Ndërlidhjet

Vjedhjet, fenomen shqetësues në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Krahas krimeve të rënda, një fenomen shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi private, institucione financiare, vetura e dyqane.

Sipas Kodit Penal të Republikës se Kosovës, vjedhje klasifikohet vepra kur një personi tjetër i merret pasuria, e cila vlerësohet në shumën prej pesëdhjetë eurosh e më shumë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër.

Në raportet e përditshme të Policisë së Kosovës, jo rrallëherë paraqiten këso lloj rastesh. Por, policia nuk ka të dhëna të sakta rreth numrit të vjedhjeve të paraqitura për muajt e parë të këtij viti. Andaj, kryesisht shërbehet me statistika të dy viteve paraprake. Gjatë vitit të kaluar, sipas policisë, janë raportuar rreth 6,000 raste të klasifikuara si vjedhje.

Por, nëse krahasohen të dhënat e rasteve të vjedhjeve të vitit të kaluar me ato të vitit 2014, Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, thotë se vërehet një rënie prej rreth 23 për qind.

“Mund të them se numri i vjedhjeve gjatë vitit 2015 ka shënuar rënie nga 7,740 raste sa kanë qenë në vitin 2014, në vitin 2015ka rënë në 5,980 raste. Kryesisht në rastet e vjedhjeve hyjnë gjësendet e ndryshme, duke filluar nga ato kompjuterike, elementet e teknologjive të ndryshme, po ashtu edhe vjedhjet brenda objekteve të banimit”, thotë Kelani.

Këtë fenomen, sociologët e lidhin me shkallën e lartë të papunësisë dhe varfërisë. Vjollca Krasniqi, profesoreshë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, thotë se vjedhja nuk është fenomen i ri, por as i pranishëm vetëm në Kosovë.

“Kjo lidhet shumë me dinamikat shoqërore, nëpër të cilat kalojnë shoqëritë e ndryshme. Një nga faktorët kryesorë që ne duhet të marrim parasysh, kur trajtojmë fenomenin e vjedhjes, është se cila është mesatarja e jetës dhe shkalla e papunësisë në Kosovë”.

“Kjo nuk do të thotë se ne duhet të jemi më pak kritikë ndaj personaveqë vjedhin, por duhet të shikojmë faktorët strukturorë, të cilët gjenerojnë pabarazi, duhet të krijohet një shoqëri që vjedhjen të mos e shohë si dalje nga kriza, në të cilën ata përballen”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Por, megjithatë, nga aktet e tilla qytetarët mund të ndihen të pasigurt dhe të pambrojtur, thotë Krasniqi.

“Aty ku ka vjedhje, indeksi i sigurisë është më i ulët. Qytetarët nuk ndihen të sigurt. Po ashtu, kjo ka një ndikim negativ edhe në mundësinë e gjenerimit të qyteteve, bizneseve, sepse bizneset nuk shkojnë aty ku ka krim më të lartë, në këto hapësira qytetarët nuk blejnë banesa, shtëpi. Kjo është shqetësuese, pasi njerëzit ndihen të pasigurt për veten dhe pronën e tyre”, thekson Krasniqi.

Policia e Kosovës, thotë Kelani, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme duke përfshirë edhe sjelljen e kryeseve të këtyre akteve të vjedhjes para drejtësisë.

“Policia e Kosovës, bazuar në objektivat strategjikë të saj, ka pasur njërën nga objektivat kyç parandalimin e të gjitha dukurive negative në përgjithësi, e në veçanti edhe parandalimin e rasteve të vjedhjeve, përfshirë këtu vjedhjet e rënda dhe grabitjet”.

“Policia e Kosovës, gjatë vitit të kaluar ka ndaluar 3,873 persona të dyshuar për shkak të përfshirjes në akte të ndryshme kriminale. Në këto raste hyjnë edhe persona që kanë shkaktuar edhe vepra kriminale tjera”, bën të ditur Kelani .

Sipas Kodit Penal të Kosovës, personat që kryejnë vjedhje apo grabitje me përdorim të forcës apo kanosje serioze për personin tjetër, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, dënohen me burgim nga 3 deri në 12 vjet.

XS
SM
MD
LG