Ndërlidhjet

Clinton bën historinë si kandidatja e parë femër për president


Hillary Clinton
Hillary Clinton

Hillary Clinton ka bërë thirrje për unitet, është tallur me rivalin republikan dhe ka folur edhe për prosperitet të përbashkët derisa e ka pranuar nominimin e partisë demokrate amerikane për presidente me “besim të pakufishëm në premtimin amerikan”.

Fjalimi i Clinton më 28 korrik ka qenë vula e konventës katër ditore të demokratëve, duke shënuar kështu fillimin e asaj që shumëkush e pret të jetë fushata më e kushtueshme, por edhe më e pisët e zgjedhjeve presidenciale në histori të SHBA-ve.

“Sonte kemi arritur një pikë kulmore në marshin e popullit tonë drejt një bashkimi më të përsosur. Kjo është hera e parë që një parti e madhe e nominon një grua për president”, ka thënë ajo.

“Dhe tani miqtë e mi, e pranoj nominimin për president me përulësi, përkushtim dhe besim të pakufi në premtimin amerikan”, ka thënë Clinton.

Kundërshtari i saj është Donald Trump, që ka habitur shumë njerëz duke arritur shumë shpejtë në krye të partisë republikane.

Sondazhet tregojnë se ai po e shfrytëzon paknaqësinë e madhe në vend për rritjen jo të barabartë ekonomike, frikën nga terrorizmi dhe kërcënimi nga militantët e grupit radikal, Shteti Islamik.

Në fillim të kësaj jave, një sondazh i Reuters dhe Ipsos tregon se Trump ka dal para Clinton, që vlerësohet se u arrit falë konventës së republikanëve që u mbajt javën e kaluar.

Nata e fundit e Konventës përmbante edhe fjalime nga një gjeneral me katër yje që ka udhëhequr forcat amerikane në Afganistan, babai i një myslimani të Amerikës që është vrarë në Irak dhe vajza e Hillary, Chelsea.

Ditëve të para, në Koventë kanë folur edhe ish presidentët, Jimmy Carter dhe Bill Clinton, por edhe presidenti aktual, Barack Obama.

Kjo ofronte një pamje krejt tjetër nga konventa e republikanëve, ku asnjë ish president nga rradhët e tyre nuk foli para delegatëve të partisë duke e nxjerrë në pah paknaqësinë me mungesën e përvojës së Donald Trump dhe stilin e tij të ashpër kur iu drejtohet të tjerëve.

Më 27 korrik, Obama iu ka thënë delegatëve amerikanë se askush nuk mund të matet me Hillary Clinton në lidhje me kualifikimin e saj për postin e presidentit.

Konventa e mbajtur në Filadelfia, ka filluar me jo pak telashe për shkak të zemërimit të përkrahësve të Senatorit Bernie Sanders, të cilin Clinton e ka mundur në zgjedhjet e brendshme partiake për të siguruar nominimin.

Ndonëse para sallës ku mbahej konventa janë mbajtur protesta të përkrahësve të Sanders, ato ishin më të vogla dhe shumë më pak të dhunshme se sa është pritur.

Konventa gjithashtu është goditur nga dorëheqja e shefës së konventës pas rrjedhjës së mijëra emailave në media ku tregohej se zyrtarët e partisë që duhet të mbesin neutral gjatë zgjedhjeve të brendshme, e kishin mbështetur Clinton.

Në një komunikatë të publikuar më 28 korrik, Trump i ka akuzuar demokratët se jetojnë në një “botë të sajuar” gjatë konventës, duke injoruar shqetësimet ekonomike dhe ato të sigurisë, por edhe përdorimin e një email adrese private nga Hillary Clinton derisa ishte Sekretare e Shtetit.

Skandali që po zgjat që një kohë të gjatë për përdorimin e emailit privat derisa ishte me detyrë zyrtare ka qenë një nga temat më të përfolura të fushatës, ndërsa republikanët janë munduar ta shfrytëzojnë këtë për ta portretizuar Clinton si të pakujdesshme dhe genjështare.

Në fjalimin e saj, Clinton është munduar të shfaqë thellësinë dhe gjerësinë e dijës dhe përvojës së saj, duke kaluar nëpër tema të ndryshme, të brendshme dhe ndërkombëtare.

Ajo ka folur për ekonominë, e ka pranuar kërkesën e bërë gjatë fushatës nga Bernie Sanders për arsimim universitar më të lirë.

Disa delegatë pro Sanders kanë vazhduar të fishkëllejnë gjatë kohës kur ajo fliste, por ata nuk dëgjoheshin për shkak se masa më e madhe e përkrahësve të Clinton pandërprerë thërrisnin emrin e saj apo “USA”.

Clinton gjithashtu ka folur për çështjen e ndjeshme të imigracionit, dhunës së shkaktuar nga armët e zjarrit, çmimet e larta të kujdesit shëndetësor dhe rrogave të barabarta për gratë. Ajo është tallur shpesh gjatë fjalimit të saj me Trump.

“Pyesni vetëm: A mendoni vërtetë se Donald Trump e ka temparamentin për tu bërë Komandanti i Përgjithshëm?” ka pyetur kandidatja demokrate.

“Ai e humb kontrollin me provokimet më të vogla. Kur e pranon një pyetje të vështirë nga një gazetar. Kur sfidohet në një debat. Kur e sheh një protestues në një demonstratë. Imagjinojeni atë në zyrën ovale, nëse keni guxim ta imagjinoni këtë, duke u përballur me një krizë të vërtetë. Një person që mund ta nxisësh me një postim në Twitter nuk është personi që duhet t’ia besoni armët bërthamore”, ka thënë Clinton.

Trump dhe Clinton do të përballen për herë të parë më 26 shtator në debatin e parë të kandidatëve presidencial para zgjedhjeve të 8 nëntorit. (REL)

XS
SM
MD
LG