiviteteve tjera biznesore pasuar nga shërbimet financiare më 14.1 milion euro.

Ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se investimet e huaja janë të nevojshme në çdo sektor, por investimet në sektorin e patundshmërisë vetëm fillimisht gjenerojnë vende pune kurse jo profit në të ardhmen.

Flamur Keqa, ekspert për çështje ekonomike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se në aspektin e rritjes ekonomike investimet në patundshmëri mund të kenë efekte indirekte dhe jo direkte.

Ndërsa, investimet në shërbimet financiare kanë treguar leverdi materiale për investuesit e huaj, sipas tij.

“Sektorët që realisht kanë pasur përfitime ku investitorët e huaj kanë investuar më lehtë dhe me një rrezik më të vogël ka qenë sistemi financiar. Po ashtu, po shihet se edhe në patundshmëri ka pasur investime të mëdha".

"Në mënyrë tradicionale ka pasur kthime të jashtëzakonshme, do të thotë është një nga sektorët më profitabil në ekonominë kosovare që nga përfundimi i luftës.Kjo siç duket ka ngritur apetitet e investitorëve që të investojnë edhe në sektorin e patundshmërive”, ka thënë Keqa

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë Naim Gashi, thotë se investimet në projektet e patundshmërisë nuk sjellin përfitime afatgjate.

"Një nga shkaktarët kryesor që po investohet në patundshmëri dhe në ndërtimin e objekteve të banimit, është mungesa e ideve për të investuar në sektorët të cilët me të vërtet gjenerojnë fitim për kompanitë e jashtme, por gjenerojnë edhe zhvillim më afatgjatë në nivel nacional”, shprehet Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, ekspertët konsiderojnë se Kosova ka sektorë të mjaftueshëm të cilët sjellin përfitime edhe për investuesin, por edhe për ekonominë e përgjithshme.

Duke treguar sektorët potencial, Flamur Keqa thotë se në këta sektor vlera e investimeve është më e lartë, kurse fitimet më të ngadalshme.

"Në Kosovë do të ishin sektorë tjerë, siç është sektori i prodhimit dhe minierave. Por, në këta sektorë ku do të kishte fitime ekonomia e Kosovës, janë sektorë që kanë kosto më të lartë, njëherësh rrezik më të madh".

"Kështu investitorët duke vlerësuar gjendjen dhe rrethanat ekonomike në Kosovë, natyrisht që iu kanë drejtuar sektorëve ku investimet kapitale, janë më të vogla, rreziku më i vogël dhe normalisht kthimi në kapital mund të jetë edhe më i madh, por mund të realizohet në një afat më të shkurtë".

Kurse, Gashi tregon pasuritë tjera të Kosovës që mund të sigurojnë zhvillim të përgjithshëm ekonomik, por edhe përfitime financiare për investitorët ndërkombëtar.

“Kosova si potencial ka sektorin e energjisë dhe të minierave, kurse sa i përket investimeve të vogla Kosova është një vend atraktiv dhe me shumë potencial në sektorin e bujqësisë dhe industrisë përpunuese ushqimore, në sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërsa në ndërmarrje shërbyese është sektori i turizmit rural".

"Do të thotë, këta janë sektorë që me investime shumë të vogla gjenerojnë një shkallë të lartë të punësimit mirëpo gjenerojnë fitim për kompanitë të cilat investojnë në këtë sektor", ka thënë Gashi.

Ndryshe, investimet e huaja direkte në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, kanë shënuar rënie të mëdha. Derisa në vitin 2007 vlera e investimeve të huaja ishte rreth 450 milionë euro, në vitin 2014 kjo shifër është jo më shumë se rreth 150 milionë euro.

Por, sipas të dhënave të fundit të KIESA-s për periudhën janar-shkurt të vitit 2015, investimet e huaja direkte në Kosovë janë 52.3 milion euro, që në krahasim më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka pasur një ngritje prej 56.6 për qind, pasi investimet kanë qenë 33.4 milion euro.

XS
SM
MD
LG