Ndërlidhjet

Pa përfitime nga marrëveshjet për tregti të lirë


Ilustrim
Ilustrim

Marrëveshjet e shumta tregtare për tregti të lirë, që Kosova ka nënshkruar me vendet e rajonit dhe më gjerë, nuk kanë dhënë efekte të mëdha për ekonominë e Kosovës.

Përfituesit më të mëdhenj janë shtetet, me të cilat është nënshkruar marrëveshja.

Sektori i pazhvilluar i prodhimtarisë, ka bërë që Kosova të mos jetë përfituese e madhe e këtyre marrëveshjeve, thonë për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vendi ka shumë pak produkte dhe shërbime që mund t’i eksportojë, derisa shtetet me të cilat janë nënshkruar marrëveshjet, e kanë të zhvilluar mjaft shumë sektorin e prodhimtarisë dhe kanë çfarë të sjellin në Kosovë.

“Në rend të parë, marrëveshjet për tregti të lirë, në përgjithësi, duhet të shihen si marrëveshje që sjellin përftime për palët nënshkruese, pasi që iu mundëson vendeve të vogla në këtë rast, Kosovës, që të kenë qasje në një treg më të madh. Por, problemi i parë është se ne kemi një bazë të dobët industriale, prodhojmë shumë pak dhe politikat fiskale në të kaluarën nuk kanë qenë favorizuese për zhvillimin e fuqizimin prodhimtarisë”, thotë Zeka.

Marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA, një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e nënshkruar qysh në vitin 2007,thekson Zeka, është shkelur shumë herë nga vendet fqinje.

“Problemi i dytë është moszbatimi i rregullave i dispozitave të këtyre marrëveshjeve për tregti të lirë, në këtë rast marrëveshja CEFTA. Nga shtete nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, shohim kohë pas kohe vendosjen e masave mbrojtëse".

"Kemi pasur rastin e Maqedonisë, flasim për barriera, qoftë tarifore, e jo tarifore, që iu imponohen shteteve që janë pjesë të marrëveshjes dhe në këto raste reagimi i institucioneve të Kosovës ka qenë i ngathtë”, thekson ai.

Edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, vlerëson se marrëveshjet për tregti të lirë shumë herë nuk janë respektuar nga palët tjera nënshkruese.

“Siç e dimë, marrëveshja e CEFTA-s shumë herë nuk është respektuar nga palët që e kanë nënshkruar këtë marrëveshje, ndërsa Kosova nuk ka pasur ndonjë dobi të drejtpërdrejtë nga këto marrëveshje”.

“Çka mund të theksohet është fakti që Kosova, me ambiciet për integrim në BE, ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe kjo marrëveshje është e rëndësishme për vendin dhe si e tillë, fillon të hapë tregun e Kosovës drejt vendeve evropiane”, shton Balija.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, sipas Balijajt, i tejkalon të gjitha marrëveshjet e tjera tregtare që Kosova ka nënshkruar më parë. Por, që përftimet nga kjo marrëveshje nuk mund të jenë të mëdha nëse Kosova nuk përgatitet dhe nuk stimulon prodhimtarinë.

“Prandaj, Kosova duhet të bashkëpunojë me investitorë e huaj, të krijojë sa më shumë kompani dhe të bëhet vend kryesor i prodhimit”, thekson ai.

Ndryshe, Parlamenti Evropian, tashmë ka dhënë pëlqimin për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi, pasi të dyja palët, BE-ja dhe Kosova, ta kenë njoftuar formalisht njëra-tjetrën për përmbylljen e procedurave përkatëse, gjë e cila pritet të ndodhë në prill apo në maj të këtij viti.

XS
SM
MD
LG