Ndërlidhjet

Tiranë: Arrestime për mashtrim me barna


Ilustrim (©Shutterstock)
Ilustrim (©Shutterstock)

Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ndalimin e disa shtetasve, përfshirë zyrtarë të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Rajonal, Tiranë, farmacistë, administratorë farmacish dhe grosistë të ilaçeve, të dyshuar se janë përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi me rimbursimin e ilaçeve.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, nga hetimi rezulton se në krye të kësaj skeme, të evidentuar së fundmi, qëndron shtetasi Nadir Çausholli, administrator i depos farmaceutike “Omega Pharma”.

Objekt i hetimit fillimisht ka qenë rimbursimi i çmimeve të medikamenteve mjekësore, për sa i përket recetave të ekzekutuara në katër subjekte farmaceutike, të cilët janë: Farmacia Lunder, Nutrimed 2012, Berzhite, dhe Adelina.

Nga hetimi, sipas Prokurorisë, ka rezultuar se disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive.

Nga kontrollimi i hyrjeve të këtyre farmacive vihet re se një pjesë e madhe e furnizimeve ose thuajse të gjitha furnizimet janë bërë nga depoja “Omega Pharma Group”.

Prokuroria bën të ditur zyrtarisht se ekziston dyshimi se depoja “Omega Pharma Group” ka krijuar fatura tatimore fiktive.

Ky subjekt ka furnizuar farmacitë me fatura shitjeje fiktive, pa pasur blerje. Më pas, farmacitë kanë ekzekutuar receta fiktive dhe i kanë kërkuar Fondit rimbursim për këto receta.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyetuar në prova se personi nën hetim, Nadir Çausholli, ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” në bashkëpunim dhe atë të “Mashtrimit” në bashkëpunim.

Po ashtu, nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka rezultuar se disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive të marra nga “Omega Pharma” dhe më pas i kanë paraqitur këto receta në Fondin e Kujdesit Shëndetësor, me qëllim rimbursimi.

Për këto veprime të kundërligjshme, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhra ndalimi edhe për katër shtetas të tjerë.

Duke iu referuar ligjit në fuqi, farmacitë në Shqipëri rimbursohen vetëm për medikamentet mjekësore, të cilat janë tregtuar nga importuesi/shpërndarësi farmaceutik që ka kontratë me Fondin. Farmacitë, si edhe depot importuese dhe ato shpërndarëse, kanë pasur detyrimin të deklarojnë çdo muaj hyrjet dhe depon, nga e cila kanë blerë medikamentet e evidentuara si hyrje.

Burime të Prokurorisë thonë se kanë prova dhe dyshime të arsyeshme për një skemë të plotë mashtrimi me depo farmaceutike dhe me barna të importuara, ndërkohë që hetimet në lidhje me këtë vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG