Ndërlidhjet

Debat për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore


Ilustrim
Ilustrim

Në Maqedoni është hapur debat publik rreth miratimit të një Ligji për legalizimin e përdorimit të prodhimeve nga kanabisi për qëllime mjekësore, të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov, ka theksuar se me legalizimin eprodhimeve nga kanabisi për qëllime mjekësore, i cili duhet të hyjë në fuqi në shkurt të këtij viti, synohet të ndihmohen pacientët të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda të kancerit, për të cilat sëmundje veçanërisht vaji nga kanabisi sjell efekte pozitive gjatë kurimit.

“Duke pasur parasysh se deri më tani përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore nuk është i rregulluar me ligj dhe shfrytëzimi i tij konsiderohet si keqpërdorim, këto ndryshime ligjore bëhen me qëllim që pacientëve t’u mundësohet qasje në këto produkte me kontroll të rreptë të përbërjes dhe cilësisë”, ka sqaruar për mediat Todorov.

Ai njëherësh ka nënvizuar se për të penguar çfarëdo lloj keqpërdorimi në bazë të ligjit, parashihet që kanabisin të mund ta prodhojnë vetëm personat juridik, dhe ato prodhime do të mund të përdoren vetëm në Maqedoni.

Deri më tani janë organizuar dy debate publike ku ishin të përfshirë përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore, sektori civil dhe ekspertët e shëndetësisë.

Ndërkohë që legalizimi i kanabisit në Maqedoni është përkrahur nga shumë përfaqësues të sektorit civil, gjatë debateve publike është theksuar se ligji duhet të jetë i qartë në pjesën që definon kategoritë e përdoruesve të produkteve nga kanabisi.

Ekspertët e kësaj fushe njëherësh thonë se duhet të organizohen më shumë fushata për edukimin e të rinjve lidhur me efektet dhe varshmërinë nga përdorimi i prodhimeve nga kanabisi, që jo pak janë të pranishme në tregun e zi.

Arben Taravari, neurolog, thotë se vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet pjesës që definon kush do të jetë i autorizuar të shkruaj receta dhe cilës kategori të pacientëve u dedikohet.

“Ligjet që do të rregullojnë këtë çështje do të duhet të jenë strike dhe shumë rigoroze që të mos mund t'i keqpërdorë dikush. Më duhet të theksoj se në bazë të këtij popozim-ligji (Ligji për legalizimin e përdorimit të prodhimeve nga kanabisi), bëhet legalizimi i një lloj droge që e përdorë një pjesë e të rinjve, dhe fatkeqësisht ky numër i të rinjve është në rritje".

"Vetëm të kujtojmë se në një pjesë të shteteve ku funksionon ky ligj, pra përdormi i kanabisit si ilaç, janë shfaqur anomali, përkatsisht është keqpërdorur ligji dhe i njëjti është dashur të rishikohet”, thekson Taravari.

Debat i ashpër mes institucioneve shëndetësore dhe organizatave joqeveritare të cilat organizojnë programe për rehabilitimin e personave të varur nga lëndët narkotike, është zhvilluar edhe rreth asaj se në bazë të draft-versionit të ligjit në fjalë, produktet e kanabisit nuk është paraparë të përdoren gjatë kurimit të personave të varur nga droga.

Ndërkohë, me reagime të ashpra ndaj Ministrisë së Shëndetësisë ka dalë dhe Partia Liberale e cila thekson se miratimi i një ligji për përdorimin e produkteve të kanabisit, është ide e vjedhur nga kjo parti, duke theksuar se qeveria një vendim të këtillë e ka marrë për të përfituar pikë politike para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

XS
SM
MD
LG