Ndërlidhjet

Shporta mujore kushton 115 euro


Ilustrim
Ilustrim

Shporta mujore e një qytetari në Kosovë llogaritet të jetë 115 euro, shumë kjo që nuk siguron një standard të mirë jetësor për qytetarët.

Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, për vitin 2014konsumi për kokë banori ishte 1386 euro, kurse konsumi për ekonomitë familjare ka qenë 7,611 euro

Madhësia mesatare e ekonomive familjare në Kosovë sillet nga 5.9 persona.

Sipas Agjencisë se Statistikave të Kosovës, burim i rëndësishëm i të ardhurave të ekonomive familjare janë pagat nga sektori publik me 22 për qind.

Paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është 429 euro, derisa sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike dhe disa qytetarë theksojnë se shuma e vlerës së shpenzuar për konsum është e pamjaftueshme.

Arbër Gecaj, punon si ekonomist në një kompani private në Prishtinë.

Ai tregon se me pagën 350 euro në muaj, kujdeset për të gjitha shpenzimet e familjes së tij 5 anëtarëshe. Arbëri shprehet se pagat janë të pamjaftueshme për nevojat elementare për një familje.

“Pagat janë shumë të ulëta, pasi çmimet janë shumë të larta. Vetëm unë punoj në familje dhe kjo është e papërballueshme”, thekson Gecaj

Vlera e shportës se konsumatorit nuk i përmbush aspak nevojat themelore të qytetarëve të Kosovës, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Selatin Kaçaniku, udhëheqës i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se çmimet e produkteve në tregun e Kosovës janë pothuajse të njëjta më çmimet e mallrave në tregjet evropiane, ku pagat e tyre janë shumëfish më të larta.

“Shumica e artikujve i kanë çmimet po ato që janë për qytetarin – konsumatorin e Bashkimit Evropian, ku paga mesatare është rreth 2500 euro. Të krahasohen çmimet apo pagesat me këtë nivel të mirëqenies sociale është një diçka që nuk bëhet. Është iluzion të bëhen kësi lloji krahasimesh”, tha Kaçaniku .

Shporta e varfër e konsumatorit po ndikon në shëndetin e qytetarëve, thotë Kaçaniku, duke shtuar se nevojitet përpjekje urgjente për rritjen e vlerës së shportës së konsumatorit.

“Si ia del konsumatori, taksapaguesi me 115 euro? Është jashtëzakonisht e çuditshme, por kjo paguhet me shëndet. Kjo pagesë me shëndet, duhet të jetë shumë brengosëse për qeverinë e Kosovës“.

“Nëse ne e kursejmë këtë shportë duhet të dimë se refleksionet më vonë do të jenë me rikuperime, më rimburësime të ndryshme në shëndetin dhe shëndetësinë e përgjithshme të Kosovës”, tha Kaçaniku.

Ndërkaq, Bruto Produkti Vendor (BPV) për kokë banori, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 2935 euro .

XS
SM
MD
LG