Ndërlidhjet

Obama realizon vizitën historike në Japoni


Presidenti amerikan, Barack Obama, vendos kurora lulesh në memorialin në Hiroshimë, 27 maj 2016
Presidenti amerikan, Barack Obama, vendos kurora lulesh në memorialin në Hiroshimë, 27 maj 2016

I bindur se ky është momenti i duhur, përfundimisht, presidenti Barack Obama e ka vizituar sot Hiroshimën, duke u bërë presidenti i parë amerikan në detyrë që ka qëndruar në vendin ku është lëshuar bomba e parë atomike në botë.

"Para 71 vitesh, vdekja ra nga qielli dhe bota ndryshoi", tha presidenti Obama, pas vënies së kurorave me lule në monumentin që përkujton viktimat e Hiroshimës.

Presidenti Obama tha se vizita ka për qëllim që t'i nderojë të gjithë ata që vdiqën gjatë Luftës së Dytë botërore. Por, presidenti Obama nuk kërkoi falje për lëshimin e bombës atomike.

Më 6 gusht të vitit 1945, SHBA lëshoi bombën atomike në Hiroshimë të Japonisë, duke vrarë menjëherë 80 mijë njerëz.

Ky sulm - i pasur edhe me një tjetër pas tri ditësh në Nagasaki - besohet se ka sjellë një përfundim të hershëm të Luftës së Dytë Botërore.

Në vendin që përjetoi shumë vuajtje dhe humbje, aty ku forcat amerikane lëshuan bombën e parë atomike, që e nisi edhe periudhën e armëve bërthamore, Obama bëri homazhe për 140 mijë njerëz që vdiqën nga sulmi i para shtatë dekadave.

Ashtu edhe siç parashikohej nga mediet, presidenti Obama nuk kërkoi falje dhe nuk kritikoi vendimin e presidentit të atëhershëm amerikan, Harry Truman, për të përdorur fuqinë e tmerrshme të armëve bërthamore.

Ai ofroi një reflektim të lehtë, duke pranuar shifrën shkatërruese të luftës, si dhe duke e shoqëruar atë me mesazhin se bota mundet, dhe duhet të veprojë më mirë.

Presidenti Obama sot ka përshëndetur "aleancën e madhe" ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë, vetëm disa orë para vizitës historike në Hiroshimë.

"Ne po e rikonfirmojmë një prej aleancave më të mëdha në botë, ndërmjet Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara", u ka thënë Obama trupave në bazën ushtarake në Iwakuni, në perëndim të Japonisë, raporton Reuters.

SHBA ka rreth 47 mijë njerëz, që janë personel i vendosur në Japoni, si pjesë e aleancës së sigurisë, që u ngrit nga pushtimi amerikan, si pasojë e Luftës së Dytë Botërore.

"Ne asnjëherë nuk duhet të harrojmë se duhet t'i nderojmë të gjithë ata që kanë dhënë gjithçka për lirinë tonë", ka thënë Obama para trupave amerikane dhe japoneze, që brohorisnin, duke shtuar se ai është shumë krenar me ta.

Obama u ndal në bazën në Iwakuni para vizitës në Hiroshimë, vendi që përjetoi sulmin e parë bërthamor në botë; një udhëtim që asnjë nga paraardhësit e tij të pas luftës nuk e ka realizuar.

"Kjo është një mundësi për t'i kujtuar ata që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore", ka thënë Obama, citon agjencia Reuters.

Gjatë vizitës në Hiroshimë, Obama është shoqëruar nga kryeministri japonez, Shinzo Abe.

Vizita e Obamës në Hiroshimë vjen pas pjesëmarrjes së tij në samitin e grupit të shtatë fuqive ekonomike, të mbajtur këtë javë në Japoni.

(REL)

Përgatiti: Valjeta Kosumi


Facebook Forum

XS
SM
MD
LG