Ndërlidhjet

Thaçi i vendosur për president, opozita për protesta


Hashim Thaçi - Zëvendëskryeministër i Kosovës
Hashim Thaçi - Zëvendëskryeministër i Kosovës

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po shprehet i gatshëm që të marrë nën drejtim postin e Presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Ai pritet të jetë kandidati i koalicionit qeverisës për këtë post, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe pakicat.

Thaçi, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se do të respektohen të gjitha afatet dhe procedurat për zgjedhjen e presidentit dhe se Kryesia e Kuvendit do të jetë ajo që do ta caktojë datën e mbajtjes së seancës.

Derisa po afrohet koha e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, subjektet politike, ato në pushtet dhe në opozitë, vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për proceset politike dhe zgjedhjen e presidentin të ri të Kosovës.

Në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se të gjitha procedurat ligjore janë gati për zgjedhjen e presidentit të ri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci tha për Radion Evropa e Lirë se procesi për zgjedhjen e presidentit do të ndodhë shpejt dhe se, sipas tij, gjithçka do të ndodhë brenda afateve kohore.

Grabovci theksoi se brenda muajit shkurt Kosova do ta ketë presidenti i ri.

"Presim dhe shpresojmë fuqishëm që edhe opozita do të jetë pjesëmarrëse e asaj ceremonie dhe e atij votimi. Në rast se do te jenë pjesëmarrës edhe opozita, unë u garantoj qytetarëve se besoj se një numër i konsiderueshëm i deputetëve të opozitës me dëshirë dhe vullnet do t'i japin besimin Thaçit për president të ardhshëm ", tha Grabovci.

Ai shtoi se partitë politike opozitare janë të ftuara në vazhdimësi për debat, si nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, po ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar në Kosovë.

Grabovci tha se liderët e partive opozitare duhet ta respektojnë vullnetin e popullit, dhe po ashtu afatet kushtetuese dhe ta përmbushin në parlament detyrën që ata kanë para votuese të tyre.

"Unë kam biseduar edhe me liderët e partive politike, kam pasur rast të komunikoj me ta. Përgjigjet e tyre, ju po i shihni...për momentin opozita ka një përcaktim jo të drejtë . Ka zgjedhur mjete jo të drejta e as të duhura, sepse mjeti i dhunës dhe dhuna nuk sjellë asgjë të mirë", tha Grabovci.

Partitë e koalicionit këmbëngulin që të procedohet me zgjedhjen e presidentit dhe me vazhdimin e punës së institucioneve.

Opozita këmbëngulë që qeveria të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Donika Kadaj-Bujupi, shefe e Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se opozita dhe liderët e partive politike, e as deputetët, nuk janë takuar me përfaqësuesit e partive politike në pushtet, dhe as nuk do të takohen për të biseduar për zgjedhjen e presidenti.

"Qëndrimet tona janë të pastra dhe të njohura për opinionin. Pas konfirmimit të opinionit të Gjykatës Kushtetuese se në mbi 7 kapituj dhe 23 pika është shkelur Kushtetuta e Kosovës, e vetmja arsye për t’u takuar me shkelësit dhe përgjegjësit e kësaj shkeljeje që i ka kushtuar rëndë Kosovës, pothuajse në gjashtë muajt e fundit, është të dakordohemi për datën e zgjedhjeve", ka thënë Kadaj-Bujupi.

Ajo tha se proceseve në Kosovë duhet t’u prijnë personat që kanë legjitimitet, dhe jo ata që e kanë shkelur aktin me të lartë juridik të Kosovës.

Si rrjedhojë, ajo tha udhëheqësit aktual të vendin nuk kanë mandat që të thërrasin seancë për zgjedhjen e presidentit.

"Për zgjedhjen e presidentit ne konsiderojmë se ky pushtet nuk ka legjitimitet të procedojë. Deri sa janë shkelës të Kushtetutës, ata më nuk kanë legjitimitet të procedojnë në procese të tjera, të cilat janë të rëndësishme për vendin, por, të cilave duhet t’u prijnë njerëz të cilët kanë legjitimitet të plotë të qytetarëve dhe njerëz të cilët zbatojnë ligjin dhe rregullat, si dhe që e respektojnë Kushtetutën e vendit", tha Kadaj-Bujupi.

Kundërshtimi i legjitimitetit të qeverisë aktuale nga ana e opozitës po manifestohet me anë të protestave në rrugë dhe parlament. Me 17 shkurt, opozita ka paralajmëruar protestën e radhës.

Mungesa e reflektimit nga ana e liderëve të partive më të mëdha politike në Kosovë, për gjetjen e një zgjidhjeje politike rreth gjendjes së krijuar, sipas analistëve politik, dëshmon se tash për tash, në skenën politike kosovare, nuk ka ndonjë ide se si të dilet nga kriza.

XS
SM
MD
LG