Ndërlidhjet

Mustafa premton investime në sektorin energjetik


 Isa Mustafa
Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka shpalosur të arriturat e Qeverisë në fushën e ekonomisë, energjisë dhe minierave.

Ai ka premtuar që së shpejti do të përfundojë procesi për zgjedhjen e kompanisë fituese për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” si dhe ka treguar për punën që po zhvillohet për krijimin e një tregu të përbashkët energjetik Kosovë - Shqipëri.

Këto të arritura, kryeministri i Kosovës i ka prezantuar në një konferencë për media ku i pranishëm ka qenë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

“Në sektorin e energjisë ne do të vazhdojmë të punojmë në ndërtimin e termocentralit 'Kosova e Re' me kapacitet prej 600 megavat. Pritet që së shpejti të finalizohet procesi negociues dhe të vendoset për procesin e mëtutjeshëm”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Në garë për ndërtimin e këtij projekti është investitori i vetëm potencial “Contour Global” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërtimi i këtij termocentrali, sipas zyrtarëve qeveritarë, do të sigurojë furnizim me energji elektrike, do të eliminojë reduktimet dhe zvogëlojë importin e energjisë.

Njëherësh, siç është thënë,do të mundësojë mbylljen apo dekomensionimin ose ri ndërtimin e kapaciteteve të termocentralit “Kosova A”.

Për këtë termocentral, ekzekutivi është zotuar se deri në fund të vitit 2017 do të mbyllet së funksionuari.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se janë në negociata me kompaninë e para-kualifikuar dhe kanë arritur pajtueshmëri verbale, sa i përket çmimit dhe furnizimit të qëndrueshëm më energji elektrike.

“Ne kemi objektiva dhe dy më kryesoret janë ajo e sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm më energji elektrike. Dhe e dyta, ndoshta edhe më e rëndësishme, e përballueshmërisë së çmimeve të energjisë elektrike. Dhe kjo lidhet më ofertën financiare sepse ne duam që të kemi një projekt i cili plotëson të dyja këto objektiva po thuajse në mënyrë të barabartë”, ka thënë ministri Stavileci.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ndërkaq ka treguar edhe për punën që është duke u zhvilluar në linjën einterkoneksionit prej 400 kilovatësh ne mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndërtimi i kësaj linje do t'i mundësojë Kosovës dhe Shqipërisë, të shkëmbejnë më mirë energjinë elektrike të prodhuar në dy shtetet, por edhe atë të importuar.

“Presim që deri në vitin 2016 të përfundojnë dhe të aktivizohet kjo linjë, me çka krijohen kushte të veçanta që të kemi këmbim të energjisë elektrike më Shqipërinë në sezon të ndryshme,ku ne mund kemi mungesë të energjisë elektrike ose kemi tepricë”, tha kryeministri Mustafa.

Ky projekt ka filluar në vitin 2013 pas nënshkrimit të një protokolli bashkëpunimi qeveritar në mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku energjetika ishte vlerësuar si fusha me potencial për investime të përbashkëta.

Gjatësia e kësaj linje është 241.5 kilometra, 90 km është nga pjesa e Kosovës ndërsa gjatësia nga Shqipëria është 151.5 kilometra.

Ndryshe, për derisa zyrtarë të qeverisë flasin për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, rajone të ndryshme në Kosovë ballafaqohen më mungesë të këtij produkti për shkak, siç thuhet në njoftimet e Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) "ndërprerje të planifikuara për mirëmbajtjen e rrjetit".

XS
SM
MD
LG