Ndërlidhjet

Opozita paralajmëron bojkotimin e zgjedhjeve ne Maqedoni


Partitë në pushtet VMRO DPMNE dhe BDI, shprehen të vendosura të shkojnë në zgjedhje me pesë qershor.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, i ka bërë thirrje të gjitha partive politike në opozitë, sektorit civil si dhe të gjithë qytetarëve për formimin e një fronti të përbashkët që do ta luftojë regjimin e Nikola Gruevskit.

“Ju ftoj për formim të frontit të gjerë popullor të Maqedonisë së lirë kundër Gruevskit. Ftoj që platformës për Maqedoni të lirë t’i bashkangjiten partnerët e koalicionit të LSDM-së, partitë politike, profesorët, intelektualët, sindikatat, të punësuarit, të papunësuarit, luftëtarët për liri. Bashkë e vazhdojmë luftën për një Maqedoni demokratike”, ka deklaruar lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev.

“Maqedonia nuk do të pranojë zgjedhje të njëanshme. Kërkojmë një Maqedoni të lirë, në funksion të ruajtjes së interesave të Maqedonisë. Ose Gruevski ose Maqedonia”, ka shtuar Zaev.

Ai ka njoftuar se gjatë ditës së premte partia e tij do të marë vendim nëse do t'i tërheq anëtarët e deleguar nga kjo parti në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

“Me sjelljen e vendimit të njëanshëm nga VMRO-ja dhe BDI-ja për shpërndarje të Kuvendit, zgjedhjet u bënë të pamundshme, për këtë arsye opozita do t’i përdorë të gjitha mjetet që i ka në disponim. Marrëveshja politike e Përzhinos mbetet e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë. E dimë që nuk ka kushte për zgjedhje të rregullta pa pastrimin e listave zgjedhore”, tha Zaev.

Përderisa lideri i partisë maqedonase në pushtet VMRO DOMNE, Nikolla Gruevki, ish kyeministër i Maqedonisë, tha se krizës duhet t'i jepet fund me organizimin e zgjedhjeve më 5 qershor sepse të gjitha pikat e marrëveshjes politike janë realizuar.

Gruevski tha se Zaevi ka frikë nga zgjedhjet sepse të gjitha anketat tregojnë qartë se partia e tij do të dalë humbëse në zgjedhjet e qershorit.

“Kushte për zgjedhje ka, dhe cdo kush ka të drejtë të vendos që në ato të marrë pjesë ose jo. Mjaft ishte, kjo krizë duhet të përfundojë. Pas kësaj krize nuk qëndron lufta për liri të mediave, dhe korrupsionit. Pas kësaj qëndron frika dhe tentimi për ndryshimin e dhunshëm të Qeverisë në Maqedoni, nga opozita e cila është e humbur”, ka theksuar Gruevsk .

Pro mbajtjes së zgjedhjeve është shprehur edhe partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim. Lideri i kësaj partie Ali Ahmeti tha se me pesë qershor do të ketë zgjedhje dhe partia që drejton ai do të marrë pjesë në to.

Ndërkohë Partia Demokratike Shqiptare ka përsëritur se qëndron pas deklaratës së liderit të kësaj partie, Menduh Thaçi, se më me rëndësi është përmbushja e kushteve, se sa data e zgjedhjeve.

Pëderisa të gjitha partitë shqiptare të cilat nuk janë të përfaqësuara në parlament, Lëvizja Besa, Rilindja Demokratike, Lëvizja për Reforma, në Partinë Demokatike Shqiptare janë shprehur se do t'i bojkojtojnë zgjedhjet përderisa nuk plotësohen të gjitha kushtet për zgjedhje fer dhe demokratike.

XS
SM
MD
LG