Ndërlidhjet

Privatizimi i “kriminalizuar”


Ilustrim
Ilustrim

Akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj zyrtarëve dhe ish-anëtarëve të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, sipas ekspertëve për çështje ekonomike dhe përfaqësuesve të punëtorëve, lënë hapësirë për dyshime se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë ka kaluar me shumë parregullsi.

Rasti i fundit, të mërkurën, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale: “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, “Mashtrim” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se burimi kryesor i korrupsionit ka qenë pikërisht procesi i privatizimit.

“Unë nuk jam prokuror apo organ që mund të vendos për fajësinë e tyre. Por, parimisht mund të them se procesi i privatizimit ka qenë burim i korrupsionit, abuzimeve dhe njëherësh shkatërrim i ekonomisë se Kosovës".

"Ndërmarrjet shoqërore janë shitur me çmime jashtëzakonisht të ulëta, është ndërruar destinimi dhe normalisht as destinimin e mjeteve të fondit të privatizimit ne nga jashtë nuk e dimë”, ka thënë Limani.

Edhe gjatë vitit të kaluar, Policia e Kosovës kishte bastisur disa zyre të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në muajin mars, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjatë një operacioni kishte arrestuar 11 zyrtarë dhe anëtarë të Bordit menaxhues të AKP-së të cilët dyshoheshin se kishin kryer vepra penale.

Kurse në muajin shtator të vitit 2014, për shkak të dyshimeve për krim të organizuar pas bastisjes së zyrave ishte arrestuar një person.

Me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, gjithnjë të pakënaqur kanë qenë edhe përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Avni Ajdini, nënkryetar në këtë sindikatë, duke mos dashur të flasë për dyshimet e ngritura, thotë se ka hapësirë të dyshohet për manipulime, pasi në organet udhëheqëse të AKP-së, vazhdimisht zgjidhen persona të partive politike.

Ajdini e quan të “egër” procesin e privatizimit.

“Edhe tani qeveria i ka dërguar njerëzit e saj, njerëz të dëgjueshëm. Edhe dyshimet ekzistojnë se ata mund të manipulojnë dhe keqpërdorin detyrën zyrtare”

Por, Musa Limani, ka thënë se dyshimet për keqpërdorim të procesit të privatizimit fillojnë që nga themelimi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, e duke vazhduar edhe tash me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

“Madje ka pasur tentativa që të zhduken (digjen) edhe dokumentet për t'i humbur shenjat e abuzimeve dhe keqpërdorimeve. Sigurisht që prokurori i ka argumentet dhe ata që i kanë duart e përlyera le ta mbajnë barrën“, ka thënë Limani.

Ndryshe, për më tepër se një dekadë ka filluar procesi i privatizimit dhe çdo herë është pasuar me kritika të ndryshme, sidomos mënyra e privatizimit me metodën e spin-off-it special, mënyrë kjo me të cilën janë privatizuar konkretisht ndërmarrjet që janë vlerësuar më të mëdha, të cilat nuk është dashur ta ndërrojnë destinimin.

XS
SM
MD
LG