Ndërlidhjet

Jep dorëheqje Sepp Blatter


Sepp Blatter
Sepp Blatter

Sepp Blatter ka thënë se jep dorëheqje nga posti i presidentit të Federatës Botërore të Futbollit – FIFA.

Gjatë njoftimit për largimin e tij, Blatter, 79 vjeç, ka kërkuar që të mblidhet kongresi i FIFA-s “sa më parë që të jetë e mundur”, për të zgjedhur presidenin e ri.

Blatter është rizgjedhur javën e kaluar, edhe pse shtatë zyrtarë të lartë të FIFA-s ishin arrestuar dy ditë para zgjedhjeve, nën akuzat për korrupsion të ngritura nga Shtetet e Bashkuara.

“Mandati im nuk duket se mbështetet nga secili”, ka thënë Blatter.

Kongresi i jashtëzakonshëm i FIFA-s pritet të mbahet midis dhjetorit 2015 dhe marsit 2016.

FIFA është tronditur javën e kaluar nga arrestimet që lidhen me akuzat për shantazh, mashtrim dhe shpëlarje parash.

Prokurorët zviceranë, në anën tjetër, kanë hapur po ashtu hetime për mitmarrje dhe shpëlarje parash, që lidhen me ofertat për organizimin e Kupës së Botës më 2018 në Rusi dhe më 2022 në Katar.

“Jam shumë i lidhur me FIFA-n dhe interesat e saj. Këta interesa janë të dashur për mua, andaj e marr këtë vendim”, ka thënë Blatter.

“Ajo që ka rëndësi për mua është instituti i FIFA-s dhe futbolli në gjithë botën. Unë e vlerësoj dhe e dua FIFA-n më shumë se çdo gjë tjetër”, ka shtuar ai.

Presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Michel Platini, i cili shihet si favorit për të zëvendësuar Blatterin, ka reaguar ndaj lajmit për dorëheqje.

“Ka qenë vendim i vështirë, vendim i guximshëm, vendim i drejtë”, ka thënë Platini.

Kritike e zëshme ndaj Blatterit ka qenë edhe Federata Angleze e Futbollit.

“Është një lajm i madh për futbollin. Do të duhej të ndodhte vite më parë. Duhet të ketë hetime rrënjësore në FIFA dhe çdo gjë të bëhet transparente në të ardhmen”, ka thënë për BBC-në kryetari i Federatës Angleze të Futbollit, Greg Dyke.

Akuzat e fundit për korrupsion në FIFA përfshijnë raportet se sekretari i përgjithshëm i Federatës, Jerome Valcke, ka qenë përgjegjës për pagesën e një ryshfeti prej 10 milionë dollarësh.

Zyrtarët amerikanë të zbatimit të ligjit besojnë se Valcke i ka transferuar paratë në vitin 2008 në llogaritë bankare të Jack Warner, ish-zyrtar i lartë i FIFA-s, i cili tani përballet me akuzat për korrupsion në SHBA.

Hetuesit besojnë se paratë janë paguar për ryshfet, me kusht që Warner dhe të tjerët t’i jepnin votën Afrikës së Jugut, si nikoqire e Kupës së Botës më 2010. (v.tela)

XS
SM
MD
LG