Ndërlidhjet

Kosova përkujton 9/11


Garda e Nderit e Policisë së Kosovës ka ulur flamurin e SHBA-së në gjysmë-shtizë, i cili ndodhet pranë shtatores së ish-presidentit Bill Clinton, në Prishtinë.

Nderime flamurit amerikan i kanë bërë edhe Zjarrfikësit e Kosovës, kurse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në bashkëpunim me shoqatën "Miqtë e Amerikës", kanë organizuar akademi përkujtimore në nderim të viktimave.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli, me rastin e kësaj dite, ka thënë se 15 vite më parë, bota pa me sy dhe ndjeu me zemër, një nga momentet më dramatike të historisë bashkëkohore, sulmin e pashembullt terrorist mbi Kullat Binjake në New York.

Veselika theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës janë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.

"Republika e Kosovës dhe populli ynë qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kundër kësaj të keqeje, e cila kërcënon mënyrën tonë të jetesës dhe vlerat demokratike. Ne ndihemi krenarë se liria jonë, shteti ynë i pavarur dhe sovran, janë të lidhur në mënyrë të pandashme me emrin e Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Ne ndihemi krenar duke qenë populli më pro-amerikan në botë", ka theksuar Veseli.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë, po ashtu, se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë e përhershme, ndërsa bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë të thellohet. Ai ka shtuar se interesat nacionale të Kosovës nuk do të mund të definohen pa ndihmën e SHBA-së.

"Vlerat, të cilat na bashkojnë si një komb i ri, janë shumë më të forta se sa mosmarrëveshjet dhe konfuzioni i politikës ditore. Kosova është duke ecur në drejtimin e duhur dhe ne duhet ta kuptojmë se sotmja dhe e ardhmja jonë, varet vetëm nga puna jonë. Sfidat e shtet-ndërtimit janë serioze po ne kemi gjithë kapitalin e nevojshëm njerëzor e politik për t’i kaluar ato. Si gjithmonë duke qenë të bashkuar me miq si SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore", është shprehur Veseli.

Kosova kujton viktimat e 11 shtatorit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:35 0:00

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në përvjetorin e 15-të, ka përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste në SHBA.

Në një komunikatë nga Qeveria e Kosovë thuhet se kryeministri Mustafa, duke shprehur nderimin dhe duke përkujtuar të gjitha viktimat e 11 shtatorit, thekson "përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta globale, të udhëhequra nga SHBA-ja, në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm".

Ndërkaq, kryetari Shoqatës “Miqtë e Kosovës”, Agim Rexhepi, ka thënë se aktivitetet e së dielës, me rastin e 15-vjetorit të sulmeve terroriste më 11 shtator 2001, janë bërë për të treguar se Kosova dhe populli i saj janë gjithmonë në përkrahje të SHBA-së.

"Është një respekt që duam t’ua bëjmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës një vendi ku sundon demokracia, liria. Një vend që e garanton demokracinë në botë. Një vend nga i cili populli shqiptar, populli i Kosovës ka pasur shumë përfitime gjatë historisë dhe në këtë mënyrë kemi dashur t’iu tregojmë se nuk i kemi harruar veprimet e tyre", ka theksuar Rexhepi.

Më 11 shtator 2001 në New York sulmi ishte kryer nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes, islamistë radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Më shumë se tre mijë njerëz kanë humbur jetën kur rrëmbyesit përplasën aeroplanët në Kullat Binjake në Qendrën Botërore Tregtare, në New York, mbi ndërtesën e Pentagonit në Washington dhe në një fushë në shtetin Pennsylvania.

Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin edhe tre shtetas shqiptaro-amerikanë, si shtetas të më shumë se 70 vendeve të botës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG