Ndërlidhjet

Kuvendi të miratojë apo “gabojë” dy herë për Specialen


Vetëm një javë pasi që ishte rrëzuar amandamenti kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, institucionet e Kosovës ndodhen para sfidës së rikthimit të këtij amandamenti për miratim në Kuvend.

Mesazhet e kancelares gjermane Angela Merkel, të kongresistit amerikan Eliot Engel dhe të drejtorit të Zyrës për çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Thomas Yazdgerdi janë se Kosova duhet ta themelojë këtë gjykatë.

Abstenimi, mungesa dhe votimi kundër i 13 deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, besohet se ishin shkaktarët kryesor të rrëzimit të amandamentit për Gjykatën Speciale.

Përderisa opozita, ishte dhe mbetet kundër themelimit të saj.

Gjatë një vizite që po i bën Kosovës, zyrtari nga Departamenti i Shtetit, Thomas Yazdgerdi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera me votimin kundër themelimit të Gjykatës Speciale të premten e kaluar.

“Ne shpresojmë që qeveria e Kosovës, veçanërisht koalicioni qeverisës, do të rikthej kërkesën për ta themeluar gjykatën në Kuvend, në mënyrë që qeveria të angazhohet për të themeluar atë”, ka deklaruar ai.

Tashmë, Qeveria është zotuar se do ta kthej amendamentin në Kuvend për votim të sërishëm. Por, aktualisht PDK-ja, si faktori kyç në këtë proces mbetet në heshtje.

Një veprim të tillë, analistët politik e shohin vetëm si një taktizim politik të kësaj partie dhe besojnë se në fund, Kuvendi me votën e shumicës së deputetëve të PDK-së do t’i arrijë dy të tretat e votave për të miratuar amandamentin kushtetues.

Analisti Imer Mushkolaj, pret që partitë politike dhe institucionet t’i lënë anash kalkulimet politike dhe të votojnë në interes të vendit.

“Për ne, absolutisht është e panevojshme që të bëhet kjo lojë politike ose partiake për interesa të kujt do qoftë. Thjeshtë është një lojë që po e shohin të gjithë, por edhe ata e dinë se nuk do të kenë zgjidhje tjetër pos që në fund ta votojnë Gjykatën Speciale”, ka thënë Mushkolaj.

Në përgjithësi, tek opinionistët mbizotëron bindja se në fund, Kuvendi i Kosovës bashkë me qeverinë do të gjejnë një zgjidhje dhe do ta formojnë këtë gjykatë, e cila po potencohet si kërkesë e veçantë e faktorit ndërkombëtar.

Në këtë vijë, analisti Artan Muhaxhiri thotë se Kosova nuk duhet të përsëris më episodin e 26 qershorit, i cili, sipas tij, mund t’i kushtojë shtrenjtë në arenën ndërkombëtare.

“Ishte neglizhencë e liderëve kosovar dhe episod i pakëndshëm në raportet mes Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar. Shteti i Kosovës nuk e ka luksin që ta përsëris atë gabim të së premtes i cili do t’i kushtojë shumë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Muhaxhiri.

Themelimi i Gjykatës Speciale me seli jashtë Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtar, pason raportin e Këshillit të Evropës ku ishin ngritur pretendime se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime lufte gjatë periudhës së viteve 1998 – 2000.

Për këto pretendime, një task-forcë ndërkombëtare kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Mirëpo kjo gjykatë nuk po mund të themelohet për shkak se opozita dhe sidomos disa deputetë të PDK-së në pushtet, nuk po e votojnë atë duke e konsideruar se ajo do të shihej si një gjykatë që gjykon luftën e UÇK-së.

XS
SM
MD
LG