Ndërlidhjet

Institucionet e Kosovës reagojnë në adresë të BE-së


Zhgënjim me BE-në dhe qeverinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Zhgënjim me BE-në dhe qeverinë

Mosdhënia e rekomandimit për liberalizimin e vizave në zonën Schengen të Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016, nga ana e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, ka nxitur reagime të zyrtarëve të institucioneve të larta të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se dokumenti i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, nuk është dokumenti përfundimtar në bazë të së cilit vendoset për liberalizimin e vizave.

“Më kanë njoftuar se dokumenti i cili është dhënë dje, nuk është dokument që vlerëson çështjet e liberalizimit të vizave. Është dokument i cili është i lidhur me zgjerimin dhe se vlerësimi lidhur me plotësimin e kushteve për liberalizim, do të jepet në ditët në vijim. Po ashtu i kam shprehur edhe shqetësimet dhe brengosjen tonë lidhur me vonimin e këtij procesi”, ka thënë Mustafa, në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ashpër edhe të mërkurën, duke i quajtur të pakuptimta vonesat e BE-së për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016.

Ai ka theksuar se çdo qytetar i Kosovës, nëse nuk ndodhë rekomandimi këto ditë për liberalizimin e vizave, “me të drejtë duhet të ndjehet jo i zhgënjyer, por i fyer”.

“Me të drejtë, krejt skena politike, qytetarët, shoqëria civile, mediet, mund të protestojnë kësaj radhe para selisë së Zyrës Bashkimit Evropian - dy milionë qytetarë të Kosovës - për padrejtësitë dhe diskriminimin nga Bashkimi Evropian në raport me liberalizimin e vizave”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se kësaj radhe nuk është faji i Kosovës nëse nuk merr rekomandimin për liberalizim të vizave,

“Ne në tërësi, me përgjegjësinë më të lartë e themi, se i kemi implementuar të gjitha kriteret, një nga një”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të shpjegojë pse shtetasit e Kosovës po privohen nga e drejta për të lëvizur pa viza, tash e pesë vjet.

“Është mirë që edhe kolegët tonë evropian ta kenë këtë parasysh. Në qoftë se ka zëra se ka korrupsion, ka krim të organizuar, le të ndëshkohet politika kosovare. Por, mjaft me ndëshkimin e qytetarëve tanë. Le t’ua ndalin vizat politikanëve, prej meje e me radhë. Të gjithë ne i gëzojmë vizat dhe i kemi ato”, ka thënë Veseli.

Këshilli i Bashkimit Evropian ka bërë publike të martën pakon e Zgjerimit dhe të Stabilizim Asociimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, por në pako, Këshilli nuk ka dhënë rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016, rekomandim ky i shumëpritur nga autoritetet e Kosovës.

XS
SM
MD
LG