Ndërlidhjet

Shtatorja e Car Llazarit, kompetencë e komunës së Mitrovicës veriore


Përmendorja e Princ Llazarit në Mitrovicën e veriut
Përmendorja e Princ Llazarit në Mitrovicën e veriut

Përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, me mbështetje të Qeverisë së Serbisë, po shënojnë edhe sivjet përvjetorin e asaj që njihet si beteja mesjetare e Kosovës e vitit 1389.

E veçanta e kësaj kremte këtë vit do të jetë zbulimi i shtatores së Car Llazarit në sheshin qendror në Mitrovicën veriore.

Vendimin për ta vendosur këtë shtatore e ka marrë asambleja komunale e kësaj komune, në një seancë të jashtëzakonshme, të mbajtur më 17 qershor, me praninë vetëm të këshilltarëve serb, që përbëjnë shumicën aty.

Në bazë të atij vendimi, të dielën vonë, me një kamion është sjellë kjo shtatore në sheshin qendror të Mitrovicës së Veriut.

Për këtë veprim, autoritetet lokale në veri të Mitrovicës nuk janë konsultuar me qeverinë qendrore në Prishtinë.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka kërkuar interpretimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo e dyta, në një përgjigje me shkrim, konsideron se është në kompetencë të Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore që të vendos në lidhje me shtatoren e, siç thuhet, Knjaz Llazarit.

Ngritja e shtatores së Car Llazarit përkon me aktivitetet që po organizohen në Kosovë nga përfaqësuesit e komunitetit serb dhe qeveria e Serbisë, për ditën e Shën Vidit, apo siç e quan komuniteti serb, "Vidovdani".

Ishte pikërisht data e kësaj beteje, kur ish-diktatori Sllobodan Millosheviq paralajmëroi, e më pas edhe suprimoi autonominë politike të Kosovës në ish-Jugosllavi, që më pas u përcoll me protesta, deri te konflikti dhe lufta e armatosur që çoi deri te ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, vendosja e saj nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe pavarësimi i Kosovës.

Analisti Driton Selmanaj, nga Demokraci Plus, thotë se Serbia gjithë politikën e saj në raport me Kosovën e bazon në të kaluarën historike, qoftë ajo edhe histori e errët, e krijuar dhe modifikuar për interesat e saj dhe në dëm të kombeve tjera.

Kthimi te nacionalizmi dhe urrejtja nacionale, vijon Selmanaj, minon edhe përpjekjet që po bëhen për relaksimin e raporteve të Kosovës me Serbinë në njërën anë, dhe shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës në anën tjetër.

“Ajo çka për mua është shqetësim, është njëfarë lloj inferioriteti, një neglizhencë e qasjes së Prishtinës zyrtare ndaj secilit fenomen që po na ndodhë në Kosovë. Dhe çfarë është kjo, sikur qeveria e Kosovës është shndërruar në një spektator të ngjarjeve që ndodhin në territorin e Kosovës, qoftë me “Luginën e Diellit”, qoftë me festimet e 28 qershorit apo vendimin për ndërtimin e parkut Car Llazari në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë Selmanaj.

Marrë parasysh mospërfilljen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, Selmanaj thotë se qeveria do të duhej të rishqyrtonte pozicionin e saj në dialogun politik që po zhvillohet me këtë shtet.

“Duhet rishikuar raportet, me kënd dhe çfarë po bisedojmë, kur para syve tonë dhe në oborrin tonë po bëhen eksperimente të cilat mund të kenë pasoja në atë që po investohet më së shumti – në ndërtimin e një raporti miqësor, eventual, mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës, si dhe Republikës së Serbisë në anën tjetër”, është shprehur Selmanaj.

Car Llazari, nga serbët, njihet si komandanti që u ka prirë ushtrive ballkanike në përballjen me Perandorinë Osmane, 627 vjet më parë, në atë që njihet si “Beteja e Kosovës”.

Shtatorja e tij është e gjatë rreth 8 metra dhe e rëndë mbi 7 ton, kurse është vendosur në një plato betoni të lartë tri metra.

Kjo shtatore do të zbulohet të martën, në një ceremoni ku është paralajmëruar se do të jetë i pranishëm edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Përveç ngritjes së kësaj shtatoreje, parashihet që nesër të mbahet një liturgji në Manastirin Ortodoks në Graçanicë, si dhe të organizohet vizita tek monumenti në Gazimestan, në periferi të Prishtinës. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG