Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Misteret e pikturave të vjedhura holandeze bëhen çështje në Ukrainë


Rishfaqja e qartë e dhjetëra kryeveprave holandeze dhe objekteve të tjera të vjedhura, e të prezantuara në lindje të Ukrainës së shkatërruar nga lufta, ka bërë që Kievi të përpiqet fuqishëm për t'i gjurmuar dhe gjetur këto artefakte dhe piktura, në mënyrë që t’iu shmanget kritikave nga publiku para votimit vendimtar për marrëdhënie më të thella me Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin, ka bërë me dije gjatë kësaj jave se kanë nisur hetimet në lidhje me zhdukjen e pikturave të shekullit XVII – XVIII, të cilat ishin vjedhur në një galeri holandeze, një dekadë më parë.

Tashmë për to thuhet se janë në rajonin Donbas, vend në të cilin ka pasur luftime ndërmjet forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë.

Klimkin tha se dështimi për kthimin e pikturave është përgjegjësi e “atyre që po përpiqen ta prishin imazhin e Ukrainës”, para referendumit të 6 prillit në Holandë, i cili kërkon pëlqimin e qytetarëve për Marrëveshjen e Asociimit të Ukrainës me Bashkimin Evropian.

Klimkin tha se qeveria holandeze, çështjen e pikturave të zhdukura e ka ngritur edhe gjatë një takimi në Hagë me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, të mbajtur më 26 nëntor.

Votimi holandez është miratimi përfundimtar i nevojshëm për marrëveshjen politike dhe ekonomike, e cila e krijon një zonë të lirë tregtare dhe është mundësi që marrëveshja për udhëtim pa viza për ukrainasit, të hyjë në fuqi.

Edhe pse sondazhi nuk është detyrues, Marrëveshja e Asociimit nuk mund të miratohet formalisht nga Qeveria holandeze para mbajtjes së referendumit. Përgjigja JO në referendum, do të bënte që qeveria ta rishqyrtojë paktin.

Marrëveshja, e cila u kundërshtua nga ish-presidenti ukrainas, Viktor Janukovich, një muaj para se ai të shkarkohej më 2014-n, është miratuar nga 27 anëtarët e tjerë të BE-së, pavarësisht se Rusia ka kërcënuar se do të vendosë sanksione.

“Çerdhja e hajdutëve”

Pikturat holandeze ishin vjedhur në janar të vitit 2005. Hajdutët kishin përdorur një metodë të sofistikuar të vjedhjes në muzeun Westfries në Holandë.

Për 24 pikturat dhe 70 gjësendet e argjendta e të metalta të vjedhura, nuk dinte askush deri në janar të vitit 2014, kur njëra nga pikturat ishte shfaqur në një gazetë online ukrainase.

Shpresat e muzeut holandez ishin zbehur kur policia dhe ekspertë të teknologjisë informative nuk ishin në gjendje të tregonin se kush dhe pse e ka publikuar këtë foto.

Nuk kishte pasur të dhëna të mëtutjeshme deri në korrik të këtij viti kur dy ukrainas e kishin kontaktuar Ambasadën Holandeze në Kiev dhe i kishin njoftuar ata se pikturat janë në një vilë në rajonin Donjeck të kontrolluar nga separatistët pro-rusë.

Zyrtarët e muzeut kanë thënë se dy burrat, të cilët janë paraqitur se e përfaqësojnë Organizatën Ultra-nacionaliste në Ukrainë (OUN), kishin kërkuar 50 milionë euro dhe mospërfshirjen e autoriteteve ukrainase, në këmbim të rikthimit të veprave të vjedhura.

Njëri nga burrat, Borys Humenyuk, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ishte cilësuar si një “hero gjatë takimit me zyrtarët e Ambasadës Holandeze për dhënien e lajmeve në lidhje me pikturat.

Unë iu thashë në rregull. Unë e kam këtë informacion dhe mund të merrem me këtë çështje nëse ju dëshironi”, tregon Humenyuk dhe shtoi:

Ata ishin shumë mirënjohës për këtë informacion dhe më thanë se unë jam një hero për holandezët dhe se kam bërë një vepër të madhe”.

Ai tha se kur është takuar me zyrtarët holandezë, nuk iu ka kërkuar atyre të holla.

Nëse kështu është puna, atëherë unë nuk e di pse ne nuk kemi ardhur që ta arrijmë një marrëveshje”, tha Ad Geerdink, drejtor i muzeut Westfries kur u pyet rreth pretendimeve të Borys Humenyuk, se nuk kishte kërkuar miliona euro.

Ne iu ofruam atyre 50 mijë euro si ‘shumë për ndihmën’ dhe në një shenjë mirënjohjeje, por ne nuk pranojmë t’iu paguajmë atyre para për pikturat tona. Ne kemi filluar bisedimet me shpresë të madhe, por ata kishin ide shumë të fryra në lidhje me vlerën aktuale të pikturave”, tha ai.

Geerdink tha se pikturat, nëse janë në gjendje të mirë, janë vlerësuar nga kompania e njohur e artit holandez “Arthur” në vlerë prej 1.3 milion euro.

Por, bazuar në pikturat që holandezët i kanë parë në foto, ai shtoi se gjendja e tyre është përkeqësuar dhe se ato duhet t’i nënshtrohen procesit të restaurimit.

Geerding shtoi se pala holandeze është njoftuar nga dy anëtarë të OUN-it, se ata e rrezikojnë veten e tyre për marrjen e pikturave nga vila në lindje të Ukrainës.

Humenyuk thotë se është takuar edhe me ekspertët e artit nga kompania Brand, me qëllim të negocimit për kthimin e pikturave dhe kishin rënë dakord që informacionin për vendndodhjen e pikturave ta dërgonin në ambasadë.

Por, kompania Brand i kishte thënë atij që pikturat duhet të kthehen deri më 10 shtator, në të kundërtën ai do të “ndiqej nga Interpoli”.

Humenyuk, i cili pretendon të ketë qenë ish-zëvendëskomandant në OUN, i kishte thënë përkthyesit të kompanisë Brand se “nuk kishte të bënte asgjë me pikturat, përveç që donte ta ndihmonte Holandën”.

Brand tha se Oleh Tyahnybok, udhëheqës i partisë ultra-nacionaliste Svoboda dhe Valentyn Nalyvaychenko, ish-shef i Shërbimit të Sigurisë në Ukrainë, janë të përfshirë në këtë rast dhe e dinë se kush i posedon pikturat.

Raportet për përfshirjen e tij në vjedhjen e pikturave, Nalyvaychenko i ka quajtur “të pakuptimta”.

Zëdhënësja e Tyahnybok, Krystyna Ravlyuk, nëpërmjet rrjetit social Facebook, pretendimet e Brand-it i ka quajtur absolutisht të pavërteta.

Ajo në reagim ka publikuar edhe një fotografi të Oleh Tyahnybokut, në të cilën pas tij gjenden tri piktura, e në njërën nga të gjendet portreti i udhëheqësit të ultra-nacionalistëve Stepan Bandera dhe dy piktura ku janë portretet e dy udhëheqësve të OUN-it, të cilët ishin varur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo ka shkruar se këto tri fotografi, janë të vetmet që i kanë.

Pikturat “e pazëvendësueshme”

Për zyrtarët në qytetin Hoorn, vlera e pikturave të vjedhura, shkon përtej parave.

Kryeveprat e zhdukura, thuajse të gjitha janë të pikturuara gjatë periudhës që është e njohur si Epoka e Artit Holandez, e cila ka prodhuar piktorë si Rembrandt, Vermeer e Van Ruisdael.

Vlera kulturore dhe historike e pikturave të vjedhura është shumë më e rëndësishme se 1.3 milion euro vlerë e përcaktuar”, thotë Marieke van Leeuwen, zëdhënëse e qytetit Hoorn në Holandë.

“Shumica e pikturave janë nga piktorët që kanë prejardhje nga qyteti Hoorn apo West Friesland. Këto piktura janë të pazëvendësueshme”, shton ajo.

Drejtori i muzeut, Greedink, tha se vendimi për ta bërë të madhe çështjen e pikturave kohëve të fundit, është për shkak të shqetësimeve se pikturat do të shiten në tregun ndërkombëtar, ndonëse deri më tani nuk ka pasur të interesuar.

Ai shpreson se fakti që pikturat janë të vjedhura, do t’i mbajë larg blerësit potencialë.

“Fjala përhapet shumë shpejt kur një koleksionist arti dëshiron të blejë 24 pikturat e mjeshtërve të lashtë holandezë”, shprehet Greedink

Van Leeuwen tha ndërkaq se kanë dëgjuar se janë paraqitur blerës të mundshëm nga Kazakistani, Ukraina dhe Gjermania.

“Derisa pikturat janë shitur në një qark të paligjshëm, atëherë edhe mund të shpërndahen në gjithë botën dhe ato do të zhduken përgjithmonë” , tha Greedink, duke inkurajuar autoritetet ukrainase që ta zgjidhin këtë situatë.

Shefja e policisë ukrainase, Khatia Denakoidze, u tha gazetarëve të premten se janë duke pritur një kërkesë nga prokurorët holandezë dhe se i kanë ftuar autoritetet holandeze që të marrin pjesë në përpjekjet për rikthimin e pikturave.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG