Ndërlidhjet

Ambicie të mëdha të sportit të Kosovës, për vitin 2016


Pamje nga ndeshja në futboll Kosovë Turqi
Pamje nga ndeshja në futboll Kosovë Turqi

Viti 2015 ka qenë vit me mjaft suksese për sportin e Kosovës dhe tashmë, për vitin 2016, janë hapur shumica e dyerve për pjesëmarrje në arenat ndërkombëtare të sporteve, vlerësojnë përfaqësuesit e institucioneve të sportit në Kosovë.

Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se vitin 2015 e bën të veçantë dhe të suksesshëm, pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Ai thotë se, tashmë në vitin 2016, ambiciet dhe synimet e sportistëve të Kosovës janë shumë më të mëdha se në vitet e kaluara.

Sipas tij, gjatë vitit 2016, sportistët e Kosovës i presin dy ngjarje jashtëzakonisht të mëdha, Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen prej 12 deri më 22 shkurt në Lillehammer të Norvegjisë, si dhe Lojërat olimpike verore, që nisin në muajin gusht, në Rio de Janeiro, në Brazil.

“Kosova synon që të marrë pjesë atje me sa më shumë sportistë. Por, të marrësh pjesë me sa më shumë sportistë, duhet një përgatitje jashtëzakonisht e madhe paraprake. Do të thotë, duhet të arrihen normat olimpike dhe ata që nuk i arrijnë ato, duhet të jenë shumë afër normave olimpike, për të qenë të ftuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar”, thekson Hasani.

Ai shton se synimi i Komitetit Olimpik të Kosovës është që në këto olimpiada, sportistët e Kosovës ta shënojnë suksesin, që një pjesë vendeve të botës ende nuk e kanë arritur.

“Ne atje synojmë - duke u bazuar realisht në arritjet e sportistëve tanë dhe nivelet që kanë sportistët tanë - ne pretendojmë se do ta arrijmë një medalje në Lojërat Olimpike, gjë që do të na radhiste në mesin e 60 për qind të shteteve që kanë medalje nga Lojërat Olimpike. Kjo për faktin se ende mbesin rreth 40 për qind e shteteve që asnjëherë, asnjë sportist i tyre, nuk ka arritur asnjë medalje prej Lojërave Olimpike”, shton Hasani.

Ai tregon se, në planin e brendshëm, synohet strukturimi më i mirë i federatave sportive në Kosovë, në mënyrë që ato të tregohen të besueshme, me integritet dhe transparencë financiare dhe lojëra të pastra.

Ambicie të mëdha për vitin 2016 kanë shumica e federatave të sporteve në Kosovë, por ajo e futbollit, si sport më i popullarizuar në botë, ka ambicie që, sipas përfaqësuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës, janë shumë afër realizimit.

Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë se në vitin 2015, në Maltë, Komiteti ekzekutiv i Federatës Evropiane të Futbollit ka hequr nenin që thotë që për pranimin e një vendi në këtë organizatë, ai vend duhet të jetë anëtar i OKB-së.

Ky komitet, siç thotë ai, ka vendosur që çështja e pranimit të futbollit të Kosovës të dërgohet në kongresin e kësaj federate që mbahet më 2016.

“Synimi kryesor dhe kyç është që Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) të pranohet në instancat ndërkombëtare, gjegjësisht në UEFA (Federata Evropiane e Futbollit) dhe FIFA (Federata Botërore e Futbollit). Kjo do të ndodhë në kongresin e ardhshëm të rregullt të UEFA-s, me datën 3 maj".

"Atëherë kjo pritet që të shkojë në votim. Shpresojmë dhe jam shumë i bindur që do të vendoset për pranimin e FFK-së në instanca ndërkombëtare dhe ëndrrat tona të kamotshme do të bëhen realitet. Pastaj, pas 10 ditësh është Kongresi i FIFA-s në Meksikë”, thotë Vokrri.

Sipas tij, barriera më e madhe është pranimi në UEFA, sepse siç thotë ai, më pas, pranimi në FIFA do të jetë krejtësisht i lehtë.

Më pas, thotë Vokrri, Federatën e Futbollit të Kosovës, e pret punë e vështirë.

“Fillimisht, klubet tona do të inkorporohen menjëherë në muajin korrik që të zhvillojnë gara evropiane, siç janë ndeshjet preliminare për Ligën e kampionëve dhe Ligën evropiane. Për këtë duhet një përkushtim dhe të përmbushen kriteret, që klubet tona të mos kenë probleme. Ne, të gjithë, të jemi sa më gati për marrjen e licencave, sepse ka kritere, të cilat duhet të plotësohen me përpikëri”, shprehet ai.

Të dy këta përfaqësues të mekanizmave të sportit në Kosovë, theksojnë se deri më tash kanë pasur bashkëpunim shumë të mirë me institucionet qeveritare përgjegjëse për sportin.

Megjithatë, sipas tyre, mbetet ende punë për t’u bërë, në infrastrukturën e objekteve të sportit, për të arritur standardet dhe kriteret, të cilat janë të nevojshme për garat ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG