Ndërlidhjet

Kerry: Nuk mbështesim asnjë marrëveshje që rrezikon sovranitetin e Kosovës


Kerry viziton Prishtinën
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00

Kerry viziton Prishtinën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar shumë në Kosovë dhe nuk do të mbështesin asnjë marrëveshje që cenon sovranitetin dhe pavarësinë e saj, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Këto komente, Kerry i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, të mbajtur në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

I shoqëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, sekretari Kerry është takuar me kryeministrin Mustafa dhe dy zëvendëskryeministrat, Hashim Thaçi e Branimir Stojanoviq.

Tema diskutimesh është thënë se kanë qenë lufta kundër terrorizmit, reformat demokratike, zhvillimi ekonomik dhe investimet në sistemin energjetik të Kosovës, si dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbinë, të cilat zhvillohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Me këtë rast, John Kerry ka pasur një mesazh mjaft të qartë për forcat politike që kundërshtojnë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, duke thënë se do të jenë vetë Shtetet e Bashkuara që nuk do të mbështesin ndonjë marrëveshje të dëmshme për Kosovën.

“Mos u gaboni. Nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që do të rrezikonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Kemi investuar shumë së bashku që të lejojmë që e ardhmja e Kosovës të vihet në rrezik”, ka thënë Kerry.

Më pas, ai ka adresuar një mesazh edhe në lidhje me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se dhuna dhe mjetet e dhunshme janë tërësisht të papranueshme.

"Parlamenti nuk është vend për dhunë, nuk është vend për gaz lotsjellës dhe kërcënim. Të gjitha partitë politike duhet të heqin dorë nga dhuna në jetën publike dhe të tregojnë përkushtim për debat konstruktiv, ta dëgjojnë njëra-tjetrën, pavarësisht dallimeve, dhe të reflektojnë mbi bazat e interesit të vendit", ka deklaruar Sekretari amerikan i Shtetit.

Tutje, zyrtari i lartë amerikan, përveç mbështetjes politike, ka premtuar edhe realizimin e investimeve amerikane në fushën e energjisë në Kosovë.

Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa ka nënvizuar përkushtimin e Kosovës për dialogun me Serbinë mbi normalizimin e marrëdhënieve, por ka vënë në pah faktin se për kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të arritura, fjalën do ta kenë institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar kështu marrëveshjes për ngritjen e Asociacionit për komunat e banuara me shumicë serbe, e cila kundërshtohet ashpër nga forcat politike në opozitë.

"Edhe përkundër veprimeve të dhunshme të opozitës për të kundërshtuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Qeveria e Kosovës është e vendosur të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kurse marrëveshjet mbeten që të argumentohen nga organet e pavarura", ka deklaruar Mustafa.

Objekt i diskutimeve të sekretarit Kerry me krerët e Qeverisë së Kosovës ishte edhe problemi global i luftimit të terrorizmit dhe trajtimi i pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat që po zhvillohen në Siri dhe Irak, duke u rreshtuar përkrah organizatave të njohura ndërkombëtarisht si terroriste.

Me këtë rast, sekretari amerikan është treguar i vendosur që lufta kundër terrorizmit do të fitohet nga bota demokratike.

"Ne do të punojmë së afërmi me Kosovën që të adresojmë kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm, financimi i terrorizmit dhe problemin me luftëtarët që kthehen nga Siria", ka thënë Kerry, duke shtuar se Kosova, megjithatë, ka dhënë "shembull të fuqishëm në rajon në luftën kundër terrorizmit" dhe me aprovimin e legjislacionit të nevojshëm.

Autoritetet në Kosovë thonë se që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar këtyre organizatave është rreth 300, ndërsa aktualisht thuhet se ky numër sillet nga 60 deri në 100 veta. Rreth 50 qytetarë nga Kosova janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

Nga Prishtina, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka udhëtuar për në Beograd, për të marrë pjesë në takimin e Këshillit Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, punimet e të cilit pritet të përqendrohen në luftën në Siri dhe rrezikun nga grupi militant Shteti Islamik.

XS
SM
MD
LG