Ndërlidhjet

Përpjekje për grushtshtet në Turqi - së paku 90 të vrarë


Video: Bllokimi i urave të Bosforit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:46 0:00

Video: Bllokimi i urave të Bosforit

Një përpjekje për grushtshtet ushtarak ka nxitur luftime në rrugët e Ankarasë.

Së paku 90 persona kanë humbur jetën gjatë përleshjeve në kryeqytet, shumica e tyre civilë, njofton agjencia e lajmeve Reuters .

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka arritur në Stamboll. Ai u pa i rrethuar nga mbështetësit e tij dhe tha, në një fjalim drejtpërdrejt në televizion, se përpjekja për grushtshtet ishte një “akt tradhtie”.

"I bëj thirrje popullit turk të mblidhet në sheshet publike dhe në aeroporte. Nuk besoj kurrë në një fuqi më të madhe se fuqia e njerëzve", tha Erdogan.

Ai tha se është ende president dhe komandant i forcave të Turqisë dhe është zotuar se komplotistët do të paguajnë një "çmim shumë të rëndë".

Grupi ushtarak më heret deklaroi se “këshilli paqësor” tani drejton vendin dhe se ka vendosur ndalim-qarkullimin dhe ligjin ushtarak.

Por, kryeministri Binali Yildirim më vonë tha se situata ishte përgjithësisht nën kontroll dhe një zonë e ndalim-fluturimit në hapësirën ajrore të Ankarasë ishte në fuqi.

Zyrtarë qeveritarë në Turqi thanë se një numër njerëzish u arrestuan, por vendndodhja e shefit të Shtabit të Ushtrisë mbetet e panjohur, ka njoftuar BBC.

Më heret, ushtarët u panë në pikat strategjike në Stamboll, me avionë që fluturuan mbi Ankara.

Dy shpërthime të mëdha u dëgjuan në afërsi të qendrës së Stambillit në Sheshin Taksim.

Mediat ndërkombëtare njoftuan se kishte shpërhtim edhe në ndërtesën e Parlamentit në Ankara.

Mediat në Turqi thonë se është e paqartë se kush është ky grup ushtarak. Ka njoftime se zyratrë të lartë ushtarakë janë burgosur, thotë BBC.

Presidenti Erdogan tha se do ta tejkalojë atë që e quajti “kryengritje të një pakice”.

Ai i tha CNN Turk, në një bisedë me celular, se aksioni u ndërmor nga një “strukturë paralele” që do të përballet me përgjigje të domosdoshme. Ai përdori këtë terminologji edhe në të kaluarën për t’iu referuar Fetullah Gulenit, një klerik mysliman i vendosur në SHBA, të cilin e akuzon për nxitje të trazirave.

Deklarata e grupit ushtarak, e lexuar në televizionin publik TRT, thekson se rendi sekular dhe demokratik është rrënuar nga qeveria aktuale. Do të ketë një kushtetutë të re thuhet në deklaratë.

Një burim presidencial turk i tha agjencisë së lajmeve Reuters se deklarata nuk ishte e autorizuar nga komanda e ushtrisë.

Mediat njoftojnë se gjenerali i lartë ushtarak, Hulusi Akar, është në mesin e atyre që janë marrë peng në komandën e ushtrisë.

Kryeminstri turk, Yildirim, i tha NTV-së përmes telefonit se” kishte një akt joligjor të një grupi brenda ushtrisë që veproi jashtë zinxhirit komandues.

"Qytetarët tanë duhet ta dinë se nuk do të lejojmë asnjë aktivitet që do të dëmtojë demokracinë”, tha Yildirim.

Trafiku rrugor u ndalua në dy urat kryesore në Bosfor dhe atë Fatih Sultan Mehmet në Stamboll.

Tanket thuhet se janë stacionuar jashtë aerportit të Stambollit. Të gjitha fluturimet janë anuluar, thonë njoftimet nga Stambolli.

Një burim i BE-së i tha Reuters-it se aksioni ushtarak “duket të jetë një grushtet relativisht mirë i orkestruar nga një pjesë thelbësore e ushtrisë dhe jo vetëm një nuëmr kolonelësh”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Gjatë vizitës në Moskë, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se shpreson për paqe dhe “vazhdimësi” në Turqi.

NATO po ashtu ka kërkuar që të respektohen institucionet demokratike të Turqisë.

Sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se “është shumë i shqetësuar” me zhvillimet.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen në Turqi “të qëndrojnë në vendet ku janë dhe të mos lëvizin e të njoftojnë familjet e miqtë e tyre”. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG