Ndërlidhjet

Pushteti dhe opozita mbrojnë sjelljet e veta në Kuvend


Kuvendi i Kosovës, 23 tetor 2015
Kuvendi i Kosovës, 23 tetor 2015

Seanca e së premtes e Kuvendit të Kosovës, cila përfundoi në orët e para të ditës së shtune, e përcjellë me tensione, forca të policisë në sallë, gaz lotsjellës, fyerje e gjuajtje të shisheve me ujë, vazhdon të komentohet në mënyra të ndryshme nga përfaqësues të partive në pushtet dhe opozitës.

Përderisa partitë në pushtet e shohin legjitime si praninë e forcave policore në Kuvend, ashtu edhe përdorimin e sallës alternative për mbajtjen e seancës, opozita i sheh si legjitime veprimet e saj për të penguar seancën përmes hedhjes së gazit lotsjellës dhe shisheve të ujit, në drejtim të kryetarit të Kuvendit dhe kabinetit qeveritar.

Indiferente ndaj këtyre zhvillimeve nuk ka qëndruar as presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për zhvillimet në Kuvend dhe jashtë tij.

"Skenat dhe veprimet e dhunshme në Kuvend janë të dënueshme dhe të papranueshme, mjetet e përdorura plotësisht në kundërshtim me parimet bazike të një rendi demokratik dhe një demokracie parlamentare", thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

Ajo u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës të heqin dorë nga dhuna.

Edhe Qeveria e Kosovës, është mbledhur të shtunën, ku ndër tjera ka shqyrtuar gjendjen e sigurisë në vend.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përgëzuar institucionet e rendit si edhe organet drejtuese të Kuvendit dhe deputetët e partive në pushtet, për sjelljen e tyre gjatë seancës së fundit.

"Dua ta vlerësoj sjelljen e kulturuar të deputetëve të pozitës, sepse e kanë pasur vështirë të punojnë në një ambient të tillë të rrezikshëm edhe për jetën e tyre", ka thënë Mustafa.

Ai ka përgëzuar edhe punën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili, sipas Mustafës, e gjeti mënyrën që në harmoni me Rregulloren dhe Ligjin të vazhdojë punën e Kuvendit.

"Me këtë është dëshmuar se Kuvendi mund të funksionojë, koalicioni është stabil, kurse ne si Qeveri do të vazhdojmë bashkëpunimin", ka theksuar Mustafa.

Ai i ka bërë thirrje edhe opozitës që të kthehet dhe të vazhdojë punën, duke respektuar ligjet dhe Rregulloren e punës së Kuvendit.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër, ka rikujtuar se partitë e koalicionit përbëjnë mbi 80 deputetë dhe kjo shifër, sipas tij, tregon se bëhet fjalë për legjitimitet të plotë të punës së Kuvendit.

"Pamjet në Kuvend të krijuara nga opozita nuk përkojnë me realitetin, standardet demokratike, vlerat, por as me traditën tonë", ka thënë Thaçi.

Pas seancës dramatike, kanë reaguar edhe partitë opozitare. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vlerësuar se ngjarjet e fundit në Kuvend dëshmojnë se në Kosovë është përmbysur edhe jeta parlamentare edhe sistemi demokratik. Andaj, ai u ka kërkuar dorëheqje si kryeministrit Mustafa, ashtu edhe zëvendësit të tij, Thaçi.

"Meqë nuk po shohim shenja të reflektimit, as të përgjegjësisë politike, të dyshes Mustafa-Thaçi, meqë deri me sot janë penguar të gjitha nismat për t’u dhënë zgjidhje këtyre temave, dhe meqë është provokuar kaq rëndë opozita edhe opinioni me ‘maskaradën’ e djeshme në Kuvend, ne do të vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto marrëveshje deri në tërheqje, ose dorëheqje të qeverisë", është shprehur Haradinaj.

Sipas Haradinajt, gjendja është e papranueshme dhe këtë e vërteton edhe fakti që në seancën e fundit në sallën e Kuvendit më shumë kishte policë se sa deputetë.

Kurse, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se gjatë ditës së premte, ishte opozita, ajo e cila ka dëshmuar vendosmëri që të mos lejojë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, apo siç e ka quajtur ai, "Zajdenicës".

Ymeri ka rikonfirmuar se opozita mbetet unike në veprimet e saj për të protestuar dhe kundërshtuar marrëveshjet e fundit të Qeverisë së Kosovës me Serbinë deri në anulimin e tyre.

Gjendjen e krijuar në Kuvend e ka analizuar të shtunën edhe Kryesia e këtij institucioni. Aty është thënë se vendimi për futjen e policisë në sallën e Kuvendit ishte konform Rregullores së punës, sikurse edhe zhvendosja e mbledhjes në një sallë alternative.

Raportet ndërmjet pozitës dhe opozitës janë tensionuar shumë që nga 25 gushti, kur kryeministri Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës arritën marrëveshjen me Beogradin për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Opozita insiston që këto dy marrëveshje të anulohen dhe si masë proteste ka bllokuar për më gjatë se një muaj Kuvendin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG