Ndërlidhjet

“Droni” frenon ende marrëdhëniet Serbi - Shqipëri


Droni në ndeshjen Shqipëri - Serbi
Droni në ndeshjen Shqipëri - Serbi

Shumica e qytetarëve në Serbi, nuk i shohin marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve si të mira, por si më pak të këqija i shohin marrëdhëniet ndërmjet qeverive të dy vendeve, Serbisë dhe Shqipërisë.

Këto janë gjetjet e hulumtimit të bërë nga Forumi për marrëdhënie ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane në Serbi dhe Fondacioni Friedrich Ebert.

Në anketën e realizuar në nëntor të këtij viti, 60 për qind e të pyeturve kanë treguar gatishmëri për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.

Srgjan Blagojeviq, drejtor i "IPSOS" Marketingu Strategjik (kompani globale për hulumtim), ka thënë se padituria është pengesa më e madhe për marrëdhënie të mira.

“Sikur të kishim ditur më shumë për njëri-tjetrin dhe sikur të kuptonim se çfarë po ngjanë te njëra palë dhe te tjetra, marrëdhëniet do të ishin të shkëlqyera. Kështu, një ‘dron’ (fluturake me teledirigjim) mund të na e bëjë gjithë këtë ngatërresë. Njerëzit besojnë se marrëdhëniet do të përmirësohen, por dominon vlerësimi se në pesë vjetët e ardhshëm nuk mund të pritet kush e di se çka”, theksoi Blagojeviq.

Në anën tjetër, shqiptarët i shohin më me optimizëm marrëdhëniet me Serbinë.

Shumica e pjesëmarrësve në anketën që është bërë në Shqipëri, konsiderojnë se marrëdhëniet me serbinë janë normale. Vetëm një e treta e tyre konsiderojnë se këto marrëdhënie janë të këqija.

Ky hulumtim ka treguar se goditje shumë e madhe për marrëdhëniet serbo - shqiptare ka qenë incidenti në ndeshjen e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, si dhe fakti që në 15 muajt e fundit ka pasur veprime mjaft kontroverse ndërmjet Beogradit dhe Tiranës.

“Para se ‘droni’ i famshëm të fluturonte mbi stadiumin në Beograd, kemi menduar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve po shkojnë në drejtimin e duhur, ngadalë por sigurt. Por, pastaj e pamë që ka diçka të gabueshme në të kuptuarit tonë, se mungon të kuptuarit esencial ndërmjet shoqërive dhe qytetarëve tanë".

"Natyrisht, marrëdhëniet ndërmjet qeverive janë të rëndësishme. Por, procesi për normalizimin e marrëdhënieve varet shumë nga relacioni ndërmjet popullit të thjeshtë”, thotë Albert Rakipi, drejtor ekzekutiv i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare.

Shqiptarët shohin me pozitivizëm në marrëdhëniet e ardhshme, sepse më shumë se gjysma mendojnë se do të bëhet më mirë, ndërkohë që vetëm 3 për qind mendojnë se marrëdhëniet do të përkeqësohen.

Siç ka treguar anketa, banorët e Serbisë, madje 60 për qind e tyre, besojnë se janë më të gatshëm se sa shtetasit e Shqipërisë, për t’i përmirësuar marrëdhëniet .

Srgjan Bogosavljeviq, thotë që arsyen kryesore për marrëdhënie më të mira, qytetarët e shohin në pozicionin ndërkombëtarë të Serbisë dhe sigurinë në Ballkan.

“Pengesat kryesore për marrëdhënie më të mira të Serbisë dhe Shqipërisë, siç kanë potencuar qytetarët në anketë, janë jotoleranca historike, marrëdhëniet aktuale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe mungesa afatgjate e komunikimit të Beogradit dhe Tiranës".

"Kjo e treta, mbase është një nga vlerësimet më precize për ngecjen. Por, ‘droni’ në Beograd është një ngjarje shuam bizare, e cila ka ndikuar shumë më tepër se që ka kuptim”, tha Bogosavljeviq.

Hulumtimi ka treguar se edhe shqiptarët nuk konsiderojnë që Serbia është kërcënimi më i madh për sigurinë e tyre kombëtare, por që kjo është Greqia.

Është vërejtur edhe një shkallë e lartë e mos informimit, sepse madje një e treta e qytetarëve shqiptarë konsiderojnë se Serbia dhe Shqipëria kanë luftuar ndërmjet tyre.

Jelena Miniq nga Lëvizja Evropiane, ka vlerësuar se orientimet kah marrëdhëniet më të mira, janë të qarta dhe se u mbetet elitave politike që t’i respektojnë.

“Rrugëtimi, në të cilin dëshirojmë të shkojmë, nuk është i komplikuar, ndonëse nuk do të jetë gjithmonë i lehtë. Ne do të përpiqemi që ta bartim këtë porosi te ata që sjellin vendime, e cila shkon përkundër paragjykimeve, aktivitetit të pamjaftueshëm në sferën e politikës dhe rrjedhave shpesh të pafavorshme historike”, tha Miniq.

Si shenjë që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve megjithatë po shkojnë kah e mira, pjesëmarrësit në projekt e kanë cekur vendosjen e Qendrës për marrëdhëniet serbo-shqiptare.

Në veçanti, ata kanë cekur rëndësinë e projektit të përbashkët të vendeve të rajonit, siç është autostrada Nish- Prishtinë- Durrës, e cila do të duhej ta përmirësonte infrastrukturën në Ballkanin Perëndimor.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG