Ndërlidhjet

Betejë partiake për datën e zgjedhjeve në Maqedoni


Ilustrim - Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë
Ilustrim - Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë

Beteja për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni ka rritur tensionet mes dy blloqeve politike; atyre në pushtet, që insistojnë në mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill, dhe opozitës e cila kërkon shtyrjen e tyre për disa muaj, për shkak të vlerësimeve se ende nuk janë përmbushur pikat kryesore të marrëveshjes politike për mbajtjen e tyre në atmosferë të lirë dhe demokratike.

Lideri i Lidhjes Social-demokrate në Maqedoni, Zoran Zaev mbetet në qëndrimin për bojkotin e zgjedhjeve, nëse pushteti insiston në mbajtjen e tyre më 24 prill, ashtu siç parashihen me marrëveshjen e qershorit të vitit të kaluar, të arritur me ndërmjetësimin ndërkombëtar.

Zaev thotë se pa pastrimin e listës së votuesve dhe rregullimin e çështjes së medieve nuk mund të pritet që të ketë zgjedhje të lira.

“Që Maqedonia të ecë para nevojiten zgjedhje të lira, fer, demokratike dhe të pastra. Zgjedhje të tilla më 24 prill nuk mund të ketë. Ne nuk do të marrin pjesë në zgjedhje të njëanshme. Marrëveshja politike parasheh krijimin e kushteve për zgjedhje të lira. Kushte të tilla nuk janë krijuar".

"Nevojitet kohë për pastrimin e listës zgjedhore, ndërsa duhet të arrihet edhe marrëveshje për punën e medieve, që ato të jenë të lira për mbulimin e zgjedhjeve“, ka deklaruar Zaev.

Opozita maqedonase pretendon se lista e votuesve përmban mijëra persona që duhet të fshihen nga regjistri, pasi ata ose nuk jetojnë më, ose nuk ndodhen në Maqedoni.

Partitë në pushet, nga ana tjetër, thonë se nëse ka vullnet, lista mund të pastrohet si dhe të zgjidhen çështjet tjera kontestuese.

“Dy institucionet kryesore që duhet të zbatojnë zgjedhjet janë në duart e tyre; Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Punëve të Brendshme, prandaj nuk qëndrojnë pretendimet se nuk mund të pastrohet lista zgjedhore, e kështu me radhë. Për realizimin e kësaj, jo që ka kohë të mjaftueshme, por mendoj se ka më shumë se sa që duhet".

"Refuzimi i opozitës për të marrë pjesë në zgjedhje më 24 prillit mendoj se bëhet për shkak të frikës nga humbja e tyre. Arsye tjetër nuk ka“, vlerëson kryetar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Edhe dy partitë shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare mbajnë anën e Gruevskit në qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill.

Madje, kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti thotë se ato duhet të mbahen në këtë datë, për shkak të shmangies së tensioneve të mundshme dhe samitit të ardhshëm të NATO-së, por edhe krizës së migrantëve.

“Po u shty data e zgjedhjeve, qoftë në fund të majit apo në fillim të qershorit, për shkak të zhvillimeve politike në vend, mund të ketë tensionime, mund të ketë acarime. Gjithashtu një problem serioz është parashikimi për një dyndje të madhe të refugjatëve ”, ka deklaruar Ahmeti, pas një takimi të këshillit drejtues të partisë së tij.

Duke komentuar betejën e këtillë mes partive politike, analisti Albert Musliu thotë se zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse, pasi në të kundërtën kriza mund të thellohet edhe më shumë.

“Kur e shikon sipërfaqësisht, është betejë e çuditshme. Pozita insiston që të mbahen zgjedhje, opozita insiston që ato të mos mbahen, gjë që është paradoksale, pasi opozita çdo kund në botë insiston që të ketë zgjedhje, ndërsa pushteti të ruajë pozicionin. Por, në Maqedoni asgjë nuk është normale, kështu që beteja zhvillohet për çështje tjera”.

“Pas paraqitjes së krizës, zgjedhjet nuk ishin qëllimi kryesor, por mënyrë për kapërcimin e saj. Mund të na ndodhë që zgjedhje të mbahen pa praninë e opozitës, meqë pushteti i ka numrat, por kjo do ta thellonte edhe më shumë krizën. Ne kemi nevojë për zgjedhje gjithëpërfshirëse, me një rezultat të pranueshëm nga të gjitha palët“, thotë Musliu.

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni thonë se gjërat mund të qartësohen deri më 20 shkurt, kur edhe pritet që ndërkombëtarët të bëjnë vlerësimin përfundimtar nëse janë krijuar ose jo kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.

XS
SM
MD
LG