Ndërlidhjet

Rritet numri i veturave të importuara


Ilustrim
Ilustrim

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimeve për importin e veturave, pavarësisht vjetërsisë, dhe uljes së akcizës për import, që ka hyrë në fuqi në mars të këtij viti, ka sjellë efekte pozitive në mbushjen e buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të të hyrave të përgjithshme buxhetore, për periudhën janar – gusht, që sipas Ministrisë së Financave, kanë shënuar rritje për 8.2 për qind, rezulton se rritje të theksuar në të hyra ka shënuar edhe importi i veturave.

Edhe të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se në periudhën janar- gusht të këtij viti, ka rritje të importit të numrit të veturave të reja dhe të përdorura.

Vlera e këtyre automjeteve ka arritur në mbi 6. 6 milionë euro.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë kësaj periudhe, numri i vetura të reja që kanë hyrë në tregun e Kosovës është 779, kurse atyre të përdorura 11. 547.

“Nëse i krahasojmë dy periudhat e njëjta janar – gusht 2014 dhe 2015, vitin e kaluar import të veturave të reja kemi pasur 606, ndërkaq gjatë kësaj periudhe kemi 779 vetura të reja.Këto automjete vitin e kaluar, kanë paguar taksë doganore dhe akcizë në vlerë totale prej 2.2 milionë euro. Kurse, në vitin e 2015 kjo vlerë është rritur në mbi 3 milionë euro”, thotë Stavileci për Radion Evropa e Lirë.

Por, në numër dhe vlerë më të madhe financiare gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, në tregun e Kosovës kanë hyrë veturat e përdorura.

Adriatik Stavileci tregon më shumë hollësi:

“Veturat e vjetra importohen më shumë në Kosovë. Dhe, nëse krahasojmë periudhat janar- gusht 2014 dhe 2015, atëherë vërejmë se vitin e kaluar kemi pasur afër 10 mijë vetura të vjetra, kurse gjatë këtij viti kemi pasur mbi 11 mijë vetura të importuara”.

“Do të thotë se edhe taksat edhe sasia ka shënuar rritje. Sasia është rritur për 1600 copë, vlera e këtyre automjeteve është rritur për 22 për qind dhe taksat kanë shënuar rritje për 3. 6 milionë euro”.

Pavarësisht rritjes së të hyrave të buxhetit, ekspertë për çështje të ambientit më herët, për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se, lejimi i veturave të vjetra në tregun e Kosovës, e ndot mjedisin.

Zeqir Veselaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, pati thënë se dëmet nga heqja e këtyre kufizimeve për vetura janë më të mëdha se sa përftimet:

“Dëmet që shkaktohen nga një vendim i tillë do të jenë shumë më të mëdha se sa zgjidhja afatshkurtër e nevojave të qytetarëve për vetura. Është e vërtetuar shkencërisht se çdo makinë sa më e vjetër që është, aspektet e përpunimit të derivateve i ka më të mëdha dhe mundësinë e përpunimit e ka më të dobët, që nënkupton lirimin e më shumë ndotësve në ambient”.

Ndryshe, deri në mars të këtij viti, ka qenë i ndaluarimporti i veturave më të vjetra se 13 vjet.

Por, sipas vendimit të ri, përveç heqjes se kufizimeve për vjetërsinë, veturat duhet t’i përmbushin kërkesat mjedisore për emetim të gazrave, sipas kërkesave të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG