Ndërlidhjet

Kosova atraksion turistik, por pa turistë


Brezovicë, Kosovë
Brezovicë, Kosovë

Kosova është një vend me sipërfaqe jo të madhe gjeografike, por i vlerësuar se ka hapësira të mjaftueshme për zhvillimin e turizmit veror dhe dimëror.Nga hulumtimet që kanë bërë organizata të ndryshme joqeveritare, Kosova, me një sipërfaqe prej 10 mijë kilometrash katrorë, posedon 1 mijë vende të cilat konsiderohen atraktive për t’u vizituar.

Zekë Çeku, udhëheqës i Shoqatës se Turizmit në Kosovë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se potencialet dhe resurset turistike, në krahasim më sipërfaqen që ka Kosova, tejkalojnë vendet e rajonit sa i përket turizmit. Por, atraksionet turistike, thotë ai, nuk shfrytëzohen në masë të madhe nga turistët, për shkak të mungesës se infrastrukturës së tyre.

“Në qoftë se flasim për atraksionin, për resurset dhe potencialet që ka, Kosova i tejkalon përmasat e një vendi të vogël. Madje, mund të them se Kosova në aspektin e atraksioneve të turizmit, në raport me sipërfaqen që ka, tejkalon edhe vendet në rajon.”

“Mirëpo, nëse flasim për strukturat turistike hoteliere, fatkeqësisht nuk i kemi të zhvilluara sa duhet. Hotelet janë të ndërtuara jashtë vendeve atraktive, pasi ato janë ndërtuar rreth rrugëve magjistrale”, shprehet Çeku.

Rajoni qendror turistik i Prishtinës, ai i Alpeve Shqiptare, rajoni turistik i Sharrit, i Mitrovicës dhe ai i Anamoravës, konsiderohen si pesë rajonet kryesore turistike në Kosovë.

Përveç viseve malore, në Kosovë ekzistojnë hapësira shëndetësore, objekte natyrore dhe objekte kulturore - historike, që mund të shfrytëzohen nga vizitorët për ekskursione, sporte, rekreacion, pushim, kulturë, si dhe për arsim e edukim.

Se Kosova ka potencial të mjaftueshëm natyror për turizëm pajtohet edhe Arben Islami, udhëheqës i Organizatës joqeveritare ‘Kosovo Hiking Trips’ dhe ‘Snow Njeri’, organizata këto që në mënyrë vullnetare bëjnëpromovimin e bjeshkëve dhe natyrës se Kosovës.

Sipas tij, në Kosovë ekzistojnë rreth 200 bjeshkë, të cilat kanë potencial të konsiderohen si vende turistike. Islami tregon se çdo të diele, në mënyrë të organizuar, rreth 200 persona i vizitojnë këto hapësira.

“Aq shuma bjeshkë ka Kosova, saqë99 % e njerëzve nuk e dinë se ekzistojnë ato. Që nga viti 2004, ne kemi postuar në rrjete të ndryshme sociale rreth 2 milionë fotografi dhe kemi botuar dy libra për bukuritë turistike të Kosovës. Mund të themi se Kosova ka aq shumë bjeshkë, sa nëse autoritetet kompetente do të kishin investuar në zhvillimin e turizmit, Kosova si shtet do të mund të jetonte vetëm nga ky sektor”, thotë Islami.

Me gjithë bukuritë natyrore që ka Kosova, sipas Arben Islamit, ende mungojnë investimet në këtë sektor.

“Kërkoj nga shteti që të investojë në zhvillimin e turizmit, në mënyrë që në të ardhmen të jetojmë nga turizmi dhe kjo të jetë një ndër asetet kryesore për buxhetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Zekë Çeku mendon se autoriteteve qendrore të Kosovës nuk u intereson aspak sektori i turizmit, kurse në nivele lokale, sipas tij, ka pasur disa iniciativa.

“Nivelit qendror të Kosovës fare nuk i intereson zhvillimi i turizmit. Turizmi është brenga apo problemi i fundit me të cilin merren. Fatmirësisht, pak më mirë qëndron puna në disa komuna, falë përkrahjes së donatorëve. Qyteti i Pejës ka pasur disa projekte, po ashtu disa lëvizje janë vërejtur edhe në qytetin e Prizrenit, Graçanicës, Shtërpcës dhe Gjakovës. Kurse, kryeqyteti Prishtina, që ka numrin më të madh të turistëve, nuk ka pasë ndonjë përmirësim”, vlerëson Çeku.

Sidoqoftë,këto ditë turizmi i Kosovës është duke u promovuar në një Panair Ndërkombëtar të Turizmit, i cili po mbahet në Berlin të Gjermanisë.

Vlerat turistike dhe mundësitë për turizëm që ka Kosova po prezantohen atje nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), dhe tetë operatorë turistik vendës.

XS
SM
MD
LG