Ndërlidhjet

Shqiptarët protestojnë me moton “NDAL”


Protestojnë shqiptarët në Maqedoni
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:24 0:00

Protestojnë shqiptarët në Maqedoni

Në Shkup qindra shqiptarë protestuan me moton "NDAL", të organizuar nga Lëvizja për Reforma, e Partisë Demokratike Shqiptare, Rilindja Demokratike Kombëtare, Shoqata e ish të Burgosurve Politik, organizata civile “Illyricum Libertas” dhe familjarët e të burgosurve në rastin “Monstra”.

Protestuesit thanë se kanë dalë për t’i thënë ndal sistemit diskriminues dhe fashizoid, ndal krimit dhe korrupsionit, proceseve të montuara politike dhe burgosjeve të shqiptarëve.

Ata u shprehën kundër Qeverisë aktuale, e cila, siç u tha, po dëmton interesat e shqiptarëve, duke i dhënë mbështetje të plotë Prokurorisë Speciale që të hetojë të gjithë politikanët e përfshirë në krim.

“Nuk ka shqiptar që nuk e përkrah prokuroren Fatime Fetai, që është pjesë e Prokurorisë Speciale. Ka ardhur koha që ne më të mos kërkojmë prej të tjerëve, sepse s`kemi se çka kërkojmë nga të tjerët. Por, kërkesa tona do t`ia drejtojmë popullit dhe prej atij momenti realizimi i këtyre kërkesave, do të jetë kusht për ekzistimin e Parlamentit të Maqedonisë dhe Qeverisë".

"Jemi këtu për të bërë hapin e parë për kthimin e demokracisë, demokraci e cila është dhunuar për 25 vjet, edhe pse kemi pasur deputetë të zgjedhur shqiptarë në Parlament”, tha Zijadin Sela, drejtues i Lëvizjes për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare.

Ndërkaq, Shpëtim Pollozhani, drejtues i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë Shqiptarë, tha se deri më tani se zëri i shqiptarëve nuk arrin të dëgjohet.

“Në të gjitha shtetet e Evropës juglindore, numri i të burgosurve politikë është në rënie, duke shkuar në zero me demokratizimin e këtyre vendeve. Por, vetëm në Maqedoni numri i të burgosurve politikë shqiptarë dita-ditës rritet.Kjo tregon qartë për gjendjen e shqiptarëve dhe diskriminimin e tyre”, u shpreh Pollozhani.

Ndërkaq, Mubedin Sulejmani, tha për Radion Evropa e Lirë, se ka dalë për të protestuar për largimin e Qeverisë aktuale, sepse në vazhdimësi i ka dëmtuar interesat e shqiptarëve.

“Partia shqiptare në pushtet automatikisht duhet të dalë nga Qeveria e kryesuar nga partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, sepse kjo qeverisje në vazhdimësi punon në dëm të interesave të shqiptarëve; sepse VMRO DPMNE-ja ka dëshmuar se është një parti nacionaliste”, theksoi Sulejmani.

Përderisa ish-deputeti nga zona e Karadakut, ish-përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Hisni Shaqiri, tha se në këtë kohë protestat nuk duhet të ndalen po ata duhet të mbështeten nga gjithë shqiptarët.

Ne jemi kundër politikave të kësaj Qeverie, e cila shqiptarët i ka diskriminuar me lloj-lloj procesesh të montuara politike kundër tyre, duke u goditur ish-përfaqësuesit e UCK-së. Në shumë situata në Maqedoni shqiptarët e pafajshëm janë vrarë ose janë dënuar me burgim të përjetshëm”, deklaroi Shaqiri.

Organizatorët e protestave të së premtes thanë se do të vazhdojnë të protestojnë kundër Qeverisë aktuale, e cila nuk rresht së diskriminuari shqiptarët, po nuk do t`u bashkohen protestave, që organizohen për çdo natë në qendër të Shkupit, kundër qeverisë nga lëvizja qytetare “Protestoj”.

Ndërkohë për të dhjetën ditë me radhë, në Shkup kanë vazhduar protestat kundër politikave të Qeverisë nën organizimin e iniciativës qytetare “Protestoj”.

Njëkohësisht, janë mbajtur edhe kundër-protesta në mbështetje të politikave të pushtetit.

XS
SM
MD
LG