Ndërlidhjet

Rezoluta e Këshillit të Evropës, kthim prapa për Kosovën


Ilustrim
Ilustrim

Rezoluta e fundit e Këshillit të Evropës për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, nga analistët politik në Prishtinë po shihet si kthim prapa.

Rezoluta është propozuar nga raportuesi spanjoll, Augustin Konde. Ajo është miratuar në kohën kur Kosova po bën përpjekje për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë, si INTERPOL-i dhe EUROPOL-i.

Megjithatë, Këshilli i Evropës ka inkurajuar me anë të kësaj rezolute Administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK-un, që t’i shtojë kapacitetet në kuadër të bashkëpunimit me këto mekanizma ndërkombëtare të sigurisë, përderisa Prishtinës i sugjerohet t’i shfrytëzojë mekanizmat që i ka në dispozicion.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kishte një përgjigje në lidhje me këtë rezolutë, kurse analistët e vlerësojnë atë si kthim prapa.

Analisti, Emrush Ujkani, mendon se ajo reflekton gjendjen dhe jo-qëndrueshmërinë politike në Kosovë.

Sipas tij, përmbajtja e rezolutës nuk u ndryshua dot as nga vendet që e njohin dhe mbështesin pavarësinë e Kosovës, pavarësisht disa insistimeve.

Bëhet fjalë sidomos për nenet që kërkojnë një lloj roli më të fuqishëm të UNMIK-ut në Kosovë, sidomos në aspektet e sundimit të rendit dhe ligjit dhe bashkëpunimit të Kosovës me mekanizmat ndërkombëtar.

“Nëse e lexoni me vëmendje, raporti i bën thirrje misionit të UNMIK-ut që të merr masa dhe t’i shfrytëzojë mekanizmat ligjor që ka. Pra, i bën ftesë UNMIIK-ut dhe jo Kosovës, për t’iu qasur mekanizmave si INTERPOL-i, EUROPOL-i apo organizatave tjera, prandaj mendoj që kjo është ajo pika më kritike që duhet të nënvizohet për momentin”, ka vlerësuar Ujkani.

Ndërkaq analisti Dren Doli, vlerëson se përmbajtja e Rezolutës së Këshillit të Evropës pasqyron paaftësinë e institucioneve të Kosovës.

Njëherësh, sipas tij, rezoluta të tilla tregojnë për rrezikun që shumë shtete të cilat e kanë njohur Kosovën po hamenden tani që ta mbështesin atë në kuadër të përfaqësimit të jashtëm.

“Ky lajm në vetvete mbanë edhe rrezikun që vendet të cilat e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, kanë filluar ta vënë në mëdyshje këtë status, duke e barazuar shtetin e Kosovës me Rezolutën 1244, dhe rrjedhimisht UNMIK-un në Kosovë”, ka thënë Doli.

Në anën tjetër, Emrush Ujkani ka ngritur si çështje më vete edhe mungesën e parashtrimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, para miratimit të kësaj rezolute. Ai vlerëson se rezoluta, pavarësisht që nuk ka karakter obligativ, mund të ndikojë politikisht tek vendet e ndryshme.

“Me vet faktin që Kosova i ka dy të tretat e votave në Këshillin e Evropës, pra që e kanë njohur atë si shtet, është dashur që t’i paraprijë procesit të anëtarësimit dhe jo të vijmë në momentin të presim rezoluta apo raporte të tilla".

"Edhe pse rezoluta nuk e pengon Kosovën në parashtrimin e kërkesës, definitivisht mund të jetë pengesë me ndikimin e saj tek shumë shtete, kur vjen në pyetje vota për apo kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Ujkani.

Po në lidhje me efektet e rezolutës në synimet e Kosovës që të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtar, përfshirë edhe ato të sigurisë, Dren Doli mendon se Kosova po dështon t’u bëjë ballë trysnive diplomatike të Serbisë.

Andaj, ai vlerëson se nuk po vërehen përparime në këtë drejtim.

“Strategjia e Serbisë duke e përdorur dialogun Kosovë – Serbi për ta imponuar UNMIK-un si përfaqësues të Kosovës në organizata ndërkombëtare, fatkeqësisht është duke i dhënë shenjat e para, filluar nga kjo rezolutë. Shpresojmë që kjo rezolutë të mos shërbejë si precedent i ardhshëm për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar Doli.

Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Skender Hyseni, pati deklaruar se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në INTERPOL qysh në prill të vitit 2015, por vendimi për pranimin e saj nuk është marrë ende.

Hyseni kishte deklaruar se Kosova është e gatshme të marrë përsipër rolin si shtet në kuadër të luftimit të krimit, duke u anëtarësuar dhe bashkëpunuar me mekanizmat ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG