Ndërlidhjet

Nuland shpreson në daljen e shpejtë nga kriza në Maqedoni


Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, tha të hënën në Shkup se në “ditët në vijim mund të pritet arritja e një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës politike në Maqedon,. me ndihmën e ambasadorit amerikan në Shkup, Jess Baily".

Nuland tha se “po largohet nga Shkupi e inkurajuar se drejtues të partive politike tëpërfshira në bisedimedo të arrijnë përparim drejt caktimit të një date të zgjedhjeve, për të cilat do të duhet vullnet politik”.

Ndihmës sekretarja Nuland, që po qëndron në vizitë në Shkup në kuadër të turnesë diplomatike në rajonin e Ballkanit, takoi të hënën liderët e katër partive politike kryesore në vend.

“Ditëve në vijim ne shpresojmë se ekipet e përfshira në negociata do të pajtohen me idetë që janë në tavolinë dhe t’i hapin rrugë zgjedhjeve. Do të duhet vullnet. Unë pash vullnet në takimet e sotme me to. Gjithsesi ambasadori Baily dhe ekipi ynë do të vazhdojnë punën për të pajtuar palët drejt një marrëveshjeje, sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar Nuland.

Ajo para gazetarëve ka nënvizuar se mbështet fuqishëm punën e Prokurorisë Speciale Publike.

“Roli i Prokurorisë Speciale Publike është me interes vital për ndërtimin e një sistemi të pastër juridik, Puna e saj është tejet e rëndësishme që ta sjell sundimin e ligjit - diçka që është e rëndësishme nëse Maqedonia provon të bëhet pjesë e BE-së”, ka theksuar Nuland.

Liderët e katër partive politike kryesore në Maqedoni, pas takimit me zonjën Nuland, thanë se zgjidhjen e krizës e shohin përmes organizimit të zgjedhjeve në një afat sa më të shkurtër kohor.

Partia Maqedonase në pushtet VMRO DPMNE përmes një komunikate me shkrim ka njoftuar se për liderin e kësaj partie Nikolla Gruevski, zgjidhja e krizës politike shihet vetëm përmes organizimit të zgjedhjeve.

Lideri i opozitës Maqedonase Zoran Zaev, ka nënvizuar se zgjedhjet mund ta nxjerrin vendin nga kriza, por vetëm përmes organizimit të një procesi të besueshëm zgjedhor, që nënkupton pastrimin e listës së votuesve dhe reformat në media.

Në komunikatën me shkrim të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë gjithashtu theksohet se është e patjetërsueshme të formohet një qeveri e cila do t’i organizojë zgjedhjet e rregullta, në të cilat do të vendoset, siç thonë ata vullneti i lirë i qytetarëve pa dallim të ndryshimeve të cilat do t’i bëjë pushteti në Ligjin për punë të brendshme.

Lideri i Partisë Demokratike shqiptare Menduh Thaç​i i cili është prononcuar për mediat personalisht pas takimit me ndihmës sekretaren amerikane të shtetit, Victoria Nuland, tha se “porosia kryesore dhe shumë konkrete është që të gjithë të punojmë që të ndërpresim krizën politike, të arrijmë marrëveshje dhe të shkojmë në zgjedhje”.

Ai tha se duhet shfrytëzuar momenti që vendi të nxirret nga kriza.

“Është momenti, e përsëris është moment shumë i rëndësishëm, që ta shfrytëzojmë gjithë këtë çështje dhe të bëhet zhbllokomi i krizës politike. Përndryshe, shpresat do të humbin në tërësi nëse tash nuk bëhet asgjë. Jemi fatlum që SHBA-të, si aleat kryesor i shqiptarëve dhe i Maqedonisë, kanë një interesim të jashtëzakonshëm që të na ndihmojë të largohemi prej kësaj pike të krizës”, ka deklaruar ai.

Përderisa lideri i partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti ka shkruar në rrjetin social Facebook se me “zonjën Nuland ka diskutuar hapur dhe miqësisht për mënyrat se si të zgjidhet kriza politike në vend dhe të rikthehet fokusi në agjendën integruese euroatlantike.

“Sigurova zonjën Nuland që Bashkimi Demokratik për Integrim është pjesa më konstruktive e zgjidhjes së çështjes si dhe shpreha bindjen për arritje të shpejtë të kompromisit nga palët në ditët në vijim. Ky kompromis duhet të rezultojë me zgjedhje gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe demokratike sa më shpejtë që është e mundur".

"Gjithashtu njoftova mysafiren e lartë amerikane për propozimet tona mbi çështjet e pastrimit të listës zgjedhore dhe mediave si dhe nevojën që partitë të pajtohen që janë plotësuar kushtet për zgjedhje e më pas të caktohet data e zgjedhjeve të parakohshme”, ka shkruar Ahmeti.

Gjatë qëndrimit në Shkup ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, është takuar kokë më kokë edhe me Prokuroren Speciale Publike, Katica Janeva si dhe me përfaqësues të organizatave të sektorit civil.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG