Ndërlidhjet

Çmimi i rrymës dhe falja e borxheve tensionojnë Kuvendin


Përplasjet dhe polemikat ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, tashmë janë bërë të zakonshme.

Seanca plenare e së premtes, mori rrjedhë tjetër në momentin kur Kuvendi votoi rekomandimet e Komisionit për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione rreth peticionit të mbi 30 mijë qytetarëve kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë.

Peticioni i qytetarëve, ishte riformuluar nga Komisioni dhe u miratua me shumicë votash.

Por, ky votim, nga opozita u konsiderua si i jashtëligjshëm. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se Kuvendi bëri shkelje ligjore, pasi që u injoruan kërkesat e qytetarëve duke u miratuar rekomandime sipas dëshirës së Komisionit përkatës.

“Unë ju drejtohem atyre 35 mijë qytetarëve që ajo që sapo ndodhi në Kuvendin e Kosovës është me të vërtetë skandaloze. Si ka të drejtë Komisioni përkatës t’i ndryshojë dhe shtrembërojë kërkesat e 35 mijë qytetarëve që kanë ardhur përmes peticionit të nënshkruar dhe këtu në Kuvend të votohet krejt diçka tjetër”, ka thënë Konjufca.

Pas fjalimit të deputetit Konjufca, kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se nuk do të lejojë që deputetët të dalin jashtë rendit të ditës me fjalimet e tyre.

Mirëpo, folësja e radhës, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi u ndërlidh pikërisht me çështjen e peticionit kundër shtrenjtimit të çmimit të rrymës. Aty filloi përplasja mes deputetes Kadaj Bujupi dhe kryesuesit Xhavit Haliti.

“Në qoftë se ju nuk e respektoni vullnetin e 33 mijë qytetarëve dhe procedoni jashtëligjshëm...”, ka thënë Kadaj Bujupi, kur është dëgjuar kryesuesi Haliti me urdhëresën - “ndërprejani fjalën, regjia”.

Kryesuesi Xhavit Haliti arsyetoi veprimin e tij të ndërprerjes së fjalës së deputetes Donika Kadaj Bujupi, duke thënë se nuk do të lejojë anarki në Kuvend.

“Kuvendi nuk është anarki dhe nuk mund të diskutoni sa herë të doni. Ne e kemi diskutuar këtë çështje në Kuvend dhe nëse keni pakënaqësi procedoni sërish sipas rregullave”, ka thënë Haliti.

Deputetët e tri partive opozitare më pas kanë lëshuar sallën, ndërkaq përfaqësuesit e tyre kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë kumtuar se do të riprocedojnë për miratim në Kuvend, peticionin e mbi 30 mijë qytetarëve kundër shtrenjtimit të rrymës.

Ndryshe, Kuvendi ka miratuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2015, si dhe projektligjin për faljen e borxheve publike.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se me këtë ligj falen borxhet për qytetarët dhe bizneset që përfshijnë periudhën deri më datën 31 dhjetor 2008.

“Sipas këtij ligji do të falen të gjitha ligjet që kanë obligim për pagesë në emër të obligimeve tatimore, doganore dhe tatimi në pronë, si dhe të gjitha obligimet tjera financiare ndaj ndërmarrjeve publike që ofrojnë shërbime publike deri më datën 31 dhjetor 2008. Përveç faljes së tërësishme të borxhit, do të përfitojnë edhe faljen e gjobave, ndëshkimeve, interesat dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mospagesa me kohë e kryegjësë së borxhit për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014”, ka thënë Hoti.

Borxhi i përgjithshëm të cilin Qeveria e Kosovës ua ka falur qytetarëve dhe bizneseve,kap shifrën prej mbi 680 milionë euro.

Ky veprim, nuk është pëlqyer nga opozita e cila ka thënë se me këtë masë janë shpërblyer qytetarët dhe bizneset që nuk kanë respektuar pagesat dhe borxhet, duke shmangur tatimet dhe mos paguar për shërbimet publike, kurse janë dënuar të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm të cilët i kanë shlyer vet dhe me kohë këto borxhe.

XS
SM
MD
LG