Ndërlidhjet

Kuvendi dënon fuqishëm sulmin ndaj tij


Kuvendi i Kosovës pas sulmit, 5 gusht 2016
Kuvendi i Kosovës pas sulmit, 5 gusht 2016

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan, të premten, një deklaratë politike me të cilën dënohet ashpër sulmi mbi institucionin e ligjvënësve me mjete shpërthyese.

Gjashtëdhjetë e tetë deputetë të Kuvendit votuan për një deklaratë, të cilën e harmonizuan pas një debati të gjatë në një seancë të rregullt.

“Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve dhe vlerave politike dhe demokratike që afirmojnë subjektet tona politike”, thuhet në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët kanë kërkuar nga “institucionet e sigurisë që të ndërmarrin masat e duhura dhe sa më parë të zbardhin këtë sulm qyqar, ndërsa kriminelët të vihen përpara drejtësisë”.

Në deklaratë theksohet se “Kuvendi po ashtu u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë organet e drejtësisë në zbardhjen e këtij akti kriminal”.

Drafti i fundit i deklaratës u miratua, pas një debati në Kuvend dhe vetëm pasi u hoq një paragraf në të cilin thuhej se "të gjitha mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen vetëm me dialog politik dhe se qëllimet politike nuk mund të arrihen me dhunë”.

Lëvizja Vetëvendosje këmbënguli në ndryshimin e tekstit dhe “heqjen e pjesës që paragjykon”, siç tha, “duke aluduar se sulmi ishte rezultat i mosmarrëveshjeve politike dhe se prapa tij qëndron opozita”.

Policia mbledh provat e sulmit mbi Kuvendin

Policia e Kosovës ka gjetur një numër dëshmish në afërsi të Kuvendit të Kosovës gjatë periudhës së zhvillimit të hetimeve, përfshirë edhe një mjet për hedhjen e predhave, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë zyrtarë të policisë, që megjithatë, nuk kanë dashur të ofrojnë hollësi të tjera, për shkak të, siç thonë, "ndjeshmërisë së hetimeve“.

Një zëdhënës i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se "Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka gjetur dëshmi relevante, në mesin e të cilave edhe një mjet për hedhjen e predhave, shishe të benzinës (koktej molotovi) dhe një motoçikletë të djegur jo larg nga vendi i ngjarjes“.

Policia beson se dëshmitë nga vendi i ngjarjes do të çojnë drejt kapjes së autorëve të sulmit mbi Kuvendin e Kosovës, që ndodhi të enjten në mbrëmje rreth orës 23.

Shpërthim në Kuvendin e Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:49 0:00

Burime zyrtare i thanë Radios Evropa e Lirë, se sulmi u bë me mortajë dore, në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues duke e djegur dhe ikën në këmbë në drejtim të panjohur.

Motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendi të Kosovës nuk dihen ende, po aq sa edhe autorët e tij.

Shpërthimi ndodhi në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u sulmua para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe as atëherë nuk u zbuluan motivet dhe as autorët e sulmit.

Musliu: Sulmi ka elemente terroriste

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, e ka cilësuar sulmin si “terrorist”, bazuar mbi dëshmitë që kanë mbetur në vendin e ngjarjes.

“Është sulmuar institucioni i Kosovës me mjete ushtarake ndër me të fortat, me predha hedhës, i cili në gjuhën ushtarake shërben për asgjësimin e mjeteve të blinduara, por edhe për objekte të forta dhe bunkerët. Vet përgatitja, logjistika implementimi dhe tërheqja i përmbush të gjitha elementet ligjore për t’u quajtur akt terrorist”, tha Musliu në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:36 0:00

Musliu tha se, pavarësisht autorëve dhe motiveve, është çështje e policisë dhe prokurorisë dhe së fundi edhe e gjykatave që të tregojnë “efikasitet dhe sa më shpejt ta zbardhin rastin” për të mbyllur “manipulimet e mundshme të grupeve të ndryshme të interesit, si brenda ashtu edhe jashtë vendit”.

Ndërkohë analisti politik, Imer Mushkolaj, ka theksuar se sulmi i kryer në mesnatë “bëhet për të shkaktuar panik edhe për të futur një ndjenjë të frikës”.

“Besoj se nuk është e rastësishme, që sulmi ndodhi pikërisht në këtë moment dhe ndodh pikërisht tash kur debati për demarkacionin ka arritur pikën më të lartë të mundshme dhe kur po publikohen çdo ditë përgjimet e zyrtarëve të lartë të shtetit”, tha Mushkolaj.

Reagime ndaj sulmit mbi Kuvendin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka reaguar ndaj sulmit mbi Kuvendin e Kosovës, përmes një postimi në Twitter.

"I tronditur nga sulmi në Kuvendin e Kosovës. Dhuna dhe gjuha që nxisin dhunën janë të papranueshme në demkoraci", ka shkruar Delawie.

Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në dënimin e sulmit ndaj Kuvendit ka thënë se “është një sulm kundër demokracisë dhe përfaqësuesve të popullit të Kosovës dhe si i tillë është i papranueshëm’. Zyra e BE-së ka bërë thirrje “institucioneve të rendit e ligjit që t'i identifikojnë autorët dhe t'i sjellin përpara drejtësisë."

Udhëheqësit politikë në vend e kanë dënuar sulmin mbi Kuvendin e Kosovës duke u bërë thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt rastin dhe të sjellin përpara drejtësisë autorët e sulmit.

Qeveria e Kosovës ndërkaq në dënimin e sulmit ka theksuar se “ky është një sulm qyqar i drejtuar kundër të gjitha institucioneve dhe shtetit të Kosovës”.

“Pa dashur të paragjykoj nëse është në linjën e akteve të dhunshme të paralajmëruara, Qeveria e Kosovës konsideron se akte të tilla nuk do të arrijnë të ndalin përkushtimin dhe punën e institucioneve të Kosovës për realizimin dhe mbrojtjen e interesave të vendit”, thuhet në një deklaratë të qeverisë së Kosovës.

Ajo ka bërë thirrje organeve të rendit që të ndërmarrin të gjitha masat për zbardhjen e kryesve të këtij akti të rëndë kriminal dhe të vënë para drejtësisë kryesit dhe orkestruesit e tij.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se “ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohemi është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovë”, dhe ka shtuar se sulmuesit “janë njerëz që nuk e duan Kosovën, që nuk ia duan të ardhmen evropiane qytetarëve tanë dhe nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe”.

Sulmi i mbrëmshëm mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës përbën një sulm kriminal, me elemente të veprimit terrorist, i drejtuar kundër institucioneve dhe popullit të Kosovës, ka thënë Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

"Ne së bashku e kemi ndërtuar këtë shtet, së bashku duhet ta mbrojmë, ta zhvillojmë e fuqizojmë. Ftoj qytetarët tanë që të kenë besim në institucionet tona, në kapacitetet e tyre për të garantuar rendin, sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend", thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka cilësuar si “atak ndaj pavarësisë” sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, të enjten në mbrëmje.

Në një reagim të tij përmes rrjeteve sociale, Mustafa ka thënë se “askujt nuk i lejohet që të terrorizojë institucionet e vendit”, duke cilësuar Kuvendin si "organin më të lartë legjislativ dhe simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik.

Kryeministri i Kosovës i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejtë rastin dhe që kryesit e veprës të dalin përpara drejtësisë. Ai kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve për organet e ndjekjes për të zbardhur rastin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti në opozitë, në reagimin e saj duke dënuar sulmin e ka cilësuar “si sulm mbi shtetin, mbi demokracinë dhe mbi të gjithë qytetarët e Kosovës”

“Kushdo që qëndron prapa këtij shpërthimi apo sulmi, çfarëdo që të jetë ai, është kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në një deklaratë të AAK-së e cila kërkon kapjen e autorëve të sulmit dhe nxjerrjen përpara drejtësisë.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar zbardhjen e rastit dhe kapjen e autorëve.

Sulmi në ndërtesën e Kuvendit erdhi në kohën e krizës më të thellë politike në Kosovë, pas një periudhe disa mujore të kundërshtimeve të ligjvënësve nga opozita ndaj marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Të enjten qeveria e Kosovës dërgoi në Kuvend projekt ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion, pas një debati shume orësh shkencor-profesional të organizuar në Kuvend me pjesëmarrjen edhe të ekspertëve dhe shoqërisë civile.

Nisja në Kuvend e projekt ligjit ngjalli reagimin e serishëm të opozitës e cila kërkoi që të mos futej në votim i njëjti. Megjithëkëtë vlerësohet se marrëveshja për demarkacion mund të votohet në Kuvend brenda pak ditësh.

Marrëveshja për demarkacion u shndërrua në kushtin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, pas rekomandimit për mundësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve nga Kosova në vendet e BE-së. a.v (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG