Ndërlidhjet

Dështojnë bisedimet për marrëveshjen politike


Komisioneri Johannes Hahn
Komisioneri Johannes Hahn

Kanë dështuar bisedimet mes partive politike në Maqedoni, për zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike.

Pas bisedimeve maratonë që kanë përfunduar në orët e para të mëngjesit të së martës, palët nuk kanë arritur marrëveshje për formën e ligjin për ndalimin e publikimit të materialeve nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, dhe me këtë janë bllokuar edhe pikat tjera të marrëveshjes për të cilat partitë kishin afruar qëndrimet.

"Ishte ditë e keqe, shpresoj që nesër të jetë ditë më e mirë. Ende është gjithçka e mundur. Jam i dëshpëruar, por ka gjasa të respektohet marrëveshja. Është e qartë se nuk po kuptohet serioziteti i situatës. Duhet lidership për normalizimin e situatës dhe ruajtjen e perspektivës evropiane të vendit”, ka deklaruar komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili ka ndërmjetësuar bisedimet mes katër liderëve partiak, atij të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, LSDM-së, Zoran Zaev, BDI-së, Ali Ahmeti dhe të PDSH-së, Menduh Thaçi.

Lideri i opozitës maqedonase, ka deklaruar se propozimi i partive në pushtet është i papranueshëm që për aferën e përgjimeve të dënohen mediat në rast se publikojnë bisedat e përgjuara.

Nga opozita thonë se një propozim i tillë flet qartë për frikën që e ka kapluar pushtetin për përmbajtjen e këtyre bisedave.

“Dikush më tepër është i brengosur për “bombat” se sa për të ardhmen e Maqedonisë. Nuk mund të pajtohemi të dënohen mediat dhe redaktorët e mediave me ligje që nuk janë askund në botë dhe në kundërshtim me vlerat evropiane. Është jologjike që të shpenzohen 8 orë për ligjin e “bombave” në vend se të zbatohet ajo që është miratuar më 2 qershor dhe 15 korrik. Ngelin edhe 20 orë për zbatimin e Marrëveshjes”, ka deklaruar Zoran Zaev.

Kryeministri, Nikolla Gruevski nuk është prononcuar pas takimit, por nga partia e tij thanë se bisedimet nuk janë ndërprerë, por se tani ato do të zhvillohen në kuadër të grupeve të punës.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti shprehu keqardhje për dështimin e bisedimeve, por pavarësisht kësaj, ai tha se beson në përfundimin e tyre me sukses meqë sipas tij komuniteti ndërkombëtar është i interesuar për zgjidhjen e krizës politike.

"Mendoj se nga të gjitha këto bisedime të gjata ka gjëra që janë afruar, por ka edhe disa dallime të vogla. Do vazhdojnë grupet e punës për t'i përmbyllur të gjitha dallimet që ekzistojnë. Sigurisht që ka dallime në lidhje me kompetencat, Ligjin për qeverinë, ministrat... Sigurisht se është duke u biseduar se si do të afrohen dallimet. Komuniteti ndërkombëtar është i interesuar dhe është mjaft aktiv në përmbylljen e këtij problemi", deklaroi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Dështimi i marrëveshjes së ashtuquajtur për “bombat” dhe për qeverinë apo zgjedhjen e dy ministrave nga radhët e LSDM-së, Ministrit për Punë të Brendshme dhe Ministrit për Punë dhe Politikë Sociale, ka dështuar edhe miratimin e kodit zgjedhor dhe kompletimin e ekipit të prokurores speciale, Katica Janeva që duhet të nis me hetimin e aferës së përgjimeve.

XS
SM
MD
LG