Ndërlidhjet

Faktorë të shumtë shtyjnë fëmijët ta braktisin shkollimin


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Në Kosovë ekzistojnë grupe të rrezikuara të fëmijëve, të cilët mund të mbesin jashtë shkolle, thonë përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Në këtë grup, sipas tyre, hyjnë fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e riatdhesuar dhe të kthyer, fëmijët me probleme të ndryshme sociale, fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas, fëmijët që punojnë për t’i kontribuuar të ardhurave të tyre në familje.

Afërdita Spahiu, shefe për arsim në zyrën e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë për Kosovë, UNICEF, për Radion Evropa e Lirë përmend edhe grupe tjera të fëmijëve potencial për braktisjen e shkollës.

“Në analizën tonë kanë dalë (të rrezikuar) edhe fëmijët, të cilët janë kthyer nga perëndimi dhe nuk kanë mundur lehtë të integrohen dhe të kthehen në shkollë. Kështu që, ne kemi konstatuar se në mungesë të programeve adekuate për përfshirjen e tyre, fëmijët mbesin pa vijuar shkollimin”, bën të ditur Spahiu.

Petrit Tahiri, nga Qendra e Arsimit të Kosovës, thotë se faktorët që ndikojnë në braktisjen e shkollimit janë individuale, familjare, sëmundjet e ndryshme, mentaliteti kulturor e të tjerë.

“ Nuk do të kisha vënë ndonjë vijë të kuqe, të themi se këta janë faktorët që determinojnë gjithsesi braktisjen, mirëpo zakonisht kompremetohen disa faktorë dhe ato te grupet e margjinalizuara, ku janë pak më të shfaqura, atëherë më lehtë shfaqet braktisja dhe kanë vështirësi t’i përballojnë këto sfida, me të cilat ballafaqohen fëmijët”, shprehet Tahiri.

Por, për të parandaluar braktisjen e shkollës, Afërdita Spahiu, nga UNICEF, thotë se mësimdhënësit janë të parët, ata që duhet t’u kushtojnë vëmendje fëmijëve në rrezik të vijimit të mësimit.

Në përgjithësi, thotë ajo, këta janë fëmijë që mungojnë shpesh nga shkolla, ndonjëherë për periudha të gjata kohore.

‘’Janë mësimdhënësit të parët ata që mund t’i identifikojnë fëmijët që janë në rrezik të braktisjes. Disa nga faktorët e rrezikut janë vijueshmëria, nëse fëmija bën shumë mungesa, rezultatet e vlerësimit janë të ulëta, nëse fëmijët janë të tërhequr ose ka raste kur fëmijët ngacmohen nga bashkëmoshatarët etj”, thekson Spahiu.

Në anën tjetër, Petrit Tahiri thotë se autoritetet kompetente duhet të kenë karakter parandalues ndaj këtij problemi dhe jo reagues.

“Shkollat dhe komunat janë të obliguara të krijojnë ekipe për parandalim të braktisjes dhe do të duhej që theksin kryesor ta vënë në parandalim të braktisjes, e jo vetëm në reagim”.

“Por, jo të gjitha shkollat, komunat u kanë kushtuar vëmendje të duhur thirrjeve të vazhdueshme që vijnë nga institucionet qendrore”, shton Tahiri.

Sidoqoftë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, më herët kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë, vetëm 0.1 për qind e fëmijëve nuk arrijnë të shfrytëzojnë të drejtën për shkollim fillor dhe 0.5 për qind për shkollim të mesëm.

Madje, në një raport përmbledhës të kësaj ministrie për vitin e kaluar, thuhet se mesatarisht 9 nga 10 fëmijë ndjekin arsimin fillor, 8 nga 10 fëmijë ndjekin arsimin e mesëm, kurse 5 nga 10 të rinj ndjekin arsimin e lartë.

Numri i nxënësve në Kosovë është 382 mijë, i studentëve 122 mijë, kurse mësimdhënësve rreth 24 mijë.

XS
SM
MD
LG