Ndërlidhjet

Mustafa: Vëllai kërkoi azil për shkaqe shëndetësore, nuk e kam kërcënuar askënd


Intervistë me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa
Intervistë me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se vëllai i tij ka shfrytëzuar rrugët ilegale për të kërkuar strehim jashtë Kosovës, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për sëmundjen e rëndë që ka. Ndërkaq, nuk pranon se ka telefonuar gazetarin nga Insajderi.com, i cili ka shkruar i pari në lidhje me këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, cili është shpjegimi i juaj në lidhje me çështjen e azil-kërkimit nga ana e vëllait tuaj, i cili sipas shkrimeve në media ka shfrytëzuar rrugët ilegale për t’u larguar nga Kosova?

Isa Mustafa: Unë e kam kuptuar më vonë se në vlugun e njerëzve, të cilët kanë kërkuar strehim në vendet e tjera ka qenë edhe vëllai im. Mirëpo, për sa kam informacione, ka qenë për nevoja personale e shëndetësore, sepse vuan për një kohë të gjatë nga një sëmundje e rëndë, për të cilën nuk ka gjetur shërim këtu.

Mirëpo në asnjë rast nuk e ka çelë kurrë bisedën në familjen e gjerë se ai do të kërkojë strehim jashtë, edhe përmes strehimit do të kërkojë edhe shërimin.

Mua më ka ardhur keq kur e kam dëgjuar atë informatë. Por, edhe ai ka ndarë fatin e shumë qytetarëve tanë, të cilët qoftë për shkak të problemeve sociale, të papunësisë apo të shpresës së do të zgjidhen problemet e tyre jashtë vendit, e ka bërë këtë, në mënyrë që të gjejë zgjidhje shëndetësore për një periudhë të caktuar kohore.

Kjo nuk është arritur, ai është kthyer dhe është këtu. Unë e kam dhënë edhe përmes Facebook-ut një shpjegim se ka pasur edhe tjerë njerëz nga familja e gjerë që në atë kohë janë mashtruar, kanë shkuar duke shpresuar se do të gjejnë zgjidhje jashtë. Për fat, të gjithë po kthehen këtu dhe ne po mundohemi që të punojmë për avancimin e sistemit shëndetësor në mënyrë që njerëzit të gjejnë shërbime shëndetësore brenda vendit.

Ashtu edhe për zhvillimin ekonomik, tërheqjes së investimeve të huaja, në mënyrë që të hapen vende të reja pune për të gjithë qytetarët; edhe sa i përket forcimit të shtetit ligjor, në mënyrë që t’i plotësojmë kushtet për liberalizimin e vizave dhe ata që eventualisht do të kishin nevoja të tilla, të mund të lëvizin deri atje dhe të kthehen në Kosovë, dhe jo t’i shfrytëzojnë rrugët ilegale për t’i zgjidhur këto probleme.

Ndërkaq është opinioni ai i cili do të vlerësojë se a është çështja e një të sëmuri të bëhet temë për të gjithë Kosovën. Nuk është në vullnetin tim dhe qëndrimin tim që këtë ta them.

Radio Evropa e Lirë: Është folur që ka shfrytëzuar rrugët ilegale. A nënkupton kjo që Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të informojë qytetarët se mund të shfrytëzohen edhe rrugët legale, të cilat ua mundësojnë pacientëve që të gjejnë shërim jashtë vendit?

Isa Mustafa: Disa nga rrugët legale janë shfrytëzuar edhe më parë, nga pacientë të ndryshëm, përmes dëshmive, vërtetimeve të ndryshme se ata nuk gjejnë shërim këtu dhe duhet të shërohen jashtë; mirëpo edhe përmes sigurimit të garancionit të spitaleve të jashtme është punuar, dhe ne tani po mundohemi që të gjitha këto raste sa më shumë t'i trajtojmë brenda vendit dhe të ngushtohet maksimalisht lista e atyre që duhet, sipas ekspertizës së komisioneve shëndetësore të shërohen jashtë. Unë mendoj se kjo do të arrihet.

Radio Evropa e Lirë: Ndoshta është çështje personale, mirëpo a keni biseduar me vëllanë? Cilat kanë qenë ato preokupimet kryesore që nuk e ka shfrytëzuar rrugën e institucioneve për të kaluar jashtë vendit?

Isa Mustafa: Ai ka qenë në shërim të gjatë, këtë rast nuk e kam biseduar konkretisht sepse më është dukur që po i hap varret dhe dhimbjet edhe atij që është në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore dhe nuk kam dashur që të merrem me atë. Megjithatë është e drejtë e tij, është i moshës së pjekur i moshës së shtyrë, ka familjen e tij, dhe nuk mund ta shfrytëzoj pozitën e kryeministrit që të ndikoj te ai, edhe pse me të vërtetë më ka ardhur mjaft keq kur kam dëgjuar se ka qenë i shtytur nga sëmundja që të bëjë një veprim të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Jeni cituar nga i njëjti medium se keni telefonuar gazetarin dhe e keni fyer atë. Cili është versioni juaj i këtij rrëfimi?

Isa Mustafa: Nuk flitet këtu për version. Ajo që kam pasur për të thënë në këtë situatë, është ajo që kam dhënë në Facebook dje, aty i kam dhënë qëndrimet, dhe asnjë rast tjetër nuk e kam shfrytëzuar as të kërcënoj, as të fyej dikë.

I vetmi qëndrim i imi, i cili është dhënë, dhe i vetmi prononcim i imi dhe komunikim, është ai përmes Facebook-ut dhe ai mbetet qëndrim. Mendoj se ka qenë qëndrim i drejtë.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë nuk e keni telefonuar gazetarin?

Isa Mustafa: Po them prapë që ajo që unë e kam thënë në këtë rast, në këtë relacion, është qëndrimi që kam dhënë përmes Facebook-ut.

Pjesa e dytë e intervistës me kryeministrin Isa Mustafa do të publikohet nesër. Aty kryeministri i Kosovës flet në lidhje me kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme. Për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Po ashtu, Mustafa flet edhe në lidhje me procesin e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe bisedimet me Listën Serbe për këtë çështje.

XS
SM
MD
LG