Ndërlidhjet

Opozita e çakorduar në veprime


Liderët e partive opozitare në Kosovë: Fatmir Limaj nga Nisma (majtas), Ramush Haradinaj (AAK) dhe Visar Ymeri (Vetëvendosje)
Liderët e partive opozitare në Kosovë: Fatmir Limaj nga Nisma (majtas), Ramush Haradinaj (AAK) dhe Visar Ymeri (Vetëvendosje)

Partitë opozitare paralajmërojnë ndërmarrjen e masave dhe veprimeve të ndryshme në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Përderisa Vetëvendosje ka marrë vendim që kundërshtimin ta nis nga Kuvendi i Kosovës, një veprim të tillë nuk e përjashton as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), në seancën kur do të vihet për ratifikim demarkacioni me Malin e Zi, ndërsa subjekti i tretë opozitar Nisma për Kosovën ende nuk ka një vendim si do të veprohet ditëve në vijim.

Pavarësisht këtyre pozicioneve, si qëndrim i përbashkët i opozitës është kundërshtimi i synimeve të koalicionit qeveritar për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, ndonëse edhe në këtë pikë ka dallime rreth formave dhe veprimeve.

Vetëvendosje nuk e ka përjashtuar as përdorimin e gazit lotsjellës dhe formave që janë përdorë nga opozita vjeshtën e vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Por, veprime të tilla nuk po mbështeten më nga dy subjektet tjera opozitare, AAK dhe Nisma.

Pal Lekaj, nënkryetar i AAK-së, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se me veprime të ndryshme politike do të kundërshtohet ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Ndërkaq, ai e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të gazit lotsjellës, siç është vepruar në të kaluarën.

"Do të thotë, kundërshtime të ndryshme me të gjitha ato mjete që ne mendojmë se janë të pranueshme dhe që do ta ndalonin ketë ratifikim të marrëveshjes. Ajo që mund të them lirshëm është se unë kam biseduar me shumë deputetë edhe të pozitës, dhe as ata nuk pajtohen që në nguti dhe pa rinegociim të ratifikohet kjo marrëveshje", tha Lekaj.

Kurse, në partinë politike Nisma për Kosovën mendojnë se kthimi në Kuvend nuk është më zgjidhje, por paralajmërojnë forma tjera kundërshtimi. Haxhi Shala, deputet nga radhët e kësaj partie, tha për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja aktuale për demarkacionin me Malin e Zi, si e tillë, nuk do të pranohet në asnjë rrethanë.

"Ne, si parti politike opozitare, do ta kundërshtojmë, por format nuk i kemi përcaktuar se si. Po ashtu, ende nuk dihet a do të jemi atë ditë në seancë apo do ta kundërshtojmë jashtë. Ne jemi duke i diskutuar format e kundërshtimit të kësaj marrëveshje, por ende nuk kemi diçka të qartë se me çfarë forma do të kundërshtohet. Liderët e partive politike janë duke i diskutuar format e kundërshtimit që do të bëhen", tha Shala.

Veprimet e fundit të partive politike opozitare, për analistin politik Driton Selmanaj, shihen si të çakorduara. Sipas tij, veprimet për të braktisur kuvendin, janë absurde. Ai thotë se kthimi i subjektit më të madh opozitar në kuvend është për tu admiruar.

"Konsideroj se kthimi i tashëm i Vetëvendosjes në Kuvend është një lajm i mirë, në kontekstin e kthimit të jetës parlamentare publike në Kosovë. Por, normalisht, nëse ata vinë aty për të bërë alternativa konkrete dhe për të kundërshtuar me mjete demokratike", tha Selmanaj.

Tutje, Selmanaj thotë se në politikën kosovare ka mekanizma institucionalë që mund t'u japin një përfundim të duhur dy çështjeve kryesore politike aktuale; asaj të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionit e kufirit me Malin e Zi.

"Çdo tendencë, qoftë nga pushteti, që këto tema të përfundojnë sipas dëshirës e tekeve të tyre pa e konsultuar fare opozitën, apo edhe çdo tendencë tjetër e opozitës për të mos u përfshirë në komisionet eventuale, i bie që të rikthehemi edhe një here te skenat që i kemi parë, që t’i rikthehemi edhe një herë dhunës dhe situatave jo të këndshme që i kemi pasur", deklaroi Selmanaj.

Përderisa Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur të procedojë në Kuvend ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, partitë politike opozitare thonë se do të angazhohen që kjo marrëveshje, siç qëndron aktualisht, të mos kalojë.

Sipas tyre, për të zgjidhur këtë çështje, duhet që fillimisht marrëveshja aktuale të anulohet dhe më pas të formohet një komision i ri qeveritar, me pjesëmarrje të ekspertëve vendor dhe përfaqësues të partive politike opozitare. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG