Ndërlidhjet

Entuziazmi për Shqipërinë, lë në hije favoritët


Një tifoz i ekipit shqiptar, tetor 2015
Një tifoz i ekipit shqiptar, tetor 2015

Kampionati evropian i futbollit, Franca 2016, i cili nisë të premten, me ndeshjen startuese ndërmjet nikoqirit Francës dhe Rumanisë, ka ngjallur interesim mjaft të madh te dashamirët e futbollit në Kosovë. Kjo për faktin se një ditë më pas zhvillohet takimi ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës.

Njohësit e futbollit presin që ky kampionat të jetë mjaft cilësor, duke marrë parasysh që në këtë edicion është rritur numri i përfaqësueseve pjesëmarrëse në 24, në krahasim me kampionatin e vitit 2012 ku ishin 16 përfaqësuese konkurrente.

Arbnor Morina, trajner i futbollit, duke folur për Radion Evropa e Lirë vlerëson se pritjet që kampionati evropian në Francë të jetë cilësor janë mjaft të arsyeshme, për faktin se përfaqësueset pjesëmarrëse në kampionat gjatë kualifikimeve kanë treguar lojëra mjaft të mira.

Megjithatë, sipas tij, ashtu sikurse edhe në kampionatet paraprake, rezultatet e mundshme dhe avancimet drejt finales parashikohen për kombëtaret favorite, të cilat sipas tij, janë ajka e futbollit evropian.

“Do të thotë, gjermanët, francezët, spanjollët, pastaj italianët të cilët kanë ekip, të cilët me probleme gjithmonë e fillojnë por përfundojnë në gjysmëfinale dhe finale. Për shembull, një Belgjikë, e cila ka një ekip shumë të mirë ose i kemi anglezët, të cilët pas një kohe mjaft të gjatë e kanë bërë prapë një ekip të mirë dhe në fazën e kualifikimeve kanë luajtur mjaft sigurt dhe mirë, me një numër të madh të lojtarëve të rinj që nuk ka qenë karakteristikë e tyre më parë. Kemi portugezët, të cilët kanë individualistë shumë të fortë, mirëpo që në kampionatet për një kohë të gjatë nuk kanë fituar asgjë. Megjithatë, janë aty. Mund të dalë edhe ndonjë ekip që mund të bëj befasi”, thotë Morina.

Trajneri Morina shton se një nga karakteristikat e kampionatit të sivjetmë evropian është numri i madh i lojtarëve shqiptarë pjesëmarrës, të cilët luajnë edhe në disa kombëtare tjera të vendeve evropiane.

Disa qytetarë të Prishtinës, dashamirë të futbollit, thonë se e presin me mjaft interesim fillimin e kampionatit. Por, ata e vënë theksin në ndeshjen e cila pritet të luhet të shtunën, më 11 qershor, ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës.

Andi Karaxhiu thotë se të rinjtë, deri në këtë kampionat, kanë pasur favoritët e tyre, për të cilët kanë bërë tifozllëk, por pjesëmarrja e Shqipërisë në kampionatin e sivjetmë i ka ndryshuar gjërat.

“Favorit për mua është Gjermania, për të gjithë kampionatin, por qejfi jonë është që të fitojë Shqipëria. Për Shqipërinë do të bëjmë tifo, por vështirë e kemi të fitojmë nga Zvicra, sepse kanë lojtarë më me klasë, janë më të fortë, sikurse Shaqiri apo Granit Xhaka. Edhe ata janë shqiptarë, por janë kundër nesh në lojë”, thotë ai.

Arsim Zabelaj thotë se ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës, në kuadër të kampionatit në Francë, për të paraqet ndeshjen e shekullit, për faktin se edhe në ekipin e Zvicrës ka mjaft shqiptarë.

“Të tjerat, më janë ‘nxirë’ krejt. Nuk po i shoh më të tjerat, përveç Shqipërisë. Nesër do të jetë, për mua, ndoshta loja e shekullit. Vëllezërit tanë do të ndeshen ndërmjet tyre dhe besoj që ndeshja do të jetë shumë e mirë. Shpresoj që të mos ketë inate ndërmjet shikuesve”, thotë Zabelaj.

Mendim të ngjashëm ka edhe Elbasan Ademaj, i cili pret që Evropiani i sivjetmë në Francë të ofrojë, para së gjithash, kualitet dhe cilësi të futbollit. Por, megjithatë, entuziazmi për një paraqitje të mirë të kombëtares së Shqipërisë, sipas tij, nuk mund të fshihet nga askush.

“Kampionatin evropian 2016 e presim shumë mirë, sepse Shqipëria merr pjesë sivjet, për herë të parë. Normalisht që do ta përcjell kampionatin prej ndeshjes së parë. Emocionet janë normale, sepse luajnë shqiptarët me shqiptarë që janë në Zvicër. Shpresoj për një fitore të Shqipërisë”, thotë Ademaj.

Por, trajneri Morina vlerëson se Shqipëria tashmë e ka arritur atë që është pritur me dekada, pra, pjesëmarrjen në kampionat evropian të futbollit.

"Është bërë një ekip shumë kompakt, që e ka dëshmuar veten gjatë kualifikimeve dhe mendoj që edhe në këtë kampionat evropian nuk është pa gjasa. Ndonëse shumë trajnerë thonë se puna e eksperiencës dhe shumë gjëra tjera mund ta lënë Shqipërinë pak më anash, por disa hulumtime që po i bëjnë kompanitë e njohura tregojnë që Shqipëria nuk është pa gjasa. Mendoj që Shqipëria, nëse rezultatet e kundërshtarëve të saj në ndeshjet e ndërsjella shkojnë në favor saj, ka gjasa që ta kalojë turnin e parë”, shprehet Morina.

Kampionati Evropian i Futbollit në Francë do të zgjasë një muaj dhe ndeshja finale, e cila do ta përcaktojë kampionin evropian për katër vjetët e ardhshëm, do të luhet me 10 korrik. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG