Ndërlidhjet

Kuvendi mblidhet më 10 mars, opozita paralajmëron bllokadën e seancës


Arkiv - Kuvendi i Kosovës
Arkiv - Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës në asnjë mënyrë nuk po arrin t’i tejkalojë problemet në marrëdhëniet ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Kryesia e Kuvendit caktoi seancën e radhës për të enjten e ardhshme, më 10 mars, por menjëherë opozita dërgoi mesazhe se do ta pengojë edhe atë seancë, siç ka vepruar kohët e fundit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se Kuvendi ka shumë pika të rëndësishme në agjendë, që duhet t’i diskutojë dhe miratojë. Andaj, ai ka ftuar opozitën të bashkëbisedojnë, ndonëse nuk ka hasur në ndonjë përgjigje pozitive.

Madje, sipas Veselit, përfaqësuesja e opozitës në Kryesi, Aida Dërguti, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka pranuar që të mbahet seancë e rregullt plenare, as për Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, si një prej kritereve që Komisioni Evropian do ta merr parasysh në kuadër procesit të liberalizimit të vizave.

“Gjatë mbledhjes së Kryesisë, kolegia e nderuar e opozitës paralajmëroi se do ta bllokojnë seancën. Më lejoni të theksoj që vet mbajtja e seancës dhe emergjenca në të cilën jemi duke e mbajtur ka të bëjë me diçka e cila është qenësore për qytetarët tanë, pra liberalizimin e vizave”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka thënë se rrethanat politike në Kosovë nuk janë të favorshme që të thirret seanca plenare. Opozita kërkon që Kuvendi i Kosovës të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja, të parakohshme.

“Ne gjithherë do të jemi në Kuvend. Por, unë edhe sot e kundërshtova mbajtjen e seancës në kësa rrethana”, ka thënë Dërguti.

Institucionet aktuale, sipas opozitës, tashmë e kanë humbur legjitimitetin. Në këtë funksion shihet edhe kontestimi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës, javën e kaluar.

Për këtë vendim të Kuvendit, opozita pretendon ta rrëzojë zgjedhjen e presidentit të ri Hashim Thaçi, përmes Gjykatës Kushtetuese. Sipas qëndrimeve të opozitës, Kuvendi ka zgjedhur Thaçin president të Kosovës duke mos i respektuar procedurat dhe Kushtetutën.

Sidoqoftë, seanca e 10 marsit, do të jetë e para që nga zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, e cila ishte përcjellë me tensione të shumta ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë.

XS
SM
MD
LG