Ndërlidhjet

OJQ-ve që promovuan ekstremizmin, nuk u lejohet veprimtaria


Ilustrim
Ilustrim

Që nga paslufta në Kosovë kanë vepruar shumë organizata joqeveritare ndërkombëtare, në emër të rimëkëmbjes së vendit nga lufta.

Në mesin e këtyre organizatave, rreth 14 syresh, kryesisht nga Arabia Saudite, kanë zhvilluar veprimtaritë e tyre në disa qytete e fshatra të Kosovës.

Në muajt e fundit të vitit 2015, Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë së vendit dhe duke u bazuar në informacionet nga Policia dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës, kishte urdhëruar tërheqjen e lejes për ushtrimin e veprimtarisë për këto 14 organizata joqeveritare.

Këshilltari politik i ministrit të Brendshëm të Kosovës, Shkodran Manaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ato organizata janë urdhëruar të ndërpresin veprimtarinë, pasi që është konsideruar se kanë paraqitur rrezik për sigurinë e brendshme dhe të jashtme të Kosovës.

"E gjithë kjo procedurë është bërë në pajtim me Ligjin për lirinë e asociimit për OJQ-të, dhe udhëzimin administrativ për regjistrimin dhe funksionimin e organizatave joqeveritare në Kosovë", thotë Manaj.

Pas kërkesave nga autoritetet kompetente, organizata Al-Wakaf al Islami, dhe rreth 13 të tjera të ngjashme kanë pushuar veprimtarinë e tyre.

Në njërin nga vendimet e marra nga Ministria e Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, ministri kjo që bën licencimin e OJQ-ve, thuhet se këto organizata kanë bërë shkelje edhe të normave juridike të statutit, në bazë të të cilit janë regjistruar.

"Ministria e Administratës Publike, përkatësisht Departamenti i OJQ-ve, nuk e ka bërë çregjistrimin e asnjë OJQ-je. Por, me një vendim kemi pezulluar veprimtarinë e tyre deri në një vendimin tjetër. Fjala është për 13 OJQ. Veprimtaria e OJQ-ve është pezulluar me kërkesë të organit kompetent të sigurisë", thuhet në një përgjigje me shkrim nga ministria.

Me disa nga organizatat, të cilave u është ndaluar veprimtaria, Bashkësia Islame e Kosovës ka pasur bashkëpunim të ngushtë.

Në këtë institucion fetar, thonë se pas luftës në Kosovë kanë vepruar organizata joqeveritare si nga Lindja, po ashtu edhe nga Perëndimi.

Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, theksoi se një numër i organizatave të tilla nuk kanë vepruar ashtu siç e kanë pasur misionin, por kanë vepruar ndryshe, duke propaganduar dhe duke shtrirë ndikimet e tyre edhe në aspektin fetar.

"Kur e them këtë, nuk them vetëm për ato [organizatat] nga Lindja, por njëjtë kanë vepruar edhe ato nga Perëndimi. Numri i tyre ka qenë bukur i madh, edhe pse ne nuk mbajmë ndonjë evidencë. Evidenca diku ekziston në institucionet tona apo në ato të mëhershme të UNMIK-ut. Ato organizata, derisa kanë predikuar çështje të tjera siç është edhe çështja fetare, vërehet ndikimi i tyre në indoktrinimin e të rinjve tanë".

"Këtu, më interesant ka qenë ajo se këtu kanë shtrirë ndikimin e tyre, kanë hapur edhe përfaqësi dhe kanë pasur bashkëpunëtorë të tyre lokalë dhe nëpërmjet tyre kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në Kosovë. [Sa kanë qenë të rrezikshme këto organizata] nuk kemi të dhëna konkrete, por që kanë ndikuar në indoktrinimin e të rinjve tanë, ajo është evidente", shpjegon Sadriu.

(Lista e Organizatave Joqeveritare ndaj të cilave Departamenti për OJQ/MAP, me datë 26 tetor 2015, në bazë të kërkesës së Organit kompetent të sigurisë ka marrë vendim për pezullimin e veprimtarisë së tyre: 1. Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim(AKEA); 2. Al-wakaf al Islami; 3. Kalliri i Mirësisë; 4. Sinqeriteti; 5. Çelësi; 6. Pema e Bamirësisë; 7. Kosova Aid Devolopment(KAD); 8. Rinia Istogase; 9. Hektari-He; 10. Njëshmëria; 11. Parimi; 12. Gurma; 13. Mesxhidi Studentor).

Veprimtarinë e dyshimtë të disa organizatave, e sidomos të asaj Al-wakaf al Islami, disa hoxhallarë thonë ta kenë vërejtur shumë herët.

Idriz Bilalli, imam i xhamisë në qendër të qytetit të Podujevës, thotë se pas dyshimeve të para për veprimtarinë e organizatës Al-wakaf al Islami, është informuar Bashkësia Islame e Kosovës.

Bilalli thotë se organet kompetentët në BIK, kanë bashkëpunuar me organizatën në fjalë.

"Al-wakaf al Islami, ne me kohë e kemi vërejtur se kjo organizatë po i favorizon disa individë, që veç sheshazi kanë dalë edhe publikisht me ato qëndrimet krejt ndryshe [ta praktikojnë fenë ] nga ajo që ne e kemi pa dhe jemi mësuar këtu. Dhe, e kemi parë thjesht që është shumë e njëanshme dhe është destruktive dhe ne nuk kemi pasur bashkëpunim me ta", tregon Bilalli.

Insistimet për bashkëpunim me organizatat e tilla, sipas Bilallit, kanë vazhduar herë pas here nga Bashkësia Islame e Kosovës, por, siç thotë ai, bashkëpunimi është kundërshtuar.

"[Donacionin] Nga Al-wakaf al Islami, përmes BIK-ut me destinim në këtë xhami - që ne e kemi refuzuar në një mënyrë, sepse e kemi vërejtur se nuk është dashamirëse, edhe si Këshill i BIK-ut në nivel lokal,e kemi refuzuar këtë donacion. Kjo ka qenë tendenca e BIK-ut që edhe neve të na involvojnë në këtë lloj veprimtarie, gjë që ata e kanë bërë për një kohë të gjatë", thekson ai.

Bilalli, i cili ka qenë kryetar i Këshillit të BIK-ut në Podujevë, por që këtë post e ka humbur për shkak të, siç thotë, disa mospajtimeve, pohon se “disa organizata, që kanë vepruar në Kosovë në mënyra të ndryshme, kanë favorizuar personat, të cilët ndryshe kanë interpretuar fenë islame nga ajo që është mësuar me herët”.

"Kemi vërejtur se ato kanë një tendencë për të futur përçarje në xhematin tonë dhe në xhamitë tona dhe për këtë arsye jemi distancuar nga to", deklaron Bilalli.

Nga ana tjetër, Mejdi Bektashi, ish-anëtar i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, tregon për Radion Evropa e Lirë se derisa ka qenë në atë pozitë, ka pasur dyshime për disa institucione mikrofinanciare, të cilat në Kosovë veprimtarinë e tyre e kanë zhvilluar me mjete të dyshimta.

"Kanë qenë dy apo tri institucione mikrofinanciare që kanë qenë kryesisht me kapital nga shtetet e Gjirit Persik. Unë e di se dy nga to që kanë operuar në Prishtinë dhe në pjesën e Drenicës, janë mbyllur nga organet kompetente, në këtë rast ka qenë Njësia për inteligjencën financiare. Puna e tyre është bllokuar së bashku edhe me disa organizata joqeveritare që kanë përkrahur këtë fushëveprim të këtyre agjencive apo organizatave joqeveritare", shpjegon Bektashi.

Nga shumica e komunave të Kosovës, të banuara me shumicë shqiptare, vetëm dy prej tyre, Podujeva dhe Drenasi, thuhet se nuk janë përballur deri më tash me problemin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300 syresh.

Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

Institucionet e Kosovës kanë miratuar Ligjin, me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG