Ndërlidhjet

NATO miraton vendosjen e trupave të reja në Evropën Lindore


Samiti i NATO-s në Poloni, 8 korrik, 2016
Samiti i NATO-s në Poloni, 8 korrik, 2016

Udhëheqësit e NATO-s miratuan të premten dislokime të reja të forcave të armatosura në lindje të Evropës, në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj agresivitetit në rritje nga Rusia.

Udhëheqësit e 28 vendeve anëtare zyrtarisht autorizuan katër batalione shumëkombëshe, me nga 1,000 trupa, të cilat do të udhëhiqen nga Kanadaja, Gjermania, Britania dhe Shtetet e Bashkuara dhe do të vendosen në Poloni dhe në tri shtetet baltike: Letoni, Lituani dhe Estoni.

NATO po ashtu u zotua se do të adresojë një varg sfidash të tjera, si ekstremistët e Shtetit Islamik, sulmet kibernetike dhe konfliktet që kanë nxitur miliona njerëz të kërkojnë strehim në Evropë.

Samiti dyditësh i NATO-s në Varshavë vjen në kohën kur vendimi i Britanisë së Madhe për të braktisur Bashkimin Evropian ka hedhur hije mbi unitetin e Perëndimit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se ky samit mund të jetë “momenti më i rëndësishëm për aleancën transatlantike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë”.

“Jemi mbledhur në kohën e pasigurive në rritje”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke hapur samitin dhe duke falënderuar ushtarët që mbrojnë “afro një miliard njerëz në 28 shtetet anëtare të aleancës në Evropë dhe në Amerikën Veriore”.

“Do të marrim vendime të rëndësishme për të forcuar mbrojtjen e vendeve tona nga sulmet prej çdo drejtimi”, shtoi Stoltenberg.

Pjesa më e madhe e fokusit është te Rusia, e cila ka aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina në mars të vitit 2014 dhe vazhdon të mbështesë separatistët në lindje të Ukrainës.

“Agresioni i Rusisë në Ukrainë kërcënon vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”, ka shkruar presidenti Obama në një koment të publikuar në gazetën Financial Times, disa orë përpara fillimit të samitit.

Ai ka vënë theksin edhe te sulmet e Shtetit Islamik, të cilat, sipas tij, “kanë masakruar njerëz të pafajshëm në vendet e NATO-s, nga Orllando deri në Paris, Bruksel e Stamboll”.

“Besoj se vendet tona duhet të kenë vullnet politik dhe të bëjnë angazhime konkrete për t’u përballur me këto sfida”, ka shkruar Obama në Financial Times.

Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë ka rritur shqetësimet në vendet lindore të NATO-s, përfshirë Poloninë dhe shtetet e Baltikut, të cilat kanë qenë nën kontrollin e Moskës deri në rënien e komunizmit dhe në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, një çerek shekulli më parë.

“Jemi dëshmitarë të një politike të agresionit dhe mungesës së respektit për të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin e brendshëm dhe integritetin territorial”, tha nikoqiri i samitit, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.

Udhëheqësit e Finlandës dhe të Suedisë po marrin pjesë në samitin e NATO-s për herë të parë, gjë që tregon për rritjen e bashkëpunimit në kohën e rritjes së aktiviteteve ushtarake të Rusisë pranë kufijve të tyre.

Planet e NATO-s për të rritur mbrojtjen kanë zemëruar Moskën, e cila, për kohë të gjatë, ka akuzuar aleancën për nxitje të armiqësive me zgjerimin e saj në lindje.

Në një intervistë për gazetën Kommersant, ambasadori i Rusisë në NATO, Aleksandr Grushko, ka thënë se aleanca ka “agjendë konfrontuese” dhe se Moska do të ndërmarrë kundërmasa.

NATO i hedh poshtë këto akuza, duke thënë se agresioni i Rusisë në Ukrainë ka detyruar përgjigjen.

Kritikët e lëvizjeve të NATO-s thonë se dislokimet e planifikuara nuk janë të mjaftueshme për të shërbyer si pengesë serioze ndaj Rusisë dhe se vetëm mund të rrisin zemërimin e saj.

Por, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, në forumin e ekspertëve në Varshavë, ka thënë se “Putin nuk ka nevojë për provokime, ai është provokues”.

Një gjë që nuk pritet të në Varshavë janë lëvizjet drejt anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO, të cilat, tash e ca vite, kanë aspirata të tilla.

Mali i Zi është duke marrë pjesë në samitin e Varshavës me status vëzhguesi, pasi ka nënshkruar Protokollin e Anëtarësimit me NATO-n në muajin maj dhe pritet t’i bashkohet aleancës vitin e ardhshëm.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG