Ndërlidhjet

Puna e sfiduar e Prokurores Speciale


Ilustrim
Ilustrim

Prokurorja Speciale e Maqedonisë, Katica Janeva, kompetencë e së cilës është hetimi i përmbajtjeve materialeve të përgjuara në të cilat ka indicje për keqpërdorimin e mjeteve nga buxheti nga ana e zyrtarëve të lartë të vendit, ballafaqohet me më shumë probleme gjatë punës së saj.

Fillimisht, Prokurorisë Speciale iu deshën më shumë se dy muaj që të formojë stafin edhe pse mbeti me minus dy ndihmës aq sa kishte kërkuar.

Me jo më pak probleme u përcoll dhe miratimi I buxhetit, dhe së fundmi akoma i tërë ekipi i prokurorisë nuk është pajisur me çertifikata të sigurisë si kusht për të hetuar materiale të cilat paraqesin “interes të lartë shtetëror”.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se mungesa e bashkëpunimit nga ana e institucioneve shtetërore me Prokurorinë Speciale është e qëllimshme, dhe kjo për arsye se një pjesë e strukturave udhëheqëse kanë frikë nga ajo se çka do të hetojë dhe zbulojë për ta ky organ hetues, në përputhje të kompetencave që i janë përcaktuar me ligj.

“Për fat të keq, si rrjedhojë e mungesës së kulturës politike, Prokurores Speciale Katica Janeva nuk i mundësohet të ketë kushte adekuate për të realizuar detyrimet të cilat i janë përcaktuar me ligj. Duket se para së gjithash mungon vullneti politik për të ndihmuar Prokurorinë Speciale që të kryej me sukses detyrat që ka marrë përsipër, gjegjësisht të hetojë aferat e ndryshme korruptive të cilat dolën në pah nga bisedat e përgjuara".

"Para së gjithash, zvarritja e punës së prokurores është në interes të VMRO DPMNE-së, dhe kështu do të synohet që asgjë mos të dalë në dritë të paktën deri sa të fillojnë zgjedhjet, që të mos prishet imazhi i partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski”, thekson Temellko Risevski, ligjërues i shkencave politike në Universitetin FON në Shkup.

Prokurorja Speciale Katica Janeva, ka kërkuar që Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë t'ua dorëzojë të gjitha materialet që posedon kjo parti nga afera e përgjimeve.

Nga partia janë përgjigjur se druajnë se prokuroria nuk disponon me sigurinë e duhur për tu kujdesur në mënyrë adekuate për këto materiale.

Në këtë drejtim, Alajdin Demiri analist politik nga Tetova, thotë se jo vetëm partia e kryeministrit Nikolla Gruevski është fajtore për krijimin e s'tërkëmbzave.

“LSDM-ja si opozitë e pengon objektivitetin e punës së Prokurores Speciale Katica Janeva edhe atë me metoda të ndryshme. Njëherë duke zgjedhur që lideri i opozitës Zoran Zaev të mos paraqitet në gjykatë gjersa lëndën ta marrë në shqyrtim prokurorja, pastaj duke i seleksionuar lëndët të cilat ia ka dorëzuar Prokurores Speciale, siç është lënda për rastin e Kumanovës, Mostrës dhe shumë lëndë të tjera” thekson Demiri.

Përderisa njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se Prokurorisë Speciale nuk i sigurohen kushte adekuate për të funksionuar si dhe një pjesë e institucioneve nuk shprehin vullnet të mirë për të bashkëpunuar, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski e ka akuzuar Prokurorinë Speciale se është shndërruar në vegël të LSDM-së.

XS
SM
MD
LG