Ndërlidhjet

Pa remitenca, varfëria më e lartë


Ilustrim
Ilustrim

Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, deri në shtator 2015 kanë arritur vlerën 566 milionë euro.

Dërgesat e migrantëve kosovarë që çdo vit hyjnë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare janë rreth 600 milionë euro, që do të thotë se brenda një periudhe 10 vjeçare remitencat kanë kaluar shumën prej 5 miliardë euro.

Remitencat që pranohen në Kosovë kryesisht vijnë nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto nga të cilat dërgohen 36.3 përkatësisht 22.1 për qind të gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë.

Një pjesë e konsiderueshme e remitencave në vitin 2015 është pranuar edhe nga SHBA-të, gjegjësisht 7.2 për qind e gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë.

Këto para, thonë ekspertë për çështje ekonomike, për qytetarët e Kosovës paraqesin një aspekt të rëndësishëm në mirëqenien e tyre, duke ndikuar edhe në uljen e varfërisë.

Edhe sipas një studimi të bërë kohë më parë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, është theksuar se pa këto para të dërguara nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, norma e varfërisë në Kosovë do të kishte ndryshuar nga 26 përqindëshi i vëzhguar në rreth 52 për qind, që paraqet një rritje prej 100 për qind.

Arbëresha Loxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, gjatë një prezantimi të publikuar gjatë këtij viti, kishte thënë se pa remitenca, normat e varfërisë krahasuar me skenarin e vëzhguar, do të ishin të larta si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane.

“Sa i përket rritjes në zonat rurale, rritja do të ishte rreth 27 pikë përqindje, që në zonat rurale do të ishte një rritje prej 105 për qind në nivelin e varfërisë. Sa i përket rajoneve, varfëria do të ishte e lartë në shumicën e rajoneve, por që rritja më e lartë do të ishte në rajonin e Mitrovicës dhe të Gjilanit”, shton Loxha.

Pikërisht kushtet e rënda socio-ekonomike në Kosovë obligojnë qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës të dërgojnë para në familjet e tyre, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Por ajo që mbetet shqetësuese, sipas tyre, është se mjetet e dërguara nga diaspora shfrytëzohen më tepër për konsum dhe jo për ndonjë investim që sjell përfitime.

E duke marrë parasysh se Kosova ka nivel të ulët të prodhimit dhe varet nga importi i produkteve të vendeve nga rajoni, Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se pjesa më e madhe e këtyre dërgesave, eksportohen jashtë shtetit si para të gatshme, për shkak të nivelit të lartë të produkteve të importuara.

“Produkti i vetëm që Kosova eksporton brenda vitit kalendarik janë paratë e gatshme. E them këtë bazuar në faktin se më tepër se 82 për qind e të gjitha produkteve importohen dhe krahas importit të produkteve nga vende e tjera, importohet edhe inflacioni”.

“Dhe, për fat të keq, të gjitha mjetet e dedikuara për ndihmë në Kosovë që vijnë nga diaspora, janë paraprakisht të paragjykuara apo të gjykuara që të jenë të eksportuara për import. Në këtë drejtim, nuk i bëhet nderë Kosovës dhe as zhvillimit ekonomik të saj, por stimulohet shumë më tepër zhvillimi ekonomik i vendeve të rajonit”, vlerëson Gërxhaliu.

Sipas regjistrimit të deritashëm të diasporës, janë evidentuar rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Ndërkohë që procesi i regjistrimit është bërë e ditur se do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2016.

Ndryshe, janë mbi 22 për qind e familjeve që pranojnë rreth 300 euro në muaj, nga të afërmit e tyre, e që në shumicën e rasteve shfrytëzohen për konsum ditor.

Përveç remitencave që qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës dërgojnë vazhdimisht në Kosovë, shuma të mëdha të mjeteve financiare ata shpenzojnë edhe kur vijnë për pushime sidomos gjatë sezonit të verës dhe tashme për festat e fund vitit.

XS
SM
MD
LG