Ndërlidhjet

Lëvdatat dhe kritikat në raportin pushtet - opozitë


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Koalicioni qeverisës i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës vazhdimisht po paraqet të arritura në aspektin ekonomik, përderisa partitë opozitare konsiderojnë se partitë në pushtet po zhdukin potencialin për zhvillim ekonomik duke thelluar në këtë mënyrë gjendjen sociale të qytetarëve.

Lidhur me këtë, ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se sukseset nuk janë ashtu siç i paraqet qeveria, por edhe kritikat e opozitës në disa raste janë të pa baza.

Partitë në pushtet tashmë sa herë kanë përsëritur qëndrimin se zhvillimi i vendit është me prioritet mbi prioritete.

Ata kanë përmendur miratimin e disa ligjeve të cilat sipas tyre ndikojnë në përmirësimin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe rritjen e vendeve të reja të punës.

Por, Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, konsideron se koalicioni qeverisës, më shumë ka fjalë dhe mburrje për punën e tyre, se sa rezultate konkrete të cilat prekin qytetarin dhe standardin e tyre.

“Është herët të thuhet se a kanë arritur qëllimin apo jo, sepse qeveria më shumë është përballur me probleme politike, me përplasje të brendshme, se sa ka pasur kohë të merret më çështje ekonomike”.

“Realisht është afat i shkurtër që të presim rezultat konkret. Është një pikë shprese pakoja e re fiskale e cila do të reflektojë te ambienti biznesor”, tha për Radion Evropa e Lirë Ibrahim Rexhepi.

Edhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Sadiku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se çështjet politike po dominojnë në agjendën e qeverisë dhe parametrat ekonomik nuk tregojnë për një përmirësim ekonomik.

Ai ndërkaq shton se progresi në Kosovë matet me uljen e papunësisë. Kurse, kjo sipas tij, në Kosovë nuk po ndodh.

“Ne nuk po shohim shenja, nuk kemi statistika që tregojnë se Kosova është duke rritur punësimin, respektivisht duke zvogëluar papunësinë dhe varfërinë. Derisa qeveria nuk e dëshmon se është duke krijuar parakushte për të rritur punësimin, atëherë ne nuk mund të nxjerrim ndonjë përfundim se në Kosovë ka zgjedhur një drejtim të duhur, ka zgjedhur një kurs ekonomike që t’i adresojë të gjitha problemet”.

Ndryshe, në një deklaratë të përbashkët të subjekteve opozitare, të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, ku është folur për qeverisjen aktuale, në aspektin ekonomik është thënë se politikat qeveritare po zhdukin potencialin për zhvillim ekonomik, industrial dhe rritjen e punësimit.

Ibrahim Rexhepi, thotë se opozita në disa raste ka fakte dhe të drejtë, por në disa raste kritikon pa ndonjë bazë.

“Në disa raste opozita kritikon edhe pa ndonjë arsye të veçantë, por vetëm nga ajo se gjithsesi duhet të kundërshtohet qeveria. Mirëpo nuk do të thotë se krejtësisht është pa ide. Ka qenë kritike edhe në çështjet konkrete, siç është rasti i kombinatit “Trepça” , investimeve, shpenzimeve tëbuxhetit, problemet e energjetikës”.

“Ajo ka disa versione. Por, pasi qeveria e ka marrë mandatin për të udhëhequr këtë vend, në fund ajo duhet të jap llogari, për të arriturat dhe dështimet”, ka thënë Rexhepi.

Kurse, Muhamet Sadiku, thotë se partitë në opozitë me të drejtë kërkojnë rezultate, por që as këto subjekte nuk paraqesin ndonjë platformë konkrete.

“Nuk kemi ndonjë platformë të qëndrueshme që u ofrohet qytetarëve të Kosovës për të rritur besimin se opozita do të mund të ndryshonte Kosovën. Por, Kosova mund të ndryshohet vetëm me demokraci, me një qasje të re të zhvillimit dhe me një partneritet ndërkombëtar”, tha Sadiku.

Pavarësisht akuzave dhe kundërakuzave pushtet – opozitë, rritja ekonomike në Kosovë vitin e kaluar ka qenë më pak se një për qind, shkalla e papunësisë po ashtu në vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, ka qenë 35.3 për qind.

Kurse, shkalla e varfërisë së përgjithshme është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme 10.2 për qind.

XS
SM
MD
LG